Quest, në hulumtimet e tij nëpër arkiva për Jugosllavinë, zbardh planin e Titos për Serbinë e Madhe ku përfshihej edhe Shqipëria

Vitet e fundit të marshallit “legjendar” Tito dhe plani i tij për Kosovën

Riçard Quest

Titoja dhe Partia e tij Komuniste nuk morën pjesë në përmbysjen e 27 marsit. Ai u përpoq të mbajë për vete një pjesë të meritës për shtyrjen e fillimit të planit “Barbarosa”: “Tani, disa historianë nuk pranojnë se incidenti jugosllav ia prishi Hitlerit planin e sulmit kundër Rusisë. Por, fakti mbetet fakt. Operacioni i planifikuar për në maj ngriu deri më 22 qershor dhe si rezultat ushtria gjermane, në fund të fundit, u mbërthye në hyrjet e Moskës dhe të Leningradit në kohën e ngricave më të ashpra”. Pasi e pushtoi Jugosllavinë, Gjermania filloi të caktojë kufijtë e rinj.

Rajhu i Tretë mbajti për vete Slloveninë Veriore, kurse Italisë i mbeti pjesa e saj jugore, bregdeti dalmat dhe Mali i Zi. Shqipëria e varur nga Italia mori krahinën e Kosovës. Bullgaria i “ktheu” vetes pjesë të Thrakës dhe të Maqedonisë, që i kishin kaluar pas Luftës së Dytë Ballkanike Greqisë dhe Serbisë. Hungaria shtiu në dorë tokat pjellore të Vojvodinës. Ajo çka mbeti nga Serbia u la në dispozicion të Komandës Supreme të Vermahtit, e cila nuk kishte ndërmend ta zgjidhte problemin me ceremonira.

Spastrimet etnike për krijimin e Serbisë së Madhe
Historianët bashkëkohorë serbë dhe admiruesit e huaj të Mihajlloviçit thonë se ai (Titua), gjoja, i dënoi masakrat kundër myslimanëve (shqiptarë e boshnjakë), të ndodhura në Foçë, më 1941 dhe të përsëritura në të gjithë Sanxhakun, Malin e Zi dhe në pjesën lindore të Bosnjë-Hercegovinës. Por dokumentet dëshmojnë se Mihajlloviçi e miratoi idenë e “Serbisë së Madhe” dhe të “pastrimit etnik” të tokave të saj nga përfaqësuesit e fiseve dhe feve të tjera. Në një letër të daktilografuar, drejtuar njërit prej oficerëve të tij madhorë, të datës 20 dhjetor 1941, Mihajlloviçi numëron detyrat luftarake që qëndronin para reparteve të tij. Ndërmjet tyre: Të krijohet Jugosllavia e Madhe dhe brenda saj “Serbia e Madhe”, etnikisht e pastër, ku të bëjnë pjesë Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Srema, Banati dhe Baçka. Të luftojmë për t´u futur në jetën tonë kombëtare të të gjitha territoreve sllave, që ndodhen nën pushtetin e italianëve dhe të gjermanëve (Trieste, Goricia, Istria dhe Korushka), si dhe të territoreve në Bullgari, në Shqipërinë e Veriut, duke përfshirë Shkodrën. Të kryhet pastrimi i territorit shtetëror nga të gjitha pakicat kombëtare dhe elementët e huaj. Të krijohet kufiri i përbashkët i drejtpërdrejtë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi… dhe të pastrohet Sanxhaku nga popullsia myslimane dhe Bosnja nga popullsia myslimane dhe kroate”. Në qoftë se ky dokument nuk është i falsifikuar, Mihajlloviçi në fund të vitit 1941 e njollosi veten me po atë fanatizëm “etnik”, ose më drejt fanatizëm fetar, si edhe armiku i tij katolik Ante Paveliçi. E vërteta është se ai, sidoqoftë, nuk e miratonte zhdukjen e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre në një fe tjetër. Me fjalën “pastrim”, ai kuptonte jo vrasje, siç e kishin ustashët.

Vitet e fundit të marshallit Tito
Dymbëdhjetë vjetët e fundit të jetës së Titos ishin mbushur me shqetësime për çështjen kombëtare, që rrezikonte edhe vetë ekzistencën e Jugosllavisë. Në një çast hidhërimi në vitin 1971, ai pranoi atë që thoshin gjithnjë armiqtë e tij: “Kur të mos jetë Titoja, çdo gjë do të shembet”. Në luftën e tij për të vendosur në vend paqen dhe për t’i mbajtur jugosllavët në “vëllazërim dhe bashkim”, ai pësoi disfatë. Dhe kjo ishte e para disfatë në jetën e tij. Në vitet ´30, ai ishte në krye të udhëheqjes së PKJ, kur shumica e rivalëve të tij ishin zhdukur me urdhër të Stalinit. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ai luftoi dhe fitoi në betejat kundër gjermanëve, italianëve, çetnikëve dhe ustashëve dhe u bë kryetar i Jugosllavisë komuniste. Në vitin 1948 sfidoi trimërisht Bashkimin Sovjetik, e bëri Jugosllavinë një shtet të pavarur dhe arriti t’i sigurojë vendit një nivel të mirë të lirisë dhe lulëzimit. Ai bëri dyluftim me mbretin dhe e mundi. Ai i qëndroi ballas dhe me sukses gjithë botës tjetër komuniste. Por, vetëm intolerancën fetare nuk e mposhti dot. Ai e pushkatoi Mihajlloviçin, por nuk mundi të çrrënjosë prirjen e serbëve për të dëbuar “turqit”. Ai e futi në burg Stepinacin, por nuk mundi të zhdukë dëshirën e kroatëve për të “pastruar” vendin nga “serbosllavët dhe nga “skizmatikët”. Sigurisht, Titoja e ka vrarë mendjen se si mund të largohet nga kjo botë me dinjitet, duke rritur zëvendësin e tij, por për këtë e pengoi disfata që pësoi në përpjekjet e tij për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet kombeve brenda Jugosllavisë. Praktikisht, ai nuk i kishte më miqtë dhe shokët e paraluftës, te të cilët mund të mbështetej. Moshe Pijade vdiq. Gjilasi dhe Rankoviçi kishin rënë nga fiku. Kishte mbetur vetëm Kardeli i ashpër dhe gjithmonë i zymtë. Megjithëse kroat, ai gëzonte popullaritet të madh ndërmjet serbëve, dhe akoma më të madh ndërmjet myslimanëve. Kurse politikanët e tjerë jugosllavë respektoheshin vetëm brenda kufijve të republikës së tyre.

Vitet ´60-të dhe përpjekjet për “atdheun” e tij, Kroacinë
Prej fundit të viteve ´60, Titoja po u kushtonte gjithnjë e më pak vëmendje qeverisjes së vendit, duke i ruajtur fuqitë e veta për çështje të tilla madhore, si Çekosllovakia dhe nacionalizmi kroat. Ai kurrë nuk interesohej për ekonominë dhe duke u plakur merrte vendime gjithnjë e më të nxituara në këtë fushë, gjë që çoi në rritjen e theksuar të borxheve ndaj bankave ndërkombëtare. Ky defekt nuk duhet t’i ngarkohet sistemit komunist në tërësi, përderisa disa vende të Evropës Lindore, dhe para së gjithash Çekosllovakia dhe Republika Demokratike Gjermane i harxhonin paratë me kujdes, ndërkohë që shumë vende kapitaliste, si Filipinet, Brazili dhe pjesërisht Britania shquheshin për hovardhallëk në përdorimin e borxheve të marra. Veprimet e pamatura në çështjet financiare ishin një dobësi personale e Titos, ndoshta e trashëguar nga i ati. Megjithëse Gjilasi dhe të tjerë e kanë kritikuar ashpër Titon për pallatet, kështjellat dhe vilat në dispozicion të tij, duhet thënë se këto rezidenca dhe ndërtimet e tjera monumentale, ai nuk i ndërtoi për të përjetësuar lavdinë e tij. Le të marrim bashkëkohësit e Titos. Stalini ndërtoi një qiellgërvishtës grotesk, në formën e një torte dasme, si Pallatin e Kulturës dhe të Shkencës në Varshavë. Mao Ce Duni, për t’i dhënë sa më shumë hapësirë sheshit Tjenanmen, e fshiu nga faqja e dheut qendrën mesjetare të Pekinit. Çaushesku, për të ndërtuar Pallatin e Versajës dhe “Fushat e Eliseut”, prishi një të tretën e Bukureshtit të vjetër. Madje edhe në Britaninë dhe Francën demokratike udhëheqësit politikë, njëri pas tjetrit, kanë ndërtuar qendra madhështore kulturore dhe aeroporte, biblioteka kombëtare të panevojshme, madje edhe tunelin nën La Mansh, si përmendore të lavdisë së tyre. Mania për të ndërtuar, karakteristike për shumicën e politikanëve, nuk e preku Titon. Ai kënaqej me shtëpitë që mbetën nga pronarët e mëparshëm. Në vend të ndërtimit të përmendoreve të shtrenjta, Titoja e rriti lavdinë e tij në një mënyrë tjetër, pa prekur arkën e shtetit: Ai u dha emrin e tij disa qyteteve. (Titograd, Titovo-Uzhice etj.)

 

Ser Fitcroi Maklin jep disa histori anekdotike nga jeta e Titos në takimet me Margaret Theçerin dhe princin e Uellsit.

Kur pas vizitës në Kinë, Theçeri vizitoi Jugosllavinë, ishte ende udhëheqëse e opozitës. Po bisedonin për Kinën dhe ra fjala edhe për gruan e Maos. “Sigurisht – tha Titoja, duke e parë Theçerin drejt e në sy – unë nuk u besoj grave që ngatërrohen në politikë”. Dhe Theçeri ia preu menjëherë: “Unë nuk ngatërrohem në politikë, unë jam vetë politika”. Titoja e pëlqeu shumë këtë ndërhyrje të mprehtë dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre u rregulluan.

Në kohën e vizitës zyrtare të princit të Uellsit në Jugosllavi, Titoja nuk e la t’i shkonte rasti për të përulur një personalitet me gjak mbretëror. Princin e shoqëronte Maklini, i cili i dha Titos disa shishe me uiskin e famshëm me sodë “Makfen”. Princi u habit kur pa se i nxorën “Çivas regal” dhe i tha Titos: “A nuk mund të hapim ndonjë shishe nga ato që solli Fitcroi?”.

“Ah, jo! – u përgjigj Titoja – ato do t’i mbajmë për raste të veçanta”.

Sëmundja vdekjeprurëse dhe si i shërbyen murgeshat në çastet e fundit të jetës
Titoja u sëmur në fillim të janarit të vitit 1980. Atë e shtruan në një spital në Lubljanë, ku kirurgët i amputuan në fillim një këmbë, pastaj edhe këmbën tjetër. Atë e vizituan djemtë e tij dhe Jovanka, e cila e përjetoi me hidhërim të madh sëmundjen e të shoqit. Titos i shërbenin murgeshat katolike. Ka shumë të ngjarë që kjo të jetë bërë me kërkesën e tij. Kjo rrethanë i bëri shumë njerëz të mendonin se Titoja kurrë, të paktën në shpirtin e tij, nuk hoqi dorë nga feja. Atëherë u kujtuan se në një bisedë me një klerik në vitin 1945 ai tha: “Unë, si katolik…”. Gjilasi ka shkruar se Titoja nuk e ka përjashtuar idenë e pavdekësisë. Mjekët e ruajtën jetën e Titos deri më 4 maj. U krijua përshtypja sikur i gjithë vendi i trembet ikjes së tij nga kjo jetë.

Në varrim ishin të pranishëm shokët e tij të luftës, ndërmjet të cilëve edhe Dikini dhe Maklini, si dhe Margaret Theçeri, që ishte bërë kryeministre, Brezhnjevi, zëvendëspresidenti i SHBA (presidentin Karter e kritikuan që nuk vajti vetë) dhe shumë udhëheqës të vendeve të “botës së tretë”, ndër të cilët edhe Kenet Kaunda, që e qau me lot. Trupin e Titos e vendosën në mauzoleum, afër rezidencës së tij në Dedinjë, në periferi të Beogradit.

Roli i vërtetë i Josif Broz Tito për Jugosllavinë
Në kohën kur mjekët përpiqeshin të zgjatnin ditët e jetës së Titos, pasardhësit e tij bënin thirrje dhe luteshin që të ruhej uniteti i vendit.

Nderimi i Titos, që filloi në malet e Bosnjës në vitin 1943, vazhdoi edhe më vonë, gjatë gjithë jetës së tij. Për këtë qëllim organizoheshin veprimtari të ndryshme zyrtare, si për shembull stafeta në ditëlindjen e tij. Në shkolla mësohej biografia e Titos dhe fjalimet e tij. Në muret e institucioneve zyrtare, nëpër dyqane, kafene vareshin portretet e Titos dhe pllakate me citate nga fjalimet e tij. Për të thureshin këngë. Vetë Titoja merrte masa që kjo fushatë të mos tepërohej, të mos dilte jashtë kufijve të arsyes dhe të mos kthehej në kult të personalitetit, siç kishte ndodhur me Hitlerin, Stalinin, Mao Ce Dunin. Për nder të tij nuk u ngritën pallate, nuk organizonte manifestime madhështore si atë të Nurenbergut. Në bisedat private, Titoja ishte kurdoherë i thjeshtë dhe komunikues. Në seritë e intervistave televizive të viteve ´70, Titoja të krijonte përshtypjen e një babaxhani dhe jo të një sundimtari të tmerrshëm a të një mbreti-diell. Dhe vetëm pas vdekjes së tij, nderimet që filluan t’i bëhen e ngritën në shkallën e kultit. Dukej sikur Jugosllavia do të ruhej vetëm në sajë të një çudie të mbinatyrshme, sikur Titoja do t’i ndihmonte edhe nga bota tjetër. Në ambientin e udhëheqjes kolektive, të cilën si me shaka e quanin “Titoja dhe tetë gnomët”1 , lindi parulla absurde: “Pas Titos – Titoja”. Çdo vit, për dhjetë vjet me radhë, pas vdekjes së tij, më 4 maj, në orën 15 e 05 minuta në të gjithë vendin binin sirenat dhe e gjithë popullsia duhej të ngrinte në vend, në heshtje, për dy minuta. Përfaqësuesit e ushtrisë vinin në varrin e njeriut, të cilin gjithmonë e quanin “kryekomandanti ynë suprem”. Më 1989, Organizata e veteranëve propozoi për të katërtën herë kandidaturën e Titos për t’i dhënë titullin Hero i Popullit.

Më 1984 u miratua një ligj i posaçëm, në bazë të të cilit dënoheshin rëndë personat që shpalleshin fajtorë për fyerjen e kujtimit të Titos. Tetë qytete morën emrin e tij, një për çdo republikë dhe për krahinat autonome Vojvodinë dhe Kosovë. U botuan dhjetëra artikuj që ngrinin lart veprimtarinë e tij.

Si reaksion kundër këtij kulti pas vdekjes, shumë shkrimtarë dhe veprimtarë shoqërorë filluan të shkruajnë për aspekte të ndryshme të jetës në Jugosllavi, duke sulmuar edhe anët e dobëta të jetës së Titos. Libri i mrekullueshëm “Tito: historia nga brenda” i Millovan Gjilasit, në një farë kuptimi e ka humbur vlerën e vet, duke dhënë disa paragjykime të helmuara kundër Titos, duke u nisur nga puritanizmi i vetë autorit. E akuzuan për ekstravagancë në jetën e tij personale, megjithëse ai, siç e kemi thënë më sipër, kënaqej me ato që trashëgoi nga Karagjorgjeviçët. Si Çaushesku i Rumanisë dhe Markosi i Filipineve, ai mori borxhe kolosale nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por prej këtyre borxheve përfituan jo vetëm ai, por edhe e gjithë pjesa tjetër e popullsisë, gjë që nuk ndodhi në Rumani ose Filipine. Në kohën kur intelektualët britanikë diskutonin për reputacionin e Titos (e akuzonin edhe Fitcroi Maklinin se kishte ndihmuar komunistin Tito për të marrë pushtetin), jugosllavët u përballën me problemin e pagesave për të shlyer kuotat e borxheve të huaja. Në vitin 1983, qeveria u përpoq ta shtynte falimentimin, duke kapitulluar plotësisht para FMN dhe u katandis në një marionetë në duart e tij. Në mes të vitit 1984, inflacioni arriti 52 për qind dhe niveli i jetesës qysh prej vdekjes së Titos u ul 30 për qind. Papunësia përfshiu 15 për qind të fuqisë punëtore, prej të cilëve gjysma ishin të moshës deri 24 vjeç. Dinari filloi rënien e tij katastrofike. Në vitin 1987, në Beograd, për një filxhan kafe kamarierja të kërkonte një milion dinarë. Të gjitha këto u shoqëruan nga një sërë skandalesh të zhurmshme, lidhur me demaskimin e aferave në Bankën Kombëtare, në korporatën e naftës, në kompanitë e hekurudhave dhe… në shitjen e jahtit të Titos. Filloi lëvizja e popullsisë nga qyteti në fshat. Të shpërngulurit nga Beogradi filluan të merren me mbjelljen e kumbullave për shlivovicë dhe me rritjen e derrave. Shumëkush nuk e kupton se sa pushtet kanë historia dhe feja në zemrat e njerëzve. Dhe pikërisht këto çuan në fillim të viteve ´90 në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe jo dështimi i komunizmit ose gabimet ekonomike të Titos. Dhe megjithëse shkaqet e katastrofës i kanë rrënjët thellë në të kaluarën e Ballkanit, unë dua ta bashkërendis këtë të kaluar me tri ngjarje të rëndësishme të vitit 1981, një vit pas vdekjes së Titos. E para ndër to ishin revoltat e shqiptarëve në Kosovë, një vend që është i shenjtë për serbët. E dyta, ishte botimi i një libri në Zagreb, ku trajtohej në një mënyrë të re roli i arqipeshkvit Stepinac. Dhe më në fund në Megjugorje, në një fshat hercegovinas, që ka një manastir françeskan, gjashtë të rinj deklaruan se kishin dëgjuar dhe kishin parë Virgjëreshën Maria.

Serbia, si nisi katastrofa pas vdekjes së Titos
Pas vdekjes së Titos në Beograd u përhap një fjalë e urtë: “Sllovenëve u mbeti koleksioni i automobilave, të prodhuar me porosi të posaçme, kroatëve jahti, kurse neve serbëve na mbeti skeleti i tij”. Serbët filluan të përplasnin këmbët që në fillim të viteve ´70, kur Titoja i hoqi “liberalët”, komunistët e prirur për reforma. Pastaj ai i tronditi nacionalistët, kur u dha statusin e autonomisë Vojvodinës dhe Kosovës. Pas vdekjes së udhëheqësit, Partia Komuniste serbe vazhdoi përndjekjen e disidentëve-liberalë. Në shkolla dhe në Universitetin e Beogradit vazhdonte të jepej kursi i marksizmit në vëllim të plotë. Njëkohësisht, qeveria shtypte me ashpërsi çdo shfaqje sado të përkorë të nacionalizmit serb, për shembull, u ndalua të këndohej kënga “Larg në det”, kushtuar fatit të hidhur të ushtarëve serbë në kohën e Luftës së Parë Botërore. Si rezultat i spastrimeve të vitit 1972, kusht i domosdoshëm i suksesit në karrierën e biznesmenit, në mjetet e informacionit masiv ose në arsim ishin cilësitë përkatëse “moralo-politike”. Disidentët këtë e quanin “seleksionim negativ”, sepse çanin lart vetëm karrieristët dhe dogmatikët.

Sllobodan Millosheviç, lideri post-Tito që fryu nacionalizmin serb
Produkt tipik i këtij sistemi ishte Sllobodan Millosheviçi, president i ardhshëm i Serbisë. Me origjinë nga Mali i Zi, Millosheviçi u lind dhe u rrit në qytetin Pozharevac. Prindërit e tij jepnin mësim në shkollë. Në fëmijëri, Sllobodani ishte nxënës shembullor dhe në shkollë vinte gjithmonë i veshur me një kostum të errët të hekurosur me kujdes. Ai u shmangej njohjeve me njerëz të këqij dhe qëndronte i veçuar. Në shkollën e mesme u njoh me gruan e tij të ardhme, Mirjana Markoviç, që rridhte nga një familje funksionari të lartë partiak. Ajo zgjodhi karrierën e pedagogut të sociologjisë marksiste. Por rinia e qetë dhe pa telashe u errësua nga një tragjedi e tmerrshme. Kur Millosheviçi studionte në universitet, i ati vrau veten. Njëmbëdhjetë vjet më vonë vrau veten edhe e ëma. Millosheviçi e filloi karrierën si ekonomist. Në fillim punoi si drejtor i një uzine, pastaj u bë president i bankës qendrore. Në këtë kohë vizitonte shpesh Shtetet e Bashkuara. Më vonë kaloi në detyra partiake, u ngjit shpejt në sferat e larta dhe më 1984 u bë shef i organizatës së partisë të Beogradit, kurse më 1986 e zgjodhën sekretar të parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Serbe. Megjithëse ai tanimë ishte një njeri i botës burokratike të politikës pastitoiste, opinioni publik serb atë ose e injoroi, ose e përçmoi. Transformimi i tij i mëtejshëm në hero në sytë e shumë serbëve ishte rezultat i krizës në Kosovë.

Shpërndaje në