TAKIME ME PARTITË POLITIKE

Këshilli Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën po i vazhdon aktivitetet dhe takimet me partitë politike në Kosovë. Anëtarët e këtij Këshilli Nismëtar, Ragip Ramaj (Gjermani) dhe Arjan Melonashi (Itali), sot u pritën nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi.
Fillimisht anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën i prezantuan Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Krasniqi, nisiativën për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, rëndësinë dhe rolin që do të luajë ky kanal televiziv në ruajtjen e identitetit, kulturës, gjuhës shqipe dhe qenies shqiptare në përgjithësi, sidomos tek fëmijët dhe rinia shqiptare në emigracion.
Anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën paraqitën modalitetet për themelimin e këtij kanali televiziv, ku si themelues dhe financues duhet të jetë Parlamenti i Republikës së Kosovës, ndërkaq duhet të funksionojë nën ombrellën e Mediumit Publik RTK-së dhe se ky kanal televiziv duhet të ketë pavarësi editoriale, kadrovike e financiare.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, mirëpriti nisiativën e mërgimtarëve për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, duke e quajtur një projekt me rëndësi strategjike kulturore e kombëtare, të cilin e përkrah ai dhe Partia Demokratike e Kosovës. Njëherit ai u interesua për modalitetet se si është menduar nga mërgata, përkatësisht nga Këshilli Nismëtar themelimi dhe funksionimi i këtij kanali televiziv. Në të mirë të themelimit dhe funksionimit të këtij kanali televiziv, z. Krasniqi kishte edhe propozimet e tij, duke sygjeruar që Këshilli Nismëtar për Kanalin Televiziv për Mërgatën duhet të jetë fleksibil, të ketë më shumë se një formë projekti dhe në këtë mënyrë themeluesi, por dhe Mediumi Publik RTK-ja, të përkrahin projektin më të mirë të mundshëm.
Përfaqësuesit e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën falënderuan Nënkryetarin Partisë Demokratike të Kosovës për pritjen, përkrahjen dhe sygjerimet që pati për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, që në të vërtetë është përkrahje për mërgatën tonë.Po ashtu, z.Ramaj e z.Melonashi i premtuan Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Krasniqi, se Këshilli Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën do të jetë bashkëpunues me Parlamentin e Republikës së Kosovës, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Radiotelevizionin e Kosovës për gjetjen e modaliteteve adekuate për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, në përputhje me mundësitë reale që ka shteti ynë.

Këshilli Nismëtar për themelimin
e Kanalit Televiziv për Mërgatën

Shpërndaje në