29 vjeçari nga Gjakova, Sefedin Nimonaj të mërkurën u vra nga fqinji i tij në qytetin Mulhouse të Francës.

Babai i tre fëmijëve u qëllua për vdekje nga algjeriani rreth 35 vjeç me të cilin ndante kulmin e shtëpisë së njejtë. Sefedini jetonte në katin e parë, e dorasi, i cili ende ndodhet në arrati në katin e tretë. Dyshohet se zhurma e shkaktuar nga kati i parë ku Nimonaj jetonte kishte nervozuar dorasin, i cili i kishte shkuar atij në shtëpi dhe me të çelur derën kishte shkrepur tre plumba mbi të.

“Gazeta Express” gjatë ditës së sotme ka qëndruar në vendlindjen e Sefedin Nimonajt. Nga ajo që kanë dëgjuar prej mediave njëri prej familjarëve të Sefedinit, Maxhuni, ka rrëfyer ngjarjen. Ai thotë se kushëriri i tij nuk ka pasur mosmarrëveshje me askënd përfshirë edhe fqiun që e vrau.

Maxhuni rrëfen se si Sefedini me të hapur derën është qëlluar për vdekje nga fqiu i tij.

“Në derë të banesës e kanë vra, ka pin kafe u kane, n’tavolinë e ka lan edhe ka trokit, u dal me çel dërën edhe bam e kan vra”, rrëfen Maxhun Nimonaj, kushëriri i Sefedinit.
Nga ajo që raportuan mediat franceze dyshohet se shkaktare e vdekjes së Sefedinit u bë zhurma që u dëgjua nga shtëpia e tij, por këtë e mohon Maxhuni. Ai thotë se nuk ka mundësi të ketë qenë zhurmë e madhe pasi i njeri ka pasur fëmijët e vegjël dhe të njejtit nuk përleshen mes vete.

Mësohet se Sefedini banonte në katin e parë ndërsa dorasi në të tretin.

“Ai ka banu në katin e fundit, halla e tij në katin e dytë, merre me mend qysh munet me i bo zhurmë prej katit tretë, nuk janë fëmijë me dalë mu përrla në rrugë a oborr”, thotë ai.

Mediat lokale në Francë raportuan se dorasi është rreth 35 vjeç. Atij i është bastisur shtëpia ku kanë gjetur edhe armë.
“Sipas policisë dorasit i kanë bastis shtëpinë i kanë gjetë armë, drogë etj. Ai është në arrati. Hala se kan arrestu sipas familjarëve”, thotë edhe Maxhuni.

“Hetimet policore kanë filluar menjëherë.Autori i krimit, një person 35-vjeçar është ende në arrati dhe i kërkuar nga policia”, raportohej nëpër mediat franceze.

Sefedin Nimonaj kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ai kishte një firmë të vogël me pajisje për ujësjellës.

Trupi i të ndjerit nuk ka arritur ende në Kosovë. Nimonaj bashkë me familje para luftës kishte dalur nga Kosova për të jetuar në Francë. Dy vitet e fundit ai jetoi në një shtëpi me familjen e ngushtë në lagjen Dornach në qytetin Mulhouse të Francës ku edhe dyshohet se u vra me tre plumba nga fqinji i tij.

Shpërndaje në