Organizata separatiste baske, ETA njoftoi se ka shpërbërë të gjitha strukturat e saj pas dekadash atentatesh të përgjakshme, në një letër që daton më 16 prill dhe të publikuar sot nga një gazetë elektronike spanjolle “eldiario.es”.

“ETA vendosi t’i japi fund ciklit të saj historik dhe funksionit të saj, duke i dhënë fund rrugës së saj. Për pasojë, ETA ka shpërbërë krejtësisht të gjitha strukturat e saj dhe e konsideron iniciativën e saj politike të përfunduar”, theksohet në këtë letër të shkruar në gjuhën baske dhe që mban emblemën e organizatës, një gjarpër i përdredhur rreth një sëpate.

“Kjo është një letër që ETA ia ka dërguar personaliteteve dhe organizatave që kanë marrë pjesë para shtatë vitesh në deklaratën e Aiete (një iniciativë ndërkombëtare që përfundoi në tetor 2011 me braktisjen përfundimtare të dhunës nga kjo organizatë)”, shpjegon një anëtarë i qeverisë baske, përcjell Atsh.

ETA, e krijuar në vitin 1959 gjatë diktaturës së Francisco Frankos, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 829 personave dhe mijëra të plagosur në një fushatë atentatesh në Spanjë dhe në Francë për pavarësinë e Vendit Bask dhe të Navarre nga viti 1968-2010.

Shpërndaje në