Tashmë gjithçka është gati për mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve, “American Music Awards 2018”.

Ky event, do të mbahet nesër (e martë) në Teatrin “Microsoft”, në Los Angeles, të Kalifornisë, ShBA.

Mes shumë artistëve, pjesëmarrëse do të jenë edhe tri këngëtaret shqiptare me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Dua Lipa është e nominuar në një kategori, atë për çmimin “Artistja e re më e mirë e vitit”, Bebe Rexha në dy kategori: “Kënga më e mirë e zhanrit Country” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” për këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgina Line, gjersa Rita Ora këtë vit mbetet e pa nominuar në asnjë kategori.

Megjithatë, ajo nuk do t’i mungojë spektaklit, pasi do të prezantojë një nga çmimet e mbrëmjes.

Të entuziazmuara këngëtaret shqiptare, ato ndanë me fansat përmes rrjeteve sociale emocionet para eventit, duke treguar se janë gati për paraqitjet e tyre.

Dua Lipa do të performojë në skenën e AMA, këngën e saj më të re “Electricity”, e ndërsa shpreson edhe ta fitojë çmimin “Artistja e re më e mirë e vitit”.

“Dita e fundit e provave para mbrëmjes së AMAs, mos e humbisni performancën time! Ka ende kohë për të votuar për mua për çmimin ‘Artistja e re më e mirë e vitit’”, ka shkruar Dua në Instagram.

Ndërkohë, edhe Rita Ora vendosi që të publikojë në InstaStory një fotografi përmes së cilës paralajmëronte fansat, se do të kenë mundësinë ta shohin atë nesër si një nga prezantueset e një prej çmimeve në AMA.

Njëlloj do të bëjë edhe Bebe Rexha, e cila është e ftuar si prezantuese dhe për të rrëmbyer me gjasë ndonjë çmim, teksa e vetmja shqiptare që do të perfomrojë mbetet Dua Lipa.

Përderisa të treja këngëtaret shqiptare do t’i bashkojë nesër (e martë) një spektakël i vetëm, ende mbetet në pikëpyetje nëse ato do të takohen me njëra-tjetrën?

Bebe Rexha ka një raport shumë të mira me të dyja, dhe me siguri se nuk do të refuzojë një përshëndetje me to, e që krejt e kundërta në fakt ndodh mes Duas dhe Ritës, të cilat ndonëse shumë të ngjashme në karrierë, nuk kanë mundur ende të krijojnë një raport para publikut, qoftë as për “sy e faqe”. 

Shpërndaje në