Liga Profesioniste e Futbollit mori miratimin nga ana e klubeve të Superligës muajin e kaluar dhe pa vonesë është nisur të mendohet për strukturimin e saj. Qëllimi kryesor i Ligës është përmirësimi i financave të klubeve, që vazhdimisht kanë patur probleme, aq sa UEFA në raportin e fundit përmend faktin se pjesa dërrmuese e të ardhurave sigurohet nga shpërblimet e saj.

Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libovova thotë për TV Klan se çfarë do të ndryshoje në futbollin shqiptar.

“Besoj që balanca do të anojë te burimet dhe të ardhurat që vetë klubet, vetë Superliga do të sigurojë për anëtarët e saj. Nuk do të nënvlerësohet burimi i UEFA-s, pasi është e një ardhur e vazhdueshme  sidomos për investimet në infrastrukturë, ndërsa organizimi i lojës dhe shpenzimet do të përballohen nga burimet që do të gjejë Superliga”, tha Edvin Libohova, President i Ligës Profesioniste të Futbollit.

Përveç të ardhurave që do të vijnë nga të drejtat e imazhit dhe ato tregtare, Liga do të ketë ndikim në komisione, përfshi arbitrat.

“Vetë Liga duke përfaqësuar interesat e klubeve do të ketë ndikimin e saj në komisionet e Disiplinës, Etikës e Arbitrave dhe organizmin e garës.”

Me krijimin e Ligës, sipas Edvin Libohovës do të ketë më tepër garanci edhe për futbollistët.

“Një nga prioritet do të jetë regullariteti i marrëdhënies së futbollistëve me klubet dhe klubeve përbrenda tyre që ky problem të shkojë drejt zgjidhjes.”

Parashikohet që Liga Profesioniste e Futbollit të nisë aktivitetin prej sezonit të ardhshëm.

Shpërndaje në