TIRANË– Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar, ka sjellë reagime të ashpra nga përfaqësues të politikës shqiptare. Është kryeministri Edi Rama, i cili në reagimin e tij ka bërë thirrje për paqe dhe stabilitet në rajon, teksa vuri theksin se për aq kohë sa Serbia nuk shkëputet nga e kaluara, sa më e largët është rruga e saj drejt të ardhmes.

“Si mundet dikush që të mohojë sot një krim lufte të dokumentuar mirë. Pse është kaq e vështirë që Serbia ta kuptojë se për aq kohë sa të mohojë realitetin e pastër kristal të Kosovës, fantazmat e së kaluarës do të vazhdojnë që të mijojnë rrugën e Serbisë drejt të ardhmes. (…) Ndërtoni paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe filloni ta bëni rajonin tonë një model”, shkruan mes të tjerave Rama.

Çfarë ndodhi më 15 janar 1999 në Reçak
20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimes, masakër e cila tronditi botën dhe bëri kthesë në diplomacinë ndërkombëtare. Kjo ngjarje e cila bëri që bota të kthejë sytë nga Kosova, i parapriu edhe fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. I pari  që  i dha zë kësaj ngjarje për gjenocidin që po kryhej në Kosovë, ishte  ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ku edhe e  pati cilësuar këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”. Ëalker kishte ardhur një ditë pas ngjarjes makabër në Kosovë, ku edhe kishte parë nga afër kufomat. Edhe sot, ambasadori Walker vazhdon ta cilësojë këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit.

Shpërndaje në