Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ka pranuar se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar te disa prej vendeve anëtare, duke mos e parë vendin tonë gati për hapjen e negociatave. Madje edhe vjeshta nuk ofron asnjë siguri.

Një konferencë për mediat nga Brukseli, Hahn tha se BE do të duhet tu përmbahet me rigorizitet prioriteteve të përcaktuara për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

Dhe këtu ai nënvizoi reformën e drejtësisë në Shqipëri.

Hahn: Ajo që kam shpjeguar vazhdimisht është se BE dhe KE në veçanti ka rol të veçantë për përgatitjen e negociatave për zgjerimin dhe ne kemi ndikimin më të madh sa u përket këtyre vendeve të Ballkanit. Padyshim ju sot mund ta shikoni Shqipërinë dhe mund të shqetësoheni për krizën politike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Por duhet të bëjmë një dallim çfarë është vendosur më herët mes Shqipërisë dhe BE, vendimit unanim të BE duke përcaktuar 5 prioritetet kyçe që janë zbatuar nga Shqipëria. Sidomos në çështjen e reformës në gjyqësor. Po zhvillon një reformë në drejtësi me magnitudë të paprecedent. 

Nuk mund ta fajësojmë Shqipërinë që për shkak të kësaj reforme disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë pezulluar. Do të ishte e padrejtë për ti fajësuar autoritetet në lidhje me këto zhvillime. Padyshim ne nuk mund të injorojmë krizën e brendshme politike që ka pasur një farë ndikimi te vendet anëtare për vendimin e tyre ditën e sotme. Shpresojmë që deri në tetor do të ndryshojë mendimi i disa vendeve anëtare në lidhje me Shqipërinë. Duhet të shohim gjithmonë pjesën plot të gotës dhe jo pjesën poshtë të saj.

Hahn zbuloi se Gjermania, Franca dhe Danimarka janë skeptike për hapjen e negociatave dhe kërkojnë shtyrjen.

Komisioneri Hahn që është dhe në mbyllje të mandatit të tij tha se çështja e zgjerimit lidhet me besueshmërinë e BE dhe si e tillë duhet të shihet si çështje strategjike nga Unioni.

Nëse BE kërkon të jetë aktor i rëndësishëm në çështjet globale duhet të mbajë fjalën e dhënë për Ballkanin Perëndimor.

George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE tha se ” jemi besimplotë për rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por si duket çështja do të shtyhet për në tetor”.

Shpërndaje në