Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë arrest me burg për Hasan Kanaçin. Ai ka qëndruar i heshtur para gjykatës, ndërsa në momentin që gjyqtari i komunikoi masën e sigurisë, Kanaçi reagoi duke thënë ‘Nuk kam lidhje me ngjarjen’. Hasan Kanaçi, i cili mbante detyrën e agjentit të cargos, në aeroportin Nënë Tereza u arrestua të premten në mbrëmje, ndërsa akuzohet se ndihmoi autorët e grabitjes nga brenda në datë 9 prill, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën rreth 100 mijë euro, të konvertuara në kartmonedha të ndryshme, për të cilat ka dyshime të forta se i përkasin shumës prej 4.6 milionë eurove të grabitura në Rinas më 9 Prill, të cilat do të transportoheshin me avion nga Shqipëria drejt Vjenës. Burime për Report TV bëjnë me dije se Kanaçi ishte agjenti që merrej me ngarkesën e vlerave monetare në aeroport dhe kishte dijeni për oraret fikse se kur vlerat monetare mbërrinin e futeshin në barkun e avionit.

Lidhur me këtë fakt, grupi hetimor ka dyshime të forta se 48-vjeçari ka njoftuar grupin kriminal për orarin e lëvizjet që do të bënin automjetet që po transportonin shumën e parave.  Kanaçi është personi i 7 që përfundoi në pranga lidhur me grabitjen e milionave euro në aeroportin e Rinasit.

Më herët në pranga janë vënë Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Cela dhe Alkond Bengasi. Dëshmia e këtij të fundit zbuloi grupit, duke pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndërkohë që në kërkim vijojnë të jenë vëllezërit Klement e Eldi Çala, si dhe Talo Çela. Ditën e ngjarjes, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, mbeti i vrarë edhe organizatori Admir Murataj. Pas ngjarjeve në datë 20 prill policia mori kontrollin në sallën e kamerave duke nisur zbatimin e masave shtesë.

Shpërndaje në