Prof. Fatos Tarifa-Pardje, në këtë gazetë, u botua një koment nga James Pettifer, profesor i historisë në Universitetin e Oksfordit, i titulluar “A duhet shqiptarët të mbështesin, ose përdorin emrin e ri të Maqedonisë?” Pettifer nuk është një emër krejt i panjohur për publikun e lexuar shqiptar. Ai erdhi në vëmendjen e lexuesve të huaj të interesuar për Shqipërinë në gjysmën e dytë të viteve 1990, me botimin e dy guidave turistike për Shqipërinë (1996) dhe Kosovën (2000) në serinë “Blue Guides”, por u njoh si një ekspert për Shqipërinë dhe shqiptarët kryesisht me dy libra të tij, botuar në bashkautorësi me Miranda Vicker: Albania: From Anarchy to Balkan Identity(1997) dhe The Albanian Question: Reshaping the Balkans (2007).

Kredencialet gazetareske e akademike të zotit Pettifer dhe interesimet e marrëdhëniet e tij me Ballkanin dhe me Shqipërinë e shqiptarët më bënë të interesuar ta lexoja komentin e tij botuar në Dita dy ditë më parë. Por, me keqardhje them se u zhgënjeva, madje shumë. Analiza e z. Pettifer m’u duk jo vetëm e mangët dhe e pasaktë, por edhe diletanteske – pa një sens historik, jashtë kontekstit aktual dhe tërësisht pa një vizion për të ardhmen.

Emri i ri i Maqedonisë, “Republic of North Macedonia” (në anglisht), ose “République de Macédoine du Nord” (në frëngjisht) mund të mos jetë më i përshtatshmi, as për Shkupin, as për Athinën, si emërtimi zyrtar i atij shteti, por ky pikërisht është emri për të cilin qeveritë e Athinës e të Shkupit, më në fund – pas më shumë se një çerek shekulli – ranë dakord ta pranojnë. Unë ende kujtoj kur, në fillimet e viteve 1990, kur Maqedonia sapo ishte krijuar si një shtet i pavarur nga rrënojat e ish Republikës Socialiste Federale e Jugosllavisë, me akronimin absurd FYROM (Former Yugoslav Republic of Macedonia), kudo në Athinë dhe në konsullatat e Republikës Helenike në Europë të zinte syri postera pa fund, që lexonin: “Macedonia is Greece”. Ka ende qarqe të caktuara në Greqi dhe në diasporën greke anembanë globit që e konsiderojnë territorin e Maqedonisë së sotme pjesë të Greqisë dhe nuk e duan përmendjen e fjalës “Maqedoni” në emërtimin zyrtar të shtetit fqinj në veri të Greqisë.

Por, ja që, më në fund, një qeveri e arsyeshme dhe progresive në Shkup dhe një qeveri po ashtu e arsyeshme dhe progresive në Athinë ranë dakord ta mbyllin këtë kapitull të lodhshëm e të pafrytshëm në historinë e marrëdhënieve të tyre ndërshtetërore. Republika e Maqedonisë Veriore do të jetë këtej e tutje emri i ri zyrtar i këtij shteti. Parlamenti i Maqedonisë e miratoi këtë; pritet që Parlamenti grek të bëjë të njëjtën gjë. Sigurisht, që emri i ri i Maqedonisë të formalizohet e bëhet emri kushtetues i saj, do të duhet që të amendohet Kushtetuta e atij vendi dhe këtë, konstelacioni politik aktual në Maqedoni e bën plotësisht të mundur, falë pjesëmarrjes së partive politike shqiptare në qeverisjen e vendit. Ndoshta në vjeshtë të këtij viti, çështja e emrit të ri të Maqedonisë, për të cilin është rënë dakord paraprakisht nga qeveritë e të dy vendeve, do të bëhet subjekt i një referendumi popullor në atë vend, rezultati i të cilit pritet vetëm të konfirmojë marrëveshjen e arritur.

Kushdo e di se çfarë pasojash ka pasur deri më sot loja e gjatë – shpeshherë absurde – e quajtur “proces negociimi” mes palës greke dhe palës maqedonase për gjetjen e një emri zyrtar për Maqedoninë, të pëlqyer e të pranuar nga qeveritë e të dy vendeve. Emërtimet e mëposhtëm janë vetëm disa prej atyre që janë propozuar ndër vite si një zgjidhje e një çështje që deri vonë është menduar si e pazgjidhshme – emri i Maqedonisë: “Constitutional Republic of Macedonia”, “Democratic Republic of Macedonia”, “Independent Republic of Macedonia”, “Republic of Upper Macedonia”, “New Republic of Macedonia”, “Republic of New Macedonia”, “Republic of Macedonia-Skopje”, “Republic of Vardar Macedonia” etj.

Vetoja greke për shkak të çështjes së emrit e la Maqedoninë jashtë NATO-s një dekadë më parë, kur ajo, si një nga vendet nënshkruese të Kartës së Adriatikut me Shtetet e Bashkuara (2003), do të ishte anëtarësuar në këtë organizatë së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë (më 2009) – dhe shumë kohë më parë se Mali i Zi. Qëndrimi refraktar i Athinës për një çerek shekulli e ka lënë këtë vend shumë pas në procesin e integrimit të tij europian. Çështja e emrit ka qenë, gjithashtu, një “mollë sherri” e vazhdueshme mes forcave politike progresive dhe europianiste dhe atyre nacionaliste e ksenofobe në të dy këta vende.

Konfliktet mes tyre me siguri do të vijojnë edhe për ca kohë, tashmë jo për gjetjen e një emri për shtetin maqedonas, por për zhvillimet e ardhshme në marrëdhëniet mes Republikës Helenike dhe Republikës së Maqedonisë Veriore, mes atyre që duan stabilitet dhe paqe në rajon dhe integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimore në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe atyre që preferojnë realitetet e shkuara konfliktuale mes popujve të këtij rajoni.

Në këtë kontekst, komenti i z. Pettifer, botuar në Dita, më habiti, madje më la një shije të keqe. Pettifer nuk thotë as më shumë, as më pak se sa:

(1) Nënshkrimi nga qeveria e Athinës dhe ajo e Shkupit i marrëveshjes për njohjen zyrtare të emrit “Republika e Maqedonisë Veriore” është një veprim antikushtetues. Pettifer citon presidentin maqedonas, Gjorge Ivanov, dhe pohon se, me këtë veprim, Shkupi i hap rrugë “fundit të sundimit të ligjit” në Maqedoni. Pettifer u bën thirrje të gjithë atyre që janë “me të vërtetë miq të Maqedonisë” që të mbështesin presidentin Ivanov, i cili është i njohur për kundërshtitë e tij ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

(2) NATO dhe BE po përpiqen të minojnë progresin e derisotëm të shqiptarëve në Maqedoni për hir të arritjes së marrëveshjes për emrin e Maqedonisë”, çka, sipas tij, “nuk është në interesin e shqiptarëve”. Për këtë arsye, si dhe për shkak se “emri i zgjedhur është mjaft i pandjeshëm ndaj shqetësimeve legjitime të shqiptarëve”, Pettifer sugjeron që

(3) Shqiptarët duhet “të tërhiqen së shpejti nga koalicioni qeverisës dhe ta lënë Zaevin të qeverisë [pa ta] sipas mendjes së tij”. Kjo, sipas Pettifer, do “ta shmangte pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë proces potencialisht shkatërrues”. Dhe, nëse do të ketë një referendum mbi emrin ose kushtetutën e re të Maqedonisë, Pettifer u sugjeron shqiptarëve që “të gjithë të bëjnë fushatë për të votuar alternativën ‘Jo’”.

(4) Më në fund, Pettifer pohon se “detyrimi i vendit [për t’u anëtarësuar] në NATO, por duke shkaktuar destabilizim rajonal në këtë proces, nuk është një ide e mirë për sigurinë e shqiptarëve, si një popull i varur nga SHBA dhe NATO”.

Kam dëgjuar e lexuar shumë deri më sot për çështjen e emrit të Maqedonisë, për gjendjen dhe fatin e shqiptarëve në atë vend dhe në rajon, për anëtarësimin eventual të Maqedonisë në NATO dhe në BE, si dhe për “konspiracionin e madh” mes Athinës dhe Beogradit kundër shqiptarëve të Ballkanit dhe vetë Maqedonisë, por idetë haluçinante dhe marrëzitë teorike e politike të James Pettifer-it nuk i kam dëgjuar më parë nga askush. Ky autor, i cili hiqet si një mik i shqiptarëve dhe i Maqedonisë, sugjeron ide që janë hapur në kundërshtim me interesat dhe aspiratat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në tërë rajonin e Ballkanit, si dhe me vetë interesat e Maqedonisë.

Z. Pettifer fajëson Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për realitetin e vështirë maqedonas dhe gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe nuk thotë asnjë fjalë për politikat anti-shqiptare të ndjekura pothuasje nga të gjitha qeveritë maqedonase deri dje. Ai nuk e zë në gojë ish kryeministrin maqedonas, të dënuar me burg, Nikola Gruevski, i njohur për nacionalizmin sllavo-maqedonas dhe anti-shqiptarizmin e tij, por merr në mbrojtje presidentin maqedonas, Ivanov, jo më pak i njohur për sentimentet e tij anti-shqiptare.

Z. Pettifer është tejet kritik ndaj kryeministrit aktual të Maqedonisë, Zoran Zaev, edhe pse qeveria e këtij të fundit është e para qeveri maqedonase që duket se po i vlerëson seriozisht kërkesat politike, ekonomike e kulturore të komunitetit të gjerë shqiptar në Maqedoni dhe arriti ta bëjë shqipen gjuhën e dytë zyrtare në atë vend.

T’ju bësh thirrje partive shqiptare që të dalin nga qeveria e kryeministrit Zaev do të thotë t’ju bashkohesh atyre që nuk e duan Maqedoninë të përparojë si një shtet demokratik multietnik, që nuk e duan frymën e re europianiste që ka sjellë në këtë vend një kryeministër, si Zaev, dhe klimën e re të bashkëpunimit mes komuniteteve maqedonase e shqiptare, si dhe mes Maqedonisë dhe Greqisë (dhe fqinjëve të tyre).

Pikëpamjet dhe gjuha e z. Pettifer janë jo ato të një njeriu që u do të mirën shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Maqedoni dhe vetë Maqedonisë. Pikëpamjet dhe gjuha e tij tingëllojnë muzikë në veshët e gruevskëve, të ivanonëve dhe të qarqeve anti-shqiptare në Maqedoni, në Beograd apo në Athinë.

Në një kohë kur duket se Maqedonia (dhe bashkë me të shqiptarët që jetojnë në atë vend) po zhvillohen në drejtimin e duhur, një historian anglez, “ekspert” për shqiptarët, Maqedoninë dhe Ballkanin, kërkon që Maqedonia të vazhdojë të mbahet peng i emrit të saj, që shqiptarët e Maqedonisë, të cilin, ndoshta, për herë të parë po e bashkëqeverisin shtetin e tyre, me një gjuhë zyrtare që është gjuha e tyre, ta braktisin qeverinë dhe t’ua lënë në dorë interesat e tyre, si deri më sot, gruevskëve. Në një kohë kur Maqedonia, e populluar në një masë të madhe nga shqiptarë, është në prag të anëtarësimit në NATO dhe të fillimit të negociatave me Bashkimin Europian, James Pettifer u thotë shqiptarëve të bëjnë kujdes që të mos bëhen një popull i varur nga SHBA dhe NATO.

Me pak fjalë, Pettifer kërkon kthimin prapa nga një proces i gjatë dhe i vështirë emancipimi politik e kombëtar dhe rivendosjen në transhetë e luftës ndëretnike.

Shpërndaje në


13 December 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget