Nga Bardhyl Mahmuti– Në Likoshan dhe Qirez kanë ndodhur akte të gjenocidit e jo “hakmarrje” siç pretendon Enver Hoxhaj!

Në vazhdën e mohimit të gjenocidit, ish ministri i Arsimit të Kosovës, ish ministri i Jashtëm i Kosovës dhe aktualisht ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, publikoi qëndrimin e tij lidhur me krimet që kishin bërë forcat serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez! Dhe pa fije turpi aktet e gjenocidit të shtetit serb Enver Hoxhaj i cilëson si “hakmarrje për shkak të humbjeve që kishin pësuar nga përballja me UÇK-në”.

Termi “hakmarrje” nënkupton se paraprakisht i ke hyrë në borxh atij që nxjerr hak. Shqiptarët nuk i kanë pasur asnjë borxh Serbisë dhe as popullit të saj: nuk kanë shkuar as në Beograd, as në Nish dhe në asnjë vendbanim të Serbisë të sulmojnë njerëz të paarmatosur. Përkundrazi, ushtria dhe policët e Serbisë kanë ardhur në vatrat tona dhe nuk kanë lënë gjë të zezë pa bërë mbi popullin tonë, me qëllim që të na shkatërrojnë si shqiptarë.

Në rastin konkret, përdorimi i termit “hakmarrje” nga Enver Hoxhaj nënkupton mungesë projekti të Serbisë për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe se nuk kemi të bëjmë me akte të gjenocidit por gjoja ata u “hakmorën ndaj qytetarëve të pafajshëm e të pafuqishëm, për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët”!

Nuk mund të ketë turp më të madh për një ish ministër të Arsimit, për një ish ministër të Jashtëm dhe për një politikan që kërkoi votat e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë kryeministër se sa  cilësimi i akteve të gjenocidit si “hakmarrje për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët”!!!

Në Likoshan dhe Qirez kanë ndodhur akte të gjenocidit dhe nëpërmjet të cilësimit të këtyre akteve gjenocidare si “hakmarrje” Enver Hoxhaj “RIKONFIRMON IDENTITETIN E VET NË RAPORT ME MOHIMIN E GJENOCIDIT TË SERBISË NDAJ SHQIPTARËVE”!

Shpërndaje në