Akademik Rexhep Qosja e ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Bashnë se pas përfundimit të luftës në Kosovës, se me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë nga radhët e LDK-së, e ka furnizuar Dik Martin me të “dhëna” kundër Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Qosja në një opinion të postuar në facebook ka shkruar se PD i duhet Shqipërisë pa Lulzim Bashat.

“Le ta kemi të qartë se me politikë çadrore, me ultimatume çadrore, me mosbindje çadrore, me sjellje çadrore, që synojnë rrënimin e shtetit, me politikën shpërfillëse çadrore ndaj diplomatëve e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë, ne vetëm sa e komprometojmë mendjen tonë politike dhe e cenojmë gjasën që na e ka sjellë ky shekull”, ka shkruar Qosja.

Po ua sjellim opinionin e plotë të Qosjes

Si njoftuan mediet e Tiranës, më 26.4.2017, bisedimet e Koalicionit shqiptar, të përfaqësuar prej kryeministrit, Edi Rama, e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Opozitës shqiptare, të kryesuar prej kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, David Mekalister e Knut Flekenshtain, dështuan! Dhe, dështuan sepse Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me çështjet për të cilat do të duhej të bisedonin dy palët, e refuzoi Opozita, domethënë Lulzim Basha. Kryetari i Partisë Demokratike e refuzoi këtë  Draft-marrëveshje, në të cilën përfaqësuesit e Koalicionit, Edi Rama dhe Ilir Meta, i kishin bërë atij një varg lëshimesh, për shkak se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk përfillën ultimatumet e tij, qindra herë të përsëritura, për krijimin e qeverisë teknike, rrjedhimisht, për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit të Shqipërisë dhe shpërbërjen e Qeverisë shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk u kënaq me lëshimet, përkatësisht me dhuratat që ia dhuruan përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Mekalister e Flekenshtain, dhe përfaqësuesit e Koalicionit shqiptar, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ai nuk u kënaq me pozitën e dhuruar të kryetarit të Këshillit Qendror të Zgjedhjeve. Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate!

Ai nuk u kënaq me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, në sajë të të cilave do të ndëshkohen të gjithë ata që blejnë e shesin vota! Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate! Me ato ndryshime mund të dënohen rëndë për shitblerje votash edhe mjeshtrit e Partisë Demokratike e të disa aleatëve të saj të kryehershëm që e kanë ushtruar shumë suksesshëm atë mjeshtëri!

Ai nuk u kënaq me premtimet e dëshmuara me shkrim e me nënshkrime të dy përfaqësuesve evropianë për luftën kundër drogës dhe, rrjedhimisht, për shkarkimet e disa kuadrove policore, që do të bëhen shpejt! Ç’dhurate është kjo për “meritat” politike e kombëtare të Lulzim Bashës! Kurrfarë dhurate është ajo dhuratë që nuk përmban ultimatumet e tij staliniste. Kjo dhuratë mund t’i dalë atij kapuç me mëngë. Ai e di se shtet të drogës Shqipërinë nuk e ka bërë Qeveria e sotme në krye me Edi Ramën. Jo. Shtet të drogës Shqipërinë e kanë bërë krijuesit politikë të Lulzim Bashës: Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij më të përkushtuar! Vetëm në fshatin e madh, në fshatin Lazarat, prodhoheshin atëherë, siç kishin shkruar cinikët evropianë, 4 miliardë e gjashtëqind milion euro drogë në vit!

Ai, Lulzim Basha, si kryetar i Partisë Demokratike, di edhe diçka më shumë për drogën: ai di se ku më pak e ku më shumë, tani e 25 vjet, droga mbillet në gjithë Shqipërinë – në fusha e male, në lugina e kodrina, në fshatra e qytete, në shtëpia e banesa. Dhe e mbjellin bashkëpunueshëm dhe bashkëpërfitueshëm anëtarët e shumë partive, sidomos anëtarët e tri partive të mëdha: të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste për Integrim. Nuk do të mbillej aq lehtë, nuk do të mbillej aq shumë, nuk do të mbillej aq shumë kund, nuk do të korrej e paketohej aq shpejt e nuk do të eksportohej aq lehtë sikur në të gjitha këto punë të mos bashkëpunonin aq shumë duar, aq shumë e shumë duar të ndryshme e të rrjetëzuara partiake, që s’e mbikëqyrin e as vëzhgojnë njëra-tjetrën. E të tjera. E të tjera!

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk mund të kënaqet me të gjitha këto dhurata të dhuruara me Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, për shkak se ai me prodhuesin e tij partiak, Sali Berishën, kanë një dëshirë sipërore, shantazuese e ultimative, që është dëshirë mbi dëshirat, që është kryedëshirë e tyre: ai e dëshiron, ai e ëndërron Kokën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë – Kokën e Edi Ramës? Kjo Kokë përfaqëson qëllimin e tyre, dhe kuptimin e politikës së tyre! Kjo Kokë është kryeultimatumi i tyre. Patologjia e tyre!

Megjithëse mendjeçartur aq sa nuk ua merr mendja atyre djemve e vajzave e atyre burrave e grave që, shpesh fytyrëmvrenjtur, i duartrokasin me ditë të tëra në çadër gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet, thirrjet, britmat, çjerrjet, fjalitë e tij që aq shpesh fyejnë logjikën dhe etikën, ai, Lulzim Basha, e di se me Edi Ramën kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste nuk ka kurrfarë gjasash as sivjet, as pas katër vjetësh, as pas tetë vjetësh, të bëhet kryeministër  i Shqipërisë.

Edi Ramën nuk ma ka bërë nëna, prandaj nuk kam kurrfarë arsyeje shpirtërore ta kem më afër a më larg se Sali Berishën apo Lulzim Bashën. Por, Rexhep Qosja, që nuk njeh aristokraci të trashëguar, që nuk njeh aristokraci të pasurisë, që njeh vetëm aristokracinë mendore, aristokracinë intelektuale, e përkrah Edi Ramën si intelektual, e përkrah për mendjen e tij e për dhuntinë e tij krijuese, sado s’i ka heshtur e s’i hesht disa mospajtime me të në politikë. Dhe, e përkrah sepse ai, me bashkëpunëtorët e tij, po bëjnë shumë përpjekje për ta liruar Shqipërinë prej të këqijave të shumëllojshme me të cilat e ka ngarkuar mentaliteti politik primitiv ende agresiv, po bëjnë shumë përpjekje për ta bërë Shqipërinë shtet të së drejtës, shtet të përgjegjshmërisë sociale, shtet të gjasave të barabarta për të gjithë, shtet në të cilin të gjithë do të kenë dinjitet të pa fyer, të pa nënçmuar e të pa cenuar, shtet në të cilin të gjithë do të jenë njësoj të sigurt dhe njësoj të trajtuar  prej shtetit e prej drejtësisë së tij, shtet njëmend të evropianizuar.

Çadra fatkeqe, provokuese, mosduruese e sulmuese ndaj institucioneve shtetërore shqiptare nuk u ngrit në pranverën e sivjetme vetëm në Tiranë. Çadër e ngjashme kundër Qeverisë së sotme shqiptare në krye me Edi Ramën u ngrit këtë pranverë edhe në tri vende fqinje: u ngrit edhe në Greqi, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, sipas të gjitha gjasave, është njëri prej kryeministrave më të sulmuar prej fqinjëve në historinë njëqind e pesëvjeçare të shtetit shqiptar! Pse jo? Ai është kryeministri që ua tha atyre disa të vërteta të hidhura që s’ua kishin thënë kryeministrat e tjerë shqiptarë.

Sulmet ndaj kryeministrit të sotëm shqiptar më së pari i filloi Greqia, në të vërtetë e djathta e njohur greke e, pas saj, edhe ministri i Ushtrisë greke. E djathta greke me ministrin e saj ushtarak e filloi avazin sulmues ndaj kryeministrit shqiptar për shkak të disa të vërtetave që ai i tha për politikën e sotme dhe politikën e mëparshme të Greqisë, ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve.

As Greqia e djathtë e as Greqia e majtë nuk ishin mësuar që prej kryeministrave shqiptarë t’i dëgjonin disa të vërteta për politikën e saj ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, në mënyrë të veçantë ndaj çamëve!

Shpërndaje në