Nga Bedri Islami-Ky është urdhri më i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj mediave.

Duke iu rikthyer një armiku të vjetër, shefi i qeverisë, si duket, i lodhur nga gjithë ajo mori punësh që synon t’i përballojë fillikat, bën thirrjen më të habitshme për një njeri që median e ka përdorur dhe e përdor gjithë ditën e gjithë natën për dëshirën e tij.

Rama e ka gjetur armikun e tij tek media, megjithëse disa nga pronarët më të fuqishëm të tyre janë miqtë e tij të tavolinave, me të cilët ndan jo vetëm hallet e qeverisë.

Por, nëse deri tani ka synuar t’i nëpërkëmbë gazetarët përmes rrumpallës fjalomane, duke i cilësuar kazan, apo kadri, tashmë kërcënimi ka arritur në një stad më të lartë, thuajse më të lartin e mundshëm: të qepin gojën.

E bën këtë në një kohë të pazakontë, ku faji nuk është vetëm i tërmetit, por edhe i shtetit.

Edhe i atyre që nuk u ndëshkuan kurrë për shembjen e themeleve shtetërore, edhe të këtyre që vijuan shembjen dhe qeverisin tani,

Media nuk është pronë qeveritare e aq më pak pronë e shefit të qeverisë.

Ky mund ta blejë, siç ka bërë, shumicën dërmuese të saj, por nuk ka asnjë të drejtë të sillet si po sillet me gazetarët.

Pronarët e mediave sot janë ndër ndërtuesit më të përhapur, e, megjithëse kjo nuk ka asgjë të paligjshme, përsëri, vetë ajo që po ndodh me godinat e goditura nga tërmeti, ka të bëjë edhe me to.

Bashkim Ulaj është pronar mediesh, por mbi të gjitha ndërtues.

Është i njëjti që, përmes një adoleshenti sportelist synoi të marrë tinëzisht një tender të rëndësishëm në Unazën e Madhe dhe që po ashtu po bëhet gati të kapë një ndërtim autostrade, ku, nga të gjitha raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, abuzimi është i hapur!

Por Bashkim Ulaj është mik i afërt i shefit të qeverisë, po aq sa ishte mik i ish shefit të qeverisë dhe familjes kryeministrore Berisha.

Vetëm ndërhyrja e një shefi të fuqishëm mund të mbyllë dy afera të mëdha, pas së cilave, me një spekulim spektakolar, sipas “Zërit të Amerikës, ishte pikërisht zoti Ulaj.

Tani Ulaj duhet të qepë gojën. Si kanë ndodhur gjërat ai duhet të ketë mbyllur shumë gojë!

Aleksandër Frangaj është pronari më i madh i mediave shqiptare, por edhe ndërtues.

Mendohet se pas firmës që fitoi tenderin e habitshëm dhe “mbresëlënës” për nga çmimi, është pikërisht një njeri i lidhur me të.

Me zotin Frangaj, jo një natë po, një jo, shefi i qeverisë takohet rregullisht.

Të qepë gojën Frangaj? Atëherë cilat media do i bëjnë jehonë vizitave të tij?

Dulaku është pronar medial dhe ndërtues. Ndoshta më i larguari nga tutela qeveritare, por gjithsesi është i varur prej tyre. Sepse qeveria jep tenderë, jep sheshe ndërtimi, jep lejet, të hapë rrugën ose ta mbyllë atë.

Ta qepë gojën Dulaku dhe të heshtë Vizion Plus edhe kur shefi i qeverisë bën sikur është zot i këtij vendi?

Thuaj të gjithë pronarët medialë janë ndërtues, disa prej të cilëve edhe miq të Edi Ramës.

Një gazetar i zakonshëm, në terren ose jo, që jeton me pagat e ulëta, të cilat ose nuk i paguhen në kohë ose i shkurtohen sipas qejfit të pronarit, nuk përbën më lajm.

Për tutelën ndaj tyre nuk ka folur asnjëherë shefi i qeverisë dhe as qeveritarët afër tij.

Ata e dinë se një gazetar, sado i zoti të jetë, nuk e bën dot vijën editoriale të një media, vizive apo në print.

Atë e bëjnë shefat dhe vetëm shefat.

Ata nuk i bën dot Edi Rama të qepin gojën.

Ata, kur t’u interesojë, do e bëjnë Ramën të qepë gojën.

Sepse aleanca mes tyre është më e fuqishme se autoriteti në rënie i një shefi qeverie.

Është e vërtetë se media të ndryshme, në këto ditë të jashtëzakonshme, e kanë tepruar duke luajtur me panikun, duke kërkuar të shëmtuarën, duke marrë pozën e një të gjithëdituri, duke u futur në kanalet e lajmit të zi, po pa e sjellë të bukurën, që, edhe në këtë mizori, ka ndodhur.

Është e vërtetë se media të ndryshme ndjellin të keqen, por askush nuk i detyron ata të qepin gojën.

As edhe një urdhër kryeministror.

Qeveria i bën ata të qepin gojën, nëse sjell transparencë, e jo nëse fton në mbledhje qeveritare, në njërin kreh personifikimin e një djali të ndershëm dhe në krahun tjetër një spekulator të dhimbjes që bëhet pronar spitalesh.

Qeveria mbyll gojën e medias nëse ajo hap të gjitha sekretet e mbledhjeve, të gjithë enigmat dhe vendos në krye të punëve njerëz të panjollosur në të shkuarën dhe, në këtë qeveri, ka plot të tillë, që nga rangjet e larta dhe deri tek zyrtarë të nivelit të mesëm.

Shumë vetë do të ishin më të lehtësuar nëse shefi i qeverisë e shpërndan përgjegjësinë dhe punët nëse ai sjell frymë përbashkuese dhe jo arrogancë meskine; nëse ai u hap rrugë vartësve të tij dhe jo t’i verë ata në pozitën e të nënshtruarit.

Përse mediat duhet të qepin gojën?

Të mos dëshmojnë se, nesër, një ditë të ardhshme, jo shumë të largët, mund të ketë abuzime? Duhet të jesh naiv të besosh se këto qeveritarë, shumë nga të cilët janë pjesë e skandaleve, do të dalin me duar të pastra nga gjithë ajo që do të ndodhë!

Duhet të jesh naiv të besosh se komitetet shtetërorë, qofshin kombëtare a jo, do të përbëhen vetëm nga njerëz të ndershëm dhe personalitete të shquara!

Media është aleati më i madh i një qeverie të ndershme dhe armikja e shpallur e një qeverie korruptive.

Përgjithësisht është pushteti i katërt, por, kur, në këtë vend njihet vetëm një pushtet, ai kryeministror, media është fuqia e dytë, që, sa është mbështetëse, është edhe kontrolluese.

Media nuk mund të qepë gojën.

Janë të tjerë ata që duhet të heshtin dhe të punojnë ndryshe!

Shpërndaje në


13 December 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget