Pse ASHA e Kosovës heshtë për Prof. Dr. Ruzhdi Ushakun?

  • Letër e hapur Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Të nderuar Akademikë,
Ne një grup ish-studentësh të profesor Ruzhdi Ushakut pyesim me të drejtë:
Pse Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku nuk është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës? Çfarë kriteresh keni ju, të nderuar Akademikë, për zgjedhjen e antarëve të Akademisë?

Të vetëdijshëm se Profesor Ushaku nuk është as i “bajrakut” të Dukagjinit, as të Drenicës, as të Llapit, as të Anamoravës, as i Lugines së Preshevës, as komandant e as përkrahës i asnjë partie apo grupacioni politik, nuk na befason edhe aq kriteri i juaj i përzgjedhjes.
Poqëse Akademitë e Shkencave dhe Arteve të popujve të mëdhenj do ta kishin pasur fatin ta kishin në mesin e vet një shkencëtar si Profesor Ushaku, çmimi Nobel do të ishte shumë shpejt i arritshëm për të. Në një bisedë me studiusin francez, zotëriun François le Cardinal, njohës i mirë i rrethanave në Kosovë dhe Shqipëri dhe poashtu njohës i punimeve shkencore të Prof. Ruzhdi Ushakut, ai patë dhënë vlerësim meritor për profesorin: “Ah oui, il est un vrai scientifique”, E po, ai është një shkencëtar i vërtetë.
E ju të nderuar Akademikë? Ndoshta prisni që Profesor Ushaku të përfundoj ciklin jetësor e pastaj të dilni me kumtesë se e keni pasur mik, dhe se keni bashkëpunuar me të?

Ta dini të nderuar Zonja dhe Zotërinj Akademikë, ne jemi shumë të zhgënjyer me ju.

Në emër të një grupi ish-studentësh të Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut me qëndrim në Zvicër

Prof. Bajram Mehmeti
Zonja, Zotërinj Akademikë të Kosovës,

Vlerësimet e poshtëshënuara nuk duan koment.

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku është një nga vlerat më të çmuara të Kombit Shqiptar. Sa për freskimin e njohurive tuaja, po e përsërisim biografinë e shkurtë të Profesor Ushakut.

Ruzhdi Ushaku*

Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore tetëtëvjeçare e kreu në vendlindje ku u pat shpallur nxënësi më i mirë në komunën e Ulqinit (viti 1950). Normalen e kreu në Prishtinë në vitin 1957 me ç’rast si nxënës shembullor i kësaj shkolle qe liruar nga i quajturi provimi i matures. Si absolvent i Fakultetit Filozofik të Sarajevës qëndroi me qëllime perfeksionimi dhe studimi 14 muaj në Paris (1962/63), me ç’rast kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge duke iu lëshuar e quajtura Diplôme Supérieur d’Etudes Françaises Modernes. Një vjet më vonë (1964) u diplomua në Degën e romanistikës (Gjuhë dhe letërsi frënge me gjuhë latine dhe gjuhën italiane si gjuhë ndihmëse) të Fakultetit Filozofik të Sarajevës.
Gjatë studimeve në Paris ishte student i dalluar për çka dëshmon vlerësimi i suksesit në diplomë dhe si i tillë edhe në Sarajevë ishte demonstrator për studentët e vitit I dhe II në Degë dhe një vjet kryetar i Klubit të Romanistëve.
Ka shërbyer 1 vjet mësues në fshatin Krythë të Ulqinit, profesor i gjuhës frënge dhe asaj latine në gjimnazin e Gjilanit (1965-1969), bashkëpunëtor profesional në Bashkësinë Krahinore të Kulturës, asistent në Seksionin e Historisë së Kulturës Kombëtare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në fillim bashkëpunëtor i jashtëm i Fakultetit Filozofik të Prishtinës (1969/1970), ku ka ligjëruar gjuhën latine. Prej vitit 1971 mësimdhënës i gjuhës frënge, një kohë edhe të asaj latine në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të porsaformuar pranë Fakultetit Filozofik (tashti atij të Filologjisë), ku prej vitit 1985 zgjidhet profesor ordinar. Si i tillë pensionohet në vitin 2003, duke qenë gjithnjë i angazhuar në procesin mësimor deri më 2008, në studimet trevjeçare dhe ato të masterit, ku ka ligjëruar gjuhën frënge, latine, përkatësisht disa lëndë në studimet master si në nivelin e Degës së vet ashtu edhe në nivelin e Fakultetit. Ka mbajtur ligjërata nga gjuha latine për studentët e Farmacisë (4 vite) në Fakultetit e Mjekësisë në Prishtinë, kurse gjatë vitit akademik 2006/2007 ka mbajtur mësim në Degën e Anglistikës të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në vitin 1968/69 regjistrohet në studimet pasuniversitare (drejtimi shkencor) në Seksionin e Romanistikës të Fakultetit të Filologjisë të Beogradit ku, më 10.XII. 1972, mbron me sukses të dalluar temën Shprehjet idiomatike në tekstet bashkëkohore serbokroate për gjuhën frënge. Po në këtë Fakultet, në qershor të vitit 1979, mbron me sukses të lartë disertacionin e doktoraturës me temë Fjalitë hipotetike me SI në gjuhën bashkëkohore letrare frënge.
Veprimtaria shkencore e profesionale: Përveç punës së tij të rregullt në procesin mësimor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, R. Ushaku ka ushtruar funksione të rëndësishme në organet mësimore-shkencore të Fakultetit dhe të Institutit Albanologjik ( ku në periudhën 1982-1984 ishte anëtar i Këshillit Shkencor), kurse gjatë viteve 1989-1991 gjendej në funksionin e kryetarit të Këshillit Mësimor-Shkencor të Universitetit të Prishtinës, funksion ky prej të cilit u shkarkua me dhunë në fillim të prillit të vitit 1991. Gjatë dy mandateve ka qenë kryetar i Degës Gjuhë dhe Letërsi Frënge të Fakultetit të Filologjisë të Prishtinës viti 1980/81 dhe 2000-2003.
Me punë krijuese, e më vonë edhe kërkime shkencore ka filluar të merrej në fillimin e viteve gjashtëdhjeta. Për këto qëllime edhe ka qëndruar disa herë në botën e jashtme si bursist i Qeverisë Frënge (1972/73, 1985, 1998, 2000), i Qeverisë Italiane (Venecie 1983), Shqipëri (1975), pastaj në kërkime individuale në Gjermani (1998, 2000), dhe në republikat e ish-Jugosllavisë.
Ka mbajtur ligjërata në vend dhe në botë, prej të cilave vlen të ceket ajo Structures parallèles lexico-sémantiques des locutions en français-italien-albanais-serbocroate (Strukturat paralele leksiko-semantike të lokucioneve në gjuhën frënge-italiane-shqipe e serbokroate) me ftesën e prof. R. L. Wagner-it më 18.05 1973 për asistentët dhe mësimdhënësit e Ecole des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës. Ka mbajtur edhe disa ligjërata apo referime shkencore në Seminarin Ndërkombëtar për GJLKSH për të huaj në Prishtinë e Tiranë (1987, 1989, 1990, 1996, 2000). Ka qenë i ftuar në Tiranë në vitin 1981 për të mbajtur ligjëratën me titull Sistemet hipotetike me SI në gjuhën frënge dhe barasvlerësit e tyre në gjuhën shqipe (nuk është realizuar për shkak të gjendjes politike pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë), kumtesë kjo e prezantuar më vonë në një kongres të gjuhësisë së aplikuar në Sarajevë më 1983.
Ka marrë pjesë me kumtesa apo prezantuar rezultate shkencore në shumë kongrese, simpoziume e tubime të ndryshme shkencore me karakter vendor e ndërkombëtar, prej të cilave po i shënojmë disa: Prishtinë (1973, 1974, 1977, 1978, 1980, 1982, 1983,1884, 1985,1986, 1987, 1988, 1990,1997,1997, 1998, 1999, 2000 e tutje), Dubrovnik (1979), Hvar (1982), Sarajevë (1983), Helsinki (1985), Zagreb (1985, 1988), Herceg-Novi (1986), Sofje (1989), Lubjanë (1989), Sokobanjë-Beograd (1989), Plitvice (1990), Tiranë (1992, 1996, 2004), Ulqin (1995, 2005, 2011, 2012), Shkodër (1998, 2000, 2005, 2008), Tuz (1998), Durrës, prill 2011 e ndonjë tjetër.
Veprat e tij të deritashme janë botuar në gjuhën shqipe, serbokroate, kryesisht të shoqëruara me versione të shkurtra në gjuhën frënge ose angleze, kurse punimet e tij kryesisht në gjuhën shqipe, serbokroate (shpesh me përmbledhje në gjuhë botërore), si dhe në gjuhët frënge, angleze, gjermane japoneze. Ato në gjuhën shqipe e serbokroate janë kryesisht të shoqëruara me përmbledhje në gjuhë botërore, frënge, angleze apo gjermane.
Ka bashkëpunuar me revista në vend dhe jashtë, si autor, anëtar i redaksive apo këshilltar gjuhësor i ndonjërës prej tyre, siç janë ato: Gjurmime albanologjike, Onomastica Jugoslavica, Studime filologjike, Studia albanica, Kultura popullore, Studia philologica, Stremljenja, Përparimi, Fjala, Enciklopedija Jugoslavije (botimi në gjuhën serbokroate dhe shqipe), Jehona, Flaka e vëllazërimit, Gjuha shqipe, Buletini i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, Filologji-Philology të Fakultetit të Filologjisë-Prishtinë, Art-Club, Lemba, “Buzuku”, Dija Ulqin, Malësia-Podgoricë, Orana-Shkodër, Shkodra në shekuj-Shkodër, SNGJLKSH Prishtinë-Tiranë dhe në botime të tjera të veçanta të JAZU-Zagreb, ASH të Shqipërisë dhe ASHA të Kosovës e ndonjë tjetër. Është marrë, edhe pse jo intensivisht, edhe me përkthime a adaptime të teksteve shkollore të gjuhës latine dhe asaj frënge, si dhe me përkthime të poezive, eseve, fejtoneve, tregimeve, novelave, dramave nga gjuha frënge, italiane, serbokroate. Ka përkthyer nga gjuha frënge një vepër vëllimore me titull Le Prophète de l’Islam (Muhammedi A.S. Jeta v. I dhe vepra v.II) nga autori Muhammad Hamidullah, vepër që gjithsej kap rreth 1000 faqe të formatit A4 në botim të Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2011.
Ka qenë mentor i një kandidati-magjistri në Fakultetin e Filologjisë të Beogradit (mbrojtja më 03. XII 1982), anëtar i dytë i një komisioni për mbrojtjen e një doktorature në Fakultetin e Filozofisë të Sarajevës (mbrojtja më 01.VIII. 1988). Ka formuar si mentor disa doktorë të shkencave filologjike në Prishtinë (1997, 2006), 2 magjistra në Prishtinë (2000, 2005) dhe ka qenë anëtar i disa komisioneve për mbrojtjen e magjistraturave dhe doktoraturave në Prishtinë (1980, 1990, 1996, 1998, 2000 e këtej). Ishte bashkëmentor i një kandidati për doktor të shkencave filologjike në Paris (mbrojtja: 25 maj 2001), dhe në vazhdim mësimdhënës-mentor në studimet MASTER në Prishtinë.
Ka mbajtur ligjërata studentëve të shkallës së III në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Për herë të parë, në vitin 1990, ka qenë i propozuar nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Filologjisë kandidat për anëtar të ASHA të Kosovës.
Aktualisht është anëtar aktiv (i rregullt) i Akademisë Evropiane të Arteve (Académie Européenne des Arts) me seli në Belgjikë (Leuze).
Me ftesën zyrtare nga Departamenti i Frëngjishtes të Universitetit 8 të Parisit, për një qëndrim njëmujor gjatë dhjetorit 2000, R.Ushaku ftohet të mbajë edhe dy ligjërata (Shkresa e datës 25 tetor 2000 e nënshkruar nga përgjegjësi i Departamentit, zotëriu Christopher Lucken, si dhe ajo e datës 18 janar 2001, e lëshuar nga Universiteti i Parisit 8 –Vincennes Saint-Denis). Ligjërata me titull Les traces de la langue et de la culture albanaises dans le roman de Florimont d’Aimon de Varennes (XIIe s.) është mbajtur në Université de Paris 8 Vincennes Saint-Denis, më 20 dhjetor 2000, kurse ajo me titull La traduction du poème “Les Djinns” de Victor Hugo en albanais et les problèmes de la traduction littéraire në Université de Paris 3 – Sorbonne Nouvelle, më 21 dhjetor 2000. Në vijim, profesor Ushaku, me një shkresë zyrtare të 14 qershorit 2001, u ftua për të marrë pjesë në konferencën e historisë dhe filologjisë shqiptare në Ecole des Hautes Etudes –Sorbonne (nuk u realizua për shkaqe objektive).
Në kohët e mëvona (10 prill 2008) mbajti ligjëratë shkencore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Më 25 maj 2001 ishte në Paris (INALCO-Sorbonne Nouvelle) si bashkëmentor në komisionin për mbrojtjen e tezës së doktoraturës me titull “La place de l’adjectif épithète dans le groupe nominal en français et en albanais” të kandidatit mr. Mehdi Halimi (krahas mentorit, zotëri Jack Feuillet dhe anëtarëve Pierre Martinez, profesor i Université Paris VIII dhe Claude Müller, profesor i Université de Bordeaux).
Gazeta Kronika që del në Malin e Zi në gjuhën shqipe, e shpalli personalitet të vitit 2001, kurse Shoqata e artistëve dhe intelektualëve Art Club nga Ulqini e shpalli laureat të Shpërblimit vjetor të Art Club-it për vitin 2002 (informata në Koha javore e 9 janarit 2003 me titull Ruzhdi Ushaku laureat i shpërblimit vjetor, si dhe gazetat Bota sot, Zëri, Epoka e re etj.).
Ndërkaq, në vitin 2003, me rastin e kremtimit të 65 vjetorit të lindjes dhe 40 vjetorit të punës krijuese –shkencore, OJQ-të e Ulqinit e propozuan të shpallet QYTETAR NDERI të Ulqinit. Këto ngjarje u shënuan në mediat e shkruara dhe elektronike në emisione speciale në TV Podgorica, TVT. Intelektuali ulqinak Ali Llunji realizoi një emision dokumentar me titull Majave të shkencës kushtuar R. Ushakut (u emetua disa herë në programet e RTK-së prej 13 tetorit të vitit 2005, dhe në TV TEUTA të Ulqinit. Më vonë këtë do ta bënte edhe mr. Haxhi Shabani për TV e Podgoricës emetuar në tetor-nëntor 2006, Mustafë Ferizi për RTK-në e ndonjë tjetër. Më 26 nëntor të viti 2011, nga Federata Ndërkombëtare për Paqë mori mirënjohjen AMBASSADOR FOR PEACE.
II V e p r a t: 1. Kërkime filologjike, Prishtinë, Rilindja, 1981, 277 f.
2. Hipotetične rečenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova -Les propositions hypothétiques introduites par SI dans des textes littéraires en français contemporain ( Fjalitë hipotetike me lidhëzën SI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare botar në serbokroatisht dhe version përmbledhës në gjuhën frënge), Priština, Filozofski fakultet-Prishtinë, Fakulteti Filozofik, 1983, 226 f.
3. Paralele të ligjërimit poetik. Kërkime dhe trajtime gjuhësore (Parallèles du langage poétique-Recherches et traitements linguistiques), Prishtinë, Rilindja, 1986, 232 f.
4. Ulqini në gjurmët e shekujve, Ulqin, Art Club, 1991, 189 f. 5. Hulumtime etnolinguistike (Ethnolinguistic researchs), Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë-Faculty of Philology-Prishtina, 2000, 271 f. 6. Veprimtaria shkencore e prof. dr. Ruzhdi Ushakut, Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2003, 126 f. 7. Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Prishtinë,Fakultetit i Filologjisë-UP, 2006, 213 f. Ulqini nga dritaret e kohës, ( me bashkautorin Jusuf Lika), Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2006, 422 f. Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi,Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2010, 337 f. N.B. Brenda këtij libri më të ri, shih e krahaso edhe shkrimin Ali Llunjit Prof. dr. Ruzhdi Ushaku krijues i etnicitetit kombëtar (f. 313-333), ku gjenden edhe disa vlerësime më të vona për veprën e R.Ushakut. Për vlerat e këtij libri kanë shkruar Prof. dr. Moikom Zeqo dhe Dr. Sabina Osmani në gazeta e revista të ndryshme dhe faqet e internetit.

ZGJIDHET ENIGMA E DY FRAZAVE NGA SHEKULLI V PARA ERËS SË RE
Postuar më 29. Nëntor 2015
Prof. Dr. Halit Halimi
Vlerësim lidhur me studimin e Prof. dr Ruzhdi Ushakut “ Shqipja si çelës për dy fraza enigmatike nga “Zogjët” e Aristofanit” ( shek.V p. e. re)/
Nga Halit HALIMI*/
Me kurreshtje profesionale-shkencore dhe vemendje të veçantë, e lexova dorëshkrimin e studimit sensacional të Prof. dr Ruzhdi Ushakut, ish mësimdhënës eminent i Universitetit të Prishtinës dhe studiues-filolog i spikatur në fushën e filologjisë krahasuese.
Në veprat dhe studimet e tij të përimta pararendëse, ky punues shkencor na ka befasuar

shpesh me vepra dhe studime cilësore, me teza dhe arritje të reja, më pak të njohura ose të panjohura, që kanë pare dritën edhe në disa gjuhë të huaja.
Me këtë rast, do t’i veçoj disa vlerësime për këtë studim të tij ekskluziv, më të ri, që do të tërheqë padyshim vëmendjen dhe interesimin e lexuesit shqiptar dhe të huaj.
Në komedinë “Zogjtë” të Aristofanit ( shek. V p.e. re), personazhi Tribal përdor dy fraza enigmatike të shënuara me shkronja të alfabetit grek të asaj kohe por të pakuptueshme për greqishten.
Që nga ajo kohë e këtej, përkthyesit, përkatësisht studiuesit e ndryshëm janë marrë thuajse sipërfaqësisht me këto fraza, në shikim të parë të parëndësishme, kurse faktikisht me rëndësi të jashtëzakonshme për gjuhësinë ballkanike dhe më gjërë.
Dietarët dhe përkthyesit që janë marrë sadopak me këtë çështje të imponueshme ndahen në dy kategori:
Ata që janë munduar të gjejnë një kuptim të supozuar sipas kontekstit,
Dhe të tjerët duke bërë transkriptimin e tyre shkronjë për shkronjë, në alfabetin latin.
Zbërthimi ritmik i frazave NABAISATREU dhe SAUNACA BA CTARI CRUSA ( sa u na ka baktari krusa) është bërë në variante të ndryshme, e para 3-4 gjymtyrë, kurse e dyta prej 2-4, por pa shpjegime të gjymtyrëve në nivelin leksikor dhe gramatikor.
Studiuesi Ushaku, në dallim prej atyre të deritanishëm e zbërthen frazën e pare në gjashtë njësi ( NA BA-I –SA- TRE-Y )dhe të dytën në tetë / SA-Y-NA-KA-BA-KTA-ARI-KRUSA/ sqaruar apo shoqëruar me interpretimin leksiko-gramatikor të secilës njësi dhe me reference kontekstuale dhe qasje inter dhe multidisciplinare.
Pikënisja e tij është transkriptim I sigurtë në sinkroni dhe reflekset e më vona diakronike me alternanca e metateza përkatëse dialektore dhe të shqipes së shkruar prej Mesharit e këtej.
Koncepti metodologjik-shkencor i Ushakut është i llojit të vet, ku ceken edhe rrethanat historiko- shoqërore të asaj kohe, duke mbajtur parasysh poliseminë. Autori përdor edhe logjikën e eliminimit të shpjegimeve më pak bindëse, dhe qoftë edhe atyre intuitive duke pasur gjithnjë parasysh vokabularin bazik të jetës dhe koncepteve të kohës, me një strukturë arkaike.
Fjalitë e cekura të transliteruara në formën e shqipes së sotme dalin si vijon: 1. Na bani
( kushtoi) sa për tri hise, kurse 2. Sa na është ( âshtë) bâ ( sa na ka kushtuar) kjo brinoke në ari).
Profesor Ushaku, i cili me modesti këtë punim e quan sprovë i le shumë gjëra pa u thënë në mënyrë që të mbetet vend për një botim më të plotë me shpjegime edhe më të përimta, gjithnjë duke pritur fjalën e shkencëtarëve kompetentë dhe duke sfiduar përpjekjet e të tjerëve për ta pranuar apo kundërshtuar tezën e tij në favor të ndonjë të vërtete tjetër, më bindëse dhe më të argumentuar.
Deri më sot, nuk dimë për ndonjë rast zbërthimi apo interpretimi jo vetëm të fjalive në vështrim, por përgjithësisht që të jetë kushtuar kaq hapësirë dhe shpenzuar aq mund për të dalë në këtë rezultat.
Rëndësinë e këtij studimi mund ta kuptojnë vetëm ata profesionistë që do ta lexojnë dhe rilexojnë me vëmendje absolute horizontalen dhe vertikalen e këtij interpretimi, me kokë të ftohtë, pa eufori dhe paragjykime, duke vlerësuar edhe mundin dhe përpjekjen për ndriçimin e të vërtetës shkencore.
Për mendimin tim, kemi të bëjmë me një studim të përimët profesional-shkencor, me qasje interdisciplinare filologjike dhe multidisciplinare të shkencave të tjera.
Rrjedhimisht, shpjegimet dhe rezultatet e tij janë bindëse dhe të argumentuara mbi bazën e qëndrueshme të metodologjisë shkencore.
Si recensues , me kompetencë profesionale prej fonetikani dhe filologu, mbaj parasysh zbatimet universale si dhe ato specifike të dialektit gegë. Shpreh bindjen time të thellë se kemi të bëjmë me një studim shumë serioz, në rend të parë me pikënisjen e transkriptimit fonetikisht të bazuar, si dhe ritmikës dhe zbërthimit të frazave në gjymtyrët përbërëse. Frazat në fjalë kënaqin kriteret e ritmit arkaik ku mbizotërojnë fjalët njërrokëshe, kuptimplote në aspektin leksiko-semantik dhe funksionale në aspektin gramatikor – sintaksor. Shprehimisht me leksik dhe sintaksë arkaike, si të tilla, këto fraza inkuadrohen në kontekstin dhe intertekstin kuptimor të zhvillimit të ngjarjes së caktuar, që përshkruhet në komedinë”Zogjtë” të Aristofanit.
Jam i bindur se, falë koncepteve më të avancuara të metodologjisë shkencore, kultures së gjërë dhe të thellë filologjike, aftësisë analitike të gjithanshme të autorit Ushaku, ky studim-zbulim ka gjasa shumë të sigurta që, në thelb dhe përgjithësisht, të jetë i pranueshëm madje i pranuar nga shkenca bashkëkohore, besojmë edhe e nesërme.
* ( Autori H. Halimi është doktoruar në Sorbonë për fonetikë eksperimentale dhe fonologji, me vështrim të veçantë në dialektin gegë. Ka botuar disa vepra gjuhësore , përfshirë këtu edhe disertacionin e doktoratës në gjuhën frënge.)

Basri Çapriqi
„ Akademia e Shkencave dekoron Ruzhdi Ushakun
Vlerësohet opusi shkencor i profesor Ruzhdi Ushakut
Mirënjohja me të cilën Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka dekoruar Profesor Ruzhdi Ushakun është një gjest akademik me të cilën ky institucion i lartë i shkencës shqiptare vlerëson punën shumëvjeçare e tejet me vlerë të një shkencëtari të palodhur nga fusha e filologjisë e të albanologjisë.

Unë që e kam përcjellë me vëmendje punën kërkimore shkencore të profesor Ushakut e që shpesh kam pasur privilegjin të thellohem bashkë me të në argumentime gojore që ai i bënte me shumë pasion secilit kërkim të ri e secilit rezultat të ri shkencor, kam arsye shtesë të përgëzoj këtë gjest të Akademisë si një hap intelektual e akademik me ç’gjë vlerësohet një kontribut me vlerë për shkencën shqiptare për të cilin jam shumë i sigurt se tashmë ka hyrë në fondin e artë të dijes e të shkencës kombëtare.
Shkencëtarët si prof. Ushaku nuk marrin shumë dekorata e mirënjohje për punën e vetë. Ambienti ynë kulturor e intelektual që është i prirë të vlerësojë jovlerat e të zhvlerësojë vlerat e njëmendta e ka të vështirë të vërejë e të njohë punën e një kërkuesi modest në jetë por me shumë durim e invencion të madh në punën e tij shkencore sic është rasti i profesor Ushakut.
Shkencëtarët si Ushaku nuk lejojnë me asnjë çmim që të devijojnë, tjetërsojnë, instrumentalizojnë të vërtetën shkencore e as që lejojnë t’i nënshtrohen audiencës parashkencore me pritshmëri pragmatike të momentit.
Prandaj edhe çmimet e vlerësimet për ta janë të vona por kanë peshë të madhe për intelektualin që ka durimin të presë duke kaluar këtë rrugë të vështirë pa u ndikuar nga pritshmëritë që kërkon audienca që nuk njeh argumentin shkencor por do me çdo kusht rezultate pseudoshkencore që kanë të vetmin synim kënaqjen e pritshmërisë momentale të audiencës agresive parashkencore.
Fusha ku kërkon Prof. Ushaku me decenie të tëra është një fushë e pashkelur, shumë e hershme, një terren shkencor ku argumenti do gjetur me kërkime të detajuara që shpesh kapin periudha të tëra kohore ku dominon terri i dendur mbi dijen e mbi shkrimin.
Me një kulturë të pasur e të gjerë filologjike, me njohjen e shumë gjuhëve klasike e moderne prof. Ushaku ka arritur të hedhë dritë në terrene të pandriçuara më herët nga shkenca shqiptare po edhe ajo ballkanike. Ata që duan të thellohen në terrenin filologjik e kulturor të vazhdimësisë iliro – shqiptare, opusin shkencor të këtij shkencëtari me kredo të lartë shkencore do ta kenë ndihmesë të madhe e me vlerë.
Mirënjohja tjetër që profesor Ushakut i jepet nga Kuvendi i Ulqinit është një gjest qytetarie që i jepet njeriut i cili gjithë karrierën e tij intelektuale e shkencore e ka lidhur me lashtësinë e këtij qyteti, me pasurinë kulturore e shpirtërore të tij.
Kjo mirënjohje që vjen me një vonesë 25 vjeçare do kishte mbërritur edhe më herët nëse shkencëtari i pasionuar pas të vërtetës e pas argumentit do ta instrumentalizonte punën e tij intelektuale për interesat e momentit që kërkojnë gjykime arbitrare, pseudoshkencore, për të kënaqur e rehatuar instrumente që s’ kanë të bëjnë me të vërtetën shkencore por me dokrra pseudo-patriotike”.

Shpërndaje në