Përveç ankesave që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i shprehu në takimin me nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, ai, në një fjalim para rreth 6000 qytetarëve në Mitrovicë të Sremit të Vojvodinës volli vrer kundër miratimit të Platformës për dialog të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Mediat në gjuhën shqipe raportuan për fyerjet që presidenti i Serbisë u adresoi politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe atyre të BE-së. Megjithatë, revolta e Aleksandar Vuçiçit lidhur me platformën që miratoi Kuvendi i Kosovës del hapur në fjalimin e tij të mbajtur në Mitrovicë të Sremit.

E shoh me interes që lexuesi shqiptar të njoftohet më gjerësisht rreth këtij fjalimi. Për këtë arsye kam bërë përkthimin e pjesëve që më janë dukur më domethënës dhe që nxjerrin në shesh se ku i djeg Serbisë!

Ndër të tjera ë këtë fjalim Presidenti i Serbisë AleksandarVuçiq thotë:

“Të dashur miq. Dje ka ndodhur diçka e rëndë; shqiptarët kanë sjellë platformë! Ju lus që të dëgjoni se çka shkruhet në atë platformë. Kanë sjellë Platformë… Kam menduar se pafytyrësia ka kufij, por dje kam kuptuar se pafytyrësia nuk ka fund!

Në atë platformë kanë shkruar se ne duhet të njohim pavarësinë e tyre, ta njohim menjëherë! Madje as kjo nuk u mjafton! Ta njohim në kufijtë e sotëm të Kosovës që ata të mund të na njohin një ditë dhe të na i falin një ditë të gjitha mëkatet. Ky është vetëm parakusht, që ne të tregojmë shenja besueshmërie që ata të kenë më shumë besim te ne, që të mund ta pranojnë Serbinë! Paramendoni veprojnë sikur ne të mos ishim shtet dhe sikur na ka mbetur që ata të na njohin!Dhe për këtë arsye flasin për njohje reciproke. Sikur të mos ishte  e pikëlluese do të kishte qenë qesharake. Kjo i bie sikur ne presim që ata të na njohin neve, që na njeh krejt bota, neve që jemi themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Na flasin se si është mirë që të ketë njohje reciproke!

Dhe kjo është cikërrimë në krahasim me atë që vijon.

Ata thonë se Serbia duhet të përgjigjet për krimet seksuale të kryera ndaj shqiptareve! Pastaj thonë se Serbia dhe serbët duhet të përgjigjen për të gjitha krimet tjera që janë kryer ndaj shqiptarëve, dhe ne me të gjithë këto kërkesa duhet vullnetarisht të pajtohemi! Të krijohet një gjykatë e veçantë  për krimet që kanë kryer serbët. Edhe kjo nuk është e mjaftueshme! O njerëz, do të duhet t’u paguajmë dëmshpërblimet e luftës, ndoshta për arsye se kanë bërëndarjen e dhunshme të një pjese të territorit tonë përmes agresionit që ka kryer Pakti NATO; ndoshta për këtë do të duhet t’u paguajmë dëmshpërblime lufte.Dhe e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme! Do të duhet të plotësojmë edhe pesë kushte të tjera që ata, të “mëdhenjtë e kësaj bote”, jo ta harrojnë, por të na e falin, dhe ata të na njohin në një moment të caktuar! Dhe kur i shihni të gjitha këto ju e kuptoni se shqiptarët kanë sjellë vendim që të mos ketë dialog! Kanë sjellë vendim që të mos ketë kurrfarë bisedimesh! Dëshira e tyre është ta ulin sa më pushtë Serbinë!

Kemi dashur kompromisin dhe gjithmonë e kemi kërkuar. Edhe sot themi se dëshirojmë kompromis, por për atë që të shkatërroni Serbinë, ta asgjësoni Serbinë, ta shkelni Serbinë nuk do të mundni as ju, siç nuk kanë mundur edhe shumë më të fortë se ata të Prishtinës që janë përpjekur në qindra vjet para tyre…Po u them se nuk ka më “Oluja”! Nuk ka më “Blesak”! (Këtu aludohet në ofensivat kroate që çliruan përfundimisht çdo pjesë të Kroacisë që mbahej nën okupimin serb). Dhe e di mirë se çka ju them kur shqiptoj këto fjalë! Dhe ju bëni llogaritë mirë! Bëni llogarit mirë dhe përpiquni të luani! Ne nuk do ta ngucim askënd! Asnjëherë nuk do të provokojmë asnjë konflikt! Por do të kërkojmë paqe dhe do të kërkojmë bisedime! Ndërsa ju kur të hiqni platformën tuaj dhe kur do të hiqni taksat e juaja, atëherë mirë se vini në bisedime, pa marrë parasysh se çfarë rrenacakësh jeni!”

Mendoj se ky fjalim e nxjerr sheshit pse Serbia nuk është e gatshme të hapë një kapitull të ri në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti!

Për të interesuarit që të dëgjojnë fjalimin në tërësi:

https://informer.rs/vesti/politika/424334/foto-video-vucic-razvalio-siptare-bando-pristinska-sada-uzmite-papire-sikter-srbija-vam-zahteve-nikada-ispuniti-nece?fbclid=IwAR0xoD4JGSjOljB28Z3OoMhjiKVlUCjIeZyAdQDvjDoPPvmti9CLliGGQ3Y#.XIKcK4UTpuc.facebook