Shënjestra e amerikanëve për të dërguar pas hekurave pushtetarët e korruptuar, duket se po kthehet drejt Tiranës. SPAK po ngrihet dhe sinjalet janë të qarta se do ketë hetime në radhët e pushtetarëve të lartë. Ajo që po e dëshmon fare qartë një gjë të tillë është Maqedonia. Aty ra pushteti i korruptuar i Gruevskit dhe tani po shkojnë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e përfshirë në afera. Ditën e djeshme janë dënuar me burg një sërë zyrtarësh tepër të lartë, mes të cilëve dhe kreu i PDSH, Menduh Thaçi.

Bëhet fjalë për dosjen e famshme “Titanik 2”, e cila ka të bëjë me afera korrupsioni dhe manipulim të zgjedhjeve. Dje Gjykata e Shkupit vendosi dënim me tri vite burg për ish-shefin e policisë sekrete DSK, Sasho Mijalkov. Ndërsa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi u dënua me tre vite e dy muaj burg. Ish-anëtarit të Komisionit të Zgjedhjeve, Bedredin Ibraimi, i është dhënë dënimi me katër vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa anëtarët Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Scev u dënuan me nga tre vjet bur.gim.

Përveç tyre janë dhe mbi 90 zyrtarë të tjerë në Maqedoni që po hetohen për afera të ndryshme. Interesant është fakti se pas arratisjes së Gruevskit, kishte sinjale se dhe emrat e mësipërm mund të bënin të njëjtën gjë dhe janë vënë në vëzhgim, veçanërisht Sasho Mijalkov. Ai është kushëri i parë i Gruevskit dhe kanë qenë amerikanët që e mbanin në vëzhgim.

Rreziku shqiptar

Arrestimet në Maqedoni kanë shpërthyer prej gati më shumë se një viti dhe kjo po bëhet falë Prokurorisë Speciale që është ngritur atje. Pas gjithçkaje fshihen amerikanët, të cilët kanë vendosur të ndëshkojnë gjithë shpurën e Gruevskit. Kjo tregon se e njëjta gjë do të ndodhë dhe në vendin tonë. Sapo Prokuroria Speciale të marrë jetë, do ketë reprezalje në nivele ish-ministrash, deputetësh e ish-deputetësh. Dyshimet janë se pikërisht një shembull i tillë e ka alarmuar dhe opozitën shqiptare.

Berisha, Basha e Kryemadhi e kanë parë se çfarë ka ndodhur në Maqedoni, Rumani e Kroaci dhe duket se po luajnë kartën e fundit për të mos e lejuar një gjë të tillë të vijë dhe në vendin tonë. Të njëjtën gjë bëri dhe Nikola Gruevski pasi ra nga pushteti. Të gjithë e mbajnë mend sesi i ngriti njerëzit në protestë dhe sulmoi institucionet. Madje njerëzit e tij u futën në Parlament dhe sulmuan fizikisht deputetët. Pra duket se kemi të njëjtët skenarë që po përdor dhe sot opozita shqiptare. Gruevski e dinte se po afronte fundi dhe tentoi të destabilizonte Maqedoninë me shpresën se do i shpëtonte ndëshkimit.

Jo vetëm që u dënua, por u arratis nga frika. Po ashtu, janë arrestuar disa ish-ministra dhe shumë funksionarë të tjerë. Duket se dhe opozita shqiptare e di fare mirë se vala e arrestimeve të tilla do vijë në vendin tonë. Nëse shihet retorika e ndërkombëtarëve që kanë ardhur në vendin tonë, të gjithë e kanë vënë theksin te reforma në drejtësi e lufta ndaj korrupsionit. Të gjithë kanë kërkuar të mos ketë asnjë pengesë.

Në Maqedoni të gjitha arrestimet janë udhëhequr nga amerikanët dhe e njëjta gjë do të ndodhë dhe në vendin tonë. Një tjetër ngjashmëri është se dhe në Maqedoni ishte Moska që fshihej pas Gruevskit dhe e nxiste të sillte destabilizimin. Por ditët e fundit kanë dalë fakte se e njëjta gjë po ndodh dhe në vendin tonë, pasi PD e LSI po i shërbejnë Rusisë. Por ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se nuk ka asnjë kthim pas për SPAK, çfarëdo që të ndodhë. Kjo duket se është dhe arsyeja që ka trembur liderët opozitarë, të cilat po tentojnë të ndezin flakë vendin. /Kliti Topalli /ekskluzive.al

%d bloggers like this: