Nga Bedri Islami– Nuk e di se me cilët do të zbresin sot, e shtunë, në fushën e betejës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Është e pesta ose e gjashta herë që ata i lëshojnë thirrje pasuesve të tyre për të përmbysur qeverinë e tashme dhe, që të pestat herë, kanë patur të njëjtin “ kushtrim”: kjo është protesta më e madhe në histori dhe, domosdo, sot do të rrëzohet Edi Rama.

E njëjta gjë është paralajmëruar edhe për sot: çikërrimtarë politikë të taborit të dytë opozitar kanë paralajmëruar për protestën më të madhe në histori, ata, gjithashtu, kanë kërcënuar qeverinë se shefin e saj do e hedhin në ujrat e Lanës, për të shkuar më tej, tek patetizmi politik i Zonjës Kryemadhi, sipas së cilës, asnjëherë, as sot e as mot, shefi i qeverisë Rama nuk do të mund të pijë i qetë një kafe. Burgu është fjalë e zakonshme, arrestimet, po ashtu, linçimet po bëhen term i ditës.

Si shkrova, nuk e di se cilat do të jenë falangat e ditës së sotme të opozitës, ashtu si nuk e di se sa prej tyre do të jenë kapuçonë të zinj, sa do të mbajnë maska kundërgazi, sa përgatiten të lëshojnë bombat molotov, sa prej tyre do të përleshen me kordonin e parë të policisë dhe sa të tjerë do të marshojnë drejt parlamentit; nuk e di dhe as që më duhet ta di se kush do i prijë turmave në shkatërrimin rutinë, cili lider do të thërrasë i pari “ fitore”, ashtu si e di fare mirë se të gjitha këto do të jenë një përsëritje e së shkuarës dhe nuk do të ketë asgjë të re nga fronti i perëndimit.

Këto që do të sulen rrugëve kanë bartur mbi vete shumë epitete, nga më të çuditshmit, që nga kapuçonët berishianë, malokët veriorë, falangat shqupase, të pagdhendur, halabakë. Në fakt, këto janë më të lehtat, pjesa tjetër mund të merret me mend.

Në shumicën e tyre, falangistët janë njerëz të varfër, ndërsa drejtuesit e tyre janë shumë të pasur. Mund të ndodhë që një ish deputet, ashtu si një qeveritar i sotëm, të ketë mijra herë më shumë pasuri se sa njëri nga ata me kapuçon, që turret rrugëve të Tiranës, duke menduar se po kryen një akt heroik, se po bën histori, se sytë e botës janë tek ai.

Në mbrëmje, ky kapuçon, do të shkojë drejt shtëpisë duke menduar për bukën e përditshme, familjen dhe për faktin, nëse, sipas fjalës, ia kanë dhënë shpërblimin e merituar.

Sado që këto njerëz duken të rrezikshëm, ata nuk janë halabakët e vërtetë.

Të vërtetët janë pas tyre aty, duke i nxitur për sulm, duke i frymëzuar me një retorikë herë pas here fashiste e më shpesh ultra komuniste, për pushtetin që buron nga populli dhe që i takon popullit, për begatinë që do u sjellë sundimi i tyre, për vallen që hedhin në gojën e ujkut Edi Rama, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm..për luftën deri në fund.

Mirëpo, hiqini këtyre njerëzve Sali Berishën dhe e gjithë ajo turmë nuk është më turmë, është një masë njerëzore që shikon punët e saj, që mendon e vepron jo si qënie ushtarake, por si njerëz që mund të vendosin lirisht për cilin duan të votojnë, cilën forcë politike mund të mbështetin, duke e ditur krejt mirë se, as njëra dhe as tjera, nuk janë as të majta e as të djathta.

Hiqini këtyre njerëzve thirrjet bolshevike të Kryemadhit dhe në rrugë nuk do të jetë asnjë kapuçon, asnjë hedhës të bombave molotovë, asnjë përleshës me policinë, asnjë zjarr, asnjë plagosje.

Këto njerëz kapuçonë apo bombë hedhës nuk janë halabakët e vërtetë, megjithëse në pamjen e parë ata duken si të tillë. Ata, në vijën e parë të sulmit, nisur nga një premtim joshës, edhe mund të bëjnë një zjarr, mund të plagosin, por ata nuk mund të vrasin dot një vend dhe një ëndërr të tij.

Këtë e bën vetëm politika. Një politikë e prapshtë, nisur nga mendime vrastare, nisur nga pushteti dhe nga asgjë tjetër. Sa më shumë që përpiqen të fshehin ëndrrën pushtetore, aq më tepër e shfaqin. Por, të nisesh për të përmbysur shtetin se të bën thirrje Vasili apo Dule, se ta kërkon Nard Ndoka apo Shehi, se kërkon të vijë në pushtet edhe një herë Mediu i Gërdecit apo Idrizi i shumëkujt, se nuk ia mbush bashës apo i ka mbetur diçka mangut Kryemadhit, do të thotë të bësh harakiri dhe të vësh në pikëpyetje vetë shtetin.

Njerëzit e zakonshëm, ata që na duken përmbysës, në fakt janë vetëm veglurina të zakonshme të një politike të prapshtë, tejet armiqësore ndaj gjithkujt që nuk e do rihapjen në pushtet të Bashës, që e di se çfarë marrëzirash mund të ribëjë ai kur është i rrethuar nga një tufë analistësh që i gëzon përmbysja e shtetit , se nuk duan Ramën: kur dëgjon me veshin e majtë çka i thotë djathtistë të qorruar nga verbëria politike dhe, me veshin e djathtë se çka i thonë revolucionarë den baba den të tillë, gjenetikisht: kur gjuha e tij ngjan si pikat e shiut me atë të Berishës dhe , pastaj, si flet ai nisen e flasin gjithë të tjerët pas tij.

Opozita nuk është e rrezikshme se vendos para vetes mitingashë apo halabakë, sado të mbuluar të jenë ato. Në çdo vend ka të tillë dhe shteti ndaj ka policinë, gardën, gazin lotësjellës, ndërhyrjen e fuqishme. Ndryshe shteti do të ishte një mejhane ,ku secili mund t’ia thyejë xhamet dhe të bëjë përshesh. Basha e di fare mirë këtë kur ishte pjesë e urdhërdhënës për vrasje dhe plagosje në 21 janar; Kryemadhi e di , po ashtu, sepse ishte pjesë e qeverisjes së asaj kohe dhe 21 janari e kishte fillimin tek një bllok i bashkëshortit të saj zëvendëskryeministër e tani president.

Këto mitingashë të rreshtit të parë në darkë shkojnë në shtëpi, dëmi që kanë sjellur ndreqet, por ajo që bën politika huligane nuk ndreqet aq lehtë.

Në 30 qershor është planifikuar të zhvillohen zgjedhjet vendore. Opozita, vetë dëshirueshëm, është tërhequr nga gjithçka që i takon të ketë dhe ku duhet të jetë. Askush nuk e ndoqi, askush nuk e përzuri, asnjë nuk i tha ikë. Iu mbush mendja Berishës, sipas një skenari të përgatitur jashtë kabinetit të tij, opozita dorëzoi mandatet, dhe, si të ishte në një shfaqje teatri, doli në rrugë.

Është precedenti më i rrezikshëm që bën mijra herë më shumë dëm se sa një grup mitingashësh të uritur, që janë joshur me një vend pune dhe që në darkë bëjnë bilancin e jetës së tyre.

Dhe, kur vet linçimin e opozitës e mbështet edhe presidenti i vendit, gjithçka bëhet më e rrezikshme, më kërcënuese dhe më e ankthshme për të tjerët.

Nëse dikush mund të ketë dyshuar deri tani se frika e opozitës është reforma në drejtësi, tanimë duhet të qetësohet, pasi , si mund të jetë pritur, kundër saj është i gjithë spektri politik i opozitës, që nga dy opozitarët e bashkuar dhe deri tek tek kryeopozitari në presidencë.

Rama nuk është shefi që duhet për këtë vend, ai është jo në ato përmasa që njerëzit kanë dashur të jetë, por krahasuar me këto plakaruqë të politikës, që tash 30 vite kërcënojnë sa janë në opozitë dhe vjedhin sa janë në pushtet, ai , njerëzve, u duket një zgjidhje.

Nuk mund të bëhet kostum i ri me rrecka të vjetra…

U duket zgjidhje, sepse përballë tij është një turmë amorfe politike, e cila ka ngarendur herë majtas e herë djathtas, për të qenë në pushtet dhe që, sa herë kanë ikur nga pushteti e kanë dhjetëfishuar pasurinë e tyre.

Nëse Rama mban pas vetes 10 a 12 oligarkë financiarë, njerëzit shohin se pas bishtit të Bashës janë renditur oligarkët e politikës që kanë zënë myk në tempujt e partive të tyre, në të cilat nuk hyn as zoti e as robi.

Në secilën ditë, nga gjithë spektri i opozitës, vjen kërcënimi se qershori i këtij viti do të jetë fillimi i vitit 1997, se do të luftojnë në çdo qendër votimi, se votimet nuk do të lejohen, se Rama duhet të bëjë mirë llogaritë dhe se fundi i tij do të jetë i tmerrshëm, se duan qeveri teknike a dreqi e di se çfarë, por ata vetë të vendosin se cili të qeverisë…përndryshe, viti 1997 do të jetë si një lule krahasuar me fundin e qershorit të këtij viti.

Kjo retorikë e halabakëve politikë është, në fakt, e keqja e këtij vendi dhe shembja e themelit të shtetit.

Shpërndaje në


15 October 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget