Pas dy javëve, pikërisht të shtunën e 27 janarit, opozita ka planifikuar protestën e saj të radhës, por që do të jetë e para pas zgjedhjeve të qershorit të shkuar. Në fakt, në dhjetor, ajo bëri provën e saj të parë, duke thirrur para parlamentit një grup njerëzish, që përmes thirrjeve të çartura deputetësh opozitarë, tentuan të bllokonin e të zaptonin sallën e Kuvendit, duke ndjellur kështu farën e një grushti shteti. Se si vajtën gjërat, kjo dihet, ashtu si është ditur e menduar prej kohësh se opozita do të dalë përsëri në sheshe dhe do të protestojë. Nuk ka rrugë tjetër për ato që kanë humbur idetë dhe vizionin e kanë ndërruar me thirrje patetike për luftë, revolucion, përmbysje, burgime, arrestime, gjyqe, dhe ku, janë bërë bashkë, që nga ish deputetë të rëndësishëm të shumicës së sotme qeverisëse , deri tek mitingashët e zakonshëm, të cilët po ndillen për të përmbysur Tiranën e bashkë me të, edhe qeverinë.

Ka patur një qëllim zgjedhja e datës 27 janar. Nuk ka ardhur si rastësi apo si nevojë e përgatitjes. Kujt i është mbushur mendja të jetë kundër qeverisë, ai është i gatshëm në çdo të shtunë të mundshme. Data e 27 janarit është zgjedhur duke pritur njërin nga arrestimet e mundshme të “peshqve të mëdhenj”, si paralajmëroi ambasadori amerikan Donald Lu, dhe , duke i përdorur arrestimet si shkak, të rritet agresiviteti i demonstruesve dhe të fillohet ajo që Berisha e quan revolucion, apo si ka parashikuar Kokëdhima, fillimi i luftës.

Asgjë nuk do të ndodhë. Flini të qetë! Protesta është një fillesë brenda vetes, në vetë opozitën.

Që duhet protestuar ndaj disa vendimeve dhe qëndrimeve të shumicës, kjo duhet bërë edhe nga mbështetësit e saj. Retushimi i qeverisë ka mbaruar dhe është koha të fillohet nga puna. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, kur ende nuk është ndërtuar shtëpia qeverisëse, mbi njerëzit do të rëndojnë edhe më shumë halle.

Opozita ka në të drejtën e saj protestën. Në të gjitha format e mundshme demokratike. Mund të futet edhe në grevë urie, nëse mund t’i qëndrojë asaj; mund të ngrejë edhe një çadër më të madhe në një shesh të Tiranës, por të mos pengojnë të tjerët, pasi kur e drejta jote shkel të drejtën time, atëherë gjithçka kthehet në abuzim të së drejtës; mund të marrë për bazë mendimin e ish shefit të saj dhe të djegë mandatet; mund të futet në sulm kundër të gjithë ambasadorëve dhe diplomatëve perëndimorë që janë në Shqipëri dhe t’i cilësojë ata si të blerë nga shefi i qeverisë; mund të shpojë edhe një herë gomat e makinave, si u bëri thirrje në çadrën e parë shefi i tyre juridik; mund të mbledhin nga të katër anët militantë e mitingashë për të protestuar, pasi në këtë vend numri e mund gjithnjë mendjen; pra mund të zgjedhë vetë atë formë që dëshiron.

Por, fillimisht duhet të tregojë se për çfarë do të protestojë.

Për rrogat e ulta…ata janë pak më të larta se kur ata lanë pushtetin. Për shërbimin shëndetësor…edhe mundet, por kur e krahason me kohën e tyre, duhet të mendohesh mirë. Për arsimin…mendoj se janë disa të mençur mes tyre dhe t’ua tregojnë se si në qeverisjen shqupase vetëm arsim nuk kishte dhe diplomat bliheshin lehtësisht. Punësimi është pak më lart se kuotat e tyre dhe borxhi i lënë prej tyre është shlyer. Mund të protestojnë kundër qeverisë për shumë gjëra, por, ata që duken nga lart nuk janë të njëjta me ato që fshihen poshtë brezit të politikës.

Opozita, në tri krahët e saj, PD, si shumicë, LSI, si pjesë ngjitëse dhe “të tretët”, si pjesë amorfe, kanë secila në vete qëllime të veçanta. Asnjëra nuk i ngjan tjetrës, por të gjitha përpiqen të përfitojnë nga njëra tjetra.

PD, përmes protestës  kërkon të afishohet si forca e vetme opozitare e rëndësishme dhe atë çerek milioni votuesish që kanë shkuar tek lësëistët, t’i kthejë edhe një herë në vathën e saj politike. Nëse liderët e saj të sotëm nuk e bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, ato nuk dihet se ku do të mund të jenë pas pak viteve, por me siguri jo më në politikë. Prej tyre, Basha e di vendin, shtëpia në Holandë është ende e ngrohtë dhe financiarisht ai do të jetë lideri më i pasur që ikën nga politika. E gjithë vëmendja e PD-së do të jetë pikërisht në këtë qark të mbyllur: të dëshmojë forcë për të ngjallur besim tek vetë ajo; por, edhe lideri i saj aktual kërkon të tërheqë forcën ndaj vetes.

Si pak herë, PD-ja , opozitën më të ndjeshme e ka rreth saj, në ato që largoi dhe në ato që nuk arriti të marrë pranë vetes. Me ritmet që po shkon drejt fundit, nëse ajo vazhdon këtë rrugëtim politik, jo shumë vite më pas, për të do të flitet në kohën e shkuar. Ndaj, e ardhur në vete, ajo po mendon tani seriozisht nëse aleatin e saj , të ri e të vjetër njëkohësisht, LSI, ta thërrasë pranë vetes dhe me cilin kusht politik ta afrojë. Tani, për të, si forcë politike, dashuria në kohën e opozitës ka mbaruar dhe kanë filluar llogaritë. Si duket, ata e dinë se LSI, edhe nëse në krye të saj do të jetë njëri nga familja Meta, përsëri mund të rrëshqasë nga anon edhe kandari i politikës. E ka bërë dy herë, mund ta bëjë edhe në të tretën.

Zërat kundër një bashkëpunimi qorr, amorf dhe pa asnjë kushtëzim, janë rritur edhe brenda saj dhe nuk është rastësi që artikulimi më i fortë bëhet nga njerëz shumë afër Bashës dhe nga media e analistë të lidhur me të.

LSI, nga ana tjetër, ka hesape të tjera. Hesapet, në të vërtetë, ajo i ka bërë gjithnjë mirë e saktë, edhe pse në disa raste ka shkuar tej parashikimit ose ato nuk i kanë dalë në Pazar. Si ndodhi në qershorin e shkuar.

Në fakt, deri tani, ajo është forca politike më e organizuar; më shumë se një forcë politike ajo ka qenë e vazhdon të jetë një detashment, me stërvitjet në Jalë dhe me delegimet e pushtetit tek të rinjtë. Sado që mos ta duash si forcë politike, ajo është më e disiplinuara, më kërkuese se të tjerat dhe ka qenë më joshëse , sepse e ka përdorur pushtetin si askush tjetër.

Tani, pas tetë viteve në pushtet, ajo ka provën e saj të madhe. Në të vërtetë, është në zjarrin e provës së saj. Ajo vërvitet mes dilemës, “do të vazhdojmë të rritemi, apo do të tkurremi”. Nëse një herë do të fillojë tkurrja dhe ajo nuk do të jetë në pushtet, atëherë rënia do e ketë të vështirë të ndalet.

LSI-së i duhet protesta, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe për të dhënë dëshminë se, në fakt ajo e drejton gjithë opozitën. Se ajo është opozita e saktë, e vendosur dhe e besuar dhe se, nesër ajo do të jetë përsëri në qeverisjen e vendit.

Më 18 dhjetor, në protestën para Kuvendit dhe brenda në sallë , LSI bëri provën e parë të lidershipit të opozitës dhe ia arriti. Në fakt, vetëm ajo protestoi, bëri rrëmujë, dhe, ndërsa deputetët marroqë të PD-së ndiznin tymçe zjarri dhe i hidhnin drejt atyre që nuk po çanin kokën për to, deputetët e LSI-së, më së shumti gratë e vajzat e deleguara aty, me çizme, letra, fletore, thirrje, duar të ngritura lart, rrëmbime kartonësh, hedhje mbi butonët e votimit si mbi zjarr, thirrje për të rrëmbyer kuvendin, duar të gjakosura, i dhanë frymën e tyre seancës.

PD ka pikërisht këtë drojë. Militantët e LSI, në të shumtën e tyre që mund të jenë në shesh janë të sapo larguar nga puna, ku ishin tetë vite ose ku prisnin të shkonin. Ata, ende nuk janë mësuar me vegjetimin dhe dyert e gjykatës administrative.

LSI ka provën e saj reale për të qenë prijëtare e opozitës. Në të gjitha deklaratat e saj të fundit, ajo është më agresive se sa motra e saj e madhe, e rigjetur dhe, në ditët e fundit, nga droja e këtij shembulli, edhe Basha, po e rrit në progresion gjeometrik tonin e tij, duke kaluar deri në sharlatanizëm politik. E bën të tillë pikërisht ajo nga e cila druhen më së shumti pëdëistët; nga droja se njerëzit e papunë dhe të pashpresë, më shumë se sa me atë vetë, mund ta gjejnë veten tek LSI dhe do të identifikohen me të. Thirrjet e opozitës, më shumë se sa një sinjal politik, të ngjajnë me thirrje për linçime politike, burgime e dënime, sikur të ishin gjithçka në këtë shtet, edhe opozitë, edhe qeveri, edhe polici, edhe prokurori, edhe gjyqësi. Fakti që ka qenë dikur kështu, nuk mund të bëhet më. Por kërcënimi i tyre mbetet. Thirrjet halucinante të Bashës, kërcëllitjet e dhëmbëve, më shumë se gjithçka tjetër është një reminishencë e herëshme naziskine, dhe e gjithë kjo e bën edhe më qesharak.

Dhe ende pa u shuar thirrjet çjerrëse të Bashës vjen kërcënimi nga ana tjetër. “Bjeruni dhe korrini”, është parulla e ditës, por askush nuk do të korrë. Drapëri është ndryshkur!

Në fakt, këtu fillon edhe lufta reale e zgjedhjeve të ardhshme.

Është si një tërheqje litari mes PD-së dhe LSI-së, ku në mes qëndrojnë 250 mijë votues. Kush ta tërheqë më shumë.

Dhe tërheqja fillon pikërisht me 27 janar. Raundi i parë.

Poli i tretë, ose të vegjlit e politikës, duan të jenë pjesë e rëndësishme, për aq sa mund të jenë. Duan edhe mbi veten. Rrugën mund të ja zërë vetëm LSI, e ledhatuara e pushtetit që mund të bëhet shumë shpejt e ledhatuara e opozitës.

Të gjithë sëbashku, aleatët rreth-rrotullorë të PD-së nuk bëjnë as një të katërtën e elektoratit që ka LSI, dhe, nëse gjenden befas në një pozicion të paditur, mund të rrudhen edhe më shumë.

Një pol i pazakontë, i cili, më shumë se sa përmbysjen e qeverisë, kërkon uljen e pragut zgjedhor, që, të paktën , shefat e partive të jenë edhe një herë në parlament.

Të zgjedhur nga listat e PD-së ata kanë frikën më se normale se mund të mbetin prapa listës.

27 janari në fakt është fillesa e provës e ndarjes së tortës së opozitës, për të ditur se si mund të ndahet nesër torta e pushtetit, fillimisht atij vendor, e më pas, atij qendror.

Edhe ata vetë e dinë se qeveria nuk do të rrëzohet dhe askush nuk e lejon këtë. E dinë se , edhe sikur dhjetë çadra të ngritin, përsëri Edi Rama nuk ikën na pushteti, të cilin e mori më lart se asnjëherë. Një stekë e ngritur e pushtetit nuk mund të rrëzohet se ashtu ia ka qejfi opozitës.

Qëllimet e tjera të protestës, po ashtu, dihen. Frika nga drejtësia, humbja e pushtetit.

Por fillimi është në kohën e provës. E kanë me njëri tjetrin, më shumë se sa me pushtetin.

Shpërndaje në