Është bërë e zakonshme që në përvjetorët e ngjarjeve të vitit 1981 të theksohet roli i “organizatave patriotike ilegale”. Madje, me një nostalgji të veçantë përdoren termet “ilegalisht”, “ilegalja”, “ilegaliteti” dhe nocione tjera që rrjedhin nga fjala “ilegal”.

Përmasat që ka marrë përdorimi i këtij termi imponon hapjen e debatit që një herë e përgjithmonë të ketë një qartësi se çka mbulojnë këto terme në aspektin kuptimor.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është polemik, për këtë arsye nuk do të citoj asnjë autor që përdor apo arsyeton përdorimin e këtij termi. Nëse e shoh të nevojshme në të ardhmen mund të përdoren edhe emrat e përveçëm.

Në fillim po përmend arsyetimin e mbështetësve të përdorimit të këtij termi me atë se “termi ‘ilegal’ është ngulitur në fjalorin e ligjërimit të zakonshëm dhe atë shkencor, studiues, e cila kuptohet si formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav”.

Përdorimi nga një numër i madh i njerëzve i një termi për një dukuri të caktuar nuk e arsyeton përdorimin e tij, nëse ky term është i gabueshëm. Madje, edhe në rastin kur të gjithë njerëzit e një shoqërie të caktuar përdorin një arsyetim të caktuar për një çështje kjo nuk ja shton saktësinë.

Është i njohur “shembulli i baticës”. Për mijëra vite shoqëritë njerëzore që kanë jetuar përgjatë brigjeve të detit janë munduar ta shpjegojnë fenomenin e baticës. Është interesant se shumica e popujve që na kanë lënë botëkuptimet e tyre rreth kësaj çështjeje dëshmojnë për një qasje pak a shumë të ngjashme: janë munduar të gjejnë shkakun e baticave në thellësi të detit. Për t’i forcuar bindjet e tyre, kanë imagjinuar perënditë e detit të cilët kur zemëroheshin me sjelljen e njerëzve (e zemërimin e kishin ciklik!) provokonin baticën e detit! Kishin mundur të vazhdojnë hulumtimin e tyre në det edhe për mijëra vjet të tjera dhe me tërë teknikën që posedon aktualisht njerëzimi nuk do të gjenin të vërtetën në fund të detit. Këndvështrimi ishte i gabuar! U dashtë të ndryshohet këndvështrimi dhe të shihej ndikimi i hënës në tokë për shpjeguar shkencërisht fenomenin e baticës. Mund të ketë ende njerëz që besojnë se perënditë e detit krijojnë baticën dhe nuk ngurrojnë të bëjnë sakrifica për të zbutur zemërimin e perëndive, me arsyetim se kështu kanë besuar të parët e tyre.

Prandaj, përdorimi i gjerë që ka termi “ilegal” si “formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav” nuk ja shton saktësinë këtij termi.

Ajo që është thelbësore për problematikën e mësipërme ka të bëj me faktin se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. 
Kur kemi të bëjmë me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe u ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme. I njëjti qëndrim ka qenë edhe në rastin kur Jugosllavia komuniste nuk e zbatoi vullnetin e popullit të Kosovës që të bashkohet me Shqipërinë dhe shkeli vendimet e Rezolutës së Bujanit ku delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë, pjesëmarrës të kësaj Konference, ishin përcaktuar qartë në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Prandaj, pushteti komunist jugosllav në territoret shqiptare ishte ilegal, edhe pse vepronte haptas. Ndërsa, të gjitha veprimet e kryera kundër këtij pushteti, qoftë haptas, qoftë fshehtas, ishin veprime të ligjshme në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje, që ishte një nga parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe konsiderohet vlerë universale.

Nëse çështjen e “legalitetit/ilegalitetit” e shohim në raport me lëvizjet nacionalçlirimtare në botë do të bindemi për qasjen e gabueshme që është instaluar në terminologjinë që përdoret për Lëvizjen Kombëtare të shqiptarëve që kanë vepruar kundër pushtetit ilegal të Jugosllavisë në territoreve tonë.

Duke u nisur nga fakti se “legalitetit/ilegalitetit” shndërrohen në objekt të luftës në mes palës që ka pushtuar territorin e caktuar dhe atyre që angazhohen për ta çliruar nga okupatori, termi “ilegal” shndërrohet në fjalën thelbësore që i ndan dy kampet.

Përderisa të gjitha organizatat dhe lëvizjet nacionalçlirimtare anë e kënd botës okupimin e territorit të tyre dhe mosrespektimin e të drejtës për vetëvendosje e konsiderojnë “ilegal” dhe pushtetin që nuk ka respektuar vullnetin e popullit e cilësojnë si “pushtet ilegale në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, pushteti i instaluar përpiqet t’i njollosë lëvizjet dhe organizatat çlirimtare si të ishin struktura “ilegale”, për arsye se nuk respektojnë ligjet dhe rendin e vendosur nga ai.

Një nga orientimet politike të lëvizjeve apo të organizatave çlirimtare në botë është këmbëngulja e tyre që të fitojnë legalitetin në shkallën ndërkombëtare dhe ta prezantojnë pushtetin si pushtet ilegal.

Falë vendosmërisë së tyre të madhe lëvizjet nacionalçlirimtare në botë fituan legalitetin ndërkombëtare edhe përmes të drejtës ndërkombëtare. Në pikën 2 të rezolutës 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të datës 14 dhjetor 1960 thuhet qartë se “të gjithë popujt kanë të drejtë që lirshëm të vetëvendosin; në përputhje me këtë të drejtë ata përcaktojnë lirshëm statusin e tyre politik dhe ndjekin në mënyrë të lirë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.

Mjafton të lexohen programet, kartat, kushtetutat apo statutet e këtyre organizatave dhe lëvizjeve çlirimtare për t’u bindur se askund nuk mund të gjejmë identifikimin e tyre si “organizata ilegale” ose “lëvizje ilegale”. Përkundrazi, si “ilegal” përkufizohen veprimet e palës tjetër, ligjet e palës tjetër, prezencën politike, ushtarake dhe policore të palës tjetër.

Vetëm ne bëjmë përjashtim! Identifikojmë veten si “ilegalë” dhe organizatën (lëvizjen) tonë çlirimtare e cilësojmë si “ilegale”. Mosnjohja e përmbajtjes adekuate të këtij termi ka bërë që në disa raste përdorimin e këtij termi për veten tonë ta bëjmë me mburrje!
Ta përkufizosh veten si “ilegal” në raport me Jugosllavinë në tërësi, ose me Serbinë, me Maqedoninë apo me Malin e Zi veç e veç, është gabimi më i madh që mund të bëjmë, sepse u japim “legalitetin” pushtimit të territoreve tona dhe mosrespektimit të të drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar.

As ndikimi që ka pasur një film i realizuar në Shqipëri në vitin 1976, i titulluar “Ilegalët”, që trajtonte veprimtarinë antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, as mbështetja në definicionet e cilitdo fjalor nuk i jep saktësi përdorimit të gabueshëm të termit “ilegal” në raport me ne dhe organizatat (lëvizjet) që kishin për qëllim çlirimin kombëtar nga Jugosllavia.

Nëse kemi parasysh se në rrafshin e politikës ndërkombëtare cilësimi i një organizate si “organizatë ilegale” ka konotacion tejet negativ, për arsyes se në këtë kategori futen organizatat që merren me trafikim të drogës, të armëve, të njerëzve, të organeve njerëzore etj. duhet të ndërpritet përdorimi i gabueshëm i këtij termi. Në të kundërtën i bëjmë shërbim, në mënyrë të pavetëdijshme, propagandës antishqiptare.

%d bloggers like this: