A e pushtuan shqiptarët Kosovën?

Edhe pse janë me dhjetëra teologë myslimanë shqiptarë që përhapin gënjeshtrat e sajuara nga ata që nuk ia duan të mirën popullit shqiptar, kam bindjen se shumica e teologëve myslimanë shqiptarë janë kundër kësaj qasjeje të dëmshme për kombin tonë.

Pas tërheqjes së pushtetit politik, forcave të armatosura, strukturave policore dhe atyre të sigurisë serbe nga Kosova, Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar. Dimensionin politik të këtij procesi e kam trajtuar hollësisht në librin tim dhe nuk do të ndalem aspak rreth kësaj çështjeje.

Ajo që vlen të theksohet në lidhje me temën tonë, ka të bëjë me faktin se tërë arsenali propagandistik i Beogradit u mobilizua për ta paraqitur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe detyrimin e tërheqjes së forcave të tyre nga Kosova si “tragjedi e dytë kombëtare”, duke e krahasuar me humbjen e vitit 1389 në betejën e famshme në Fushë-Kosovë nga Perandoria Otomane, që e paraqesin si “tragjedi e parë kombëtare serbe”.

Në kontekstin e ri historik të krijuar pas vendosjes së Kosovës nën administrim civil dhe ushtarak ndërkombëtar, i cili duhej të mbyllej me përcaktimin e statusit final të Kosovës, shteti i Serbisë i orientoi të gjitha veprimtaritë propagandistike në funksion të paraqitjes së Kosovës si gjoja “vend i tyre i shenjtë” i ripushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në arsenalin e tyre propagandistik u rikthyen të gjitha mitet për gjoja “Kosovën si djep të civilizimit serb”, “dëbimin e serbëve nga Kosova”, “pushtimin e Kosovës nga shqiptarët” e të ngjashme me këto, që kishin për qëllim ta paraqesin strukturën aktuale të popullsisë së Kosovës, me rreth 90% shqiptarë, gjoja si rezultat i pushtimit të huaj. Me një fjalë, përmes kësaj propagande ata synonin të gjenin mbështetje ndërkombëtare për pretendimet e tyre për “të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën”.

Në funksion të kësaj strategjie, propaganda serbe përhapi lajmin se gjoja “një dokument zyrtar i Perandorisë Otomane i vitit 1455, që gjendet në arkivin historik të Stambollit, dëshmon se në shekull XV, në hapësirën e Kosovës dhe Dukagjinit nuk ka pasur shqiptarë. Në tërë hapësirën nga Bjeshkët e Nemuna e deri në Kopaonik kishte vetëm 46 familje shqiptare” (Ovaj turski dokument je dokaz: Kosovo 1455 je bilo bez Albanaca (Ky dokument turk është dëshmi: Kosova në vitin 1455 ishte pa shqiptarë) https://www.a1info.net/ovaj-turski-dokument-je-dokaz-kosovo-1455-je-bilo-bez-albanaca/).

Për të qenë sa më bindës në shpërndarjen e këtij “zbulimi”, shërbimet sekrete të Serbisë e orientuan luftën e tyre në gjetjen e ndonjë shqiptari, që do të pohonte publikisht përmbajtjen e këtij “dokumenti”. Nuk e di se përmes cilave mjete, cilave forma dhe me ndërmjetësimin e kujt u arrit, që në mesin e shqiptarëve të gjenden “dijetarë” të tillë që pohojnë se para ardhjes së Perandorisë Otomane në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë. Duke u mbështetur në Memoaret e Sulejman Rexhepit mund të supozoj se ky qëllim ka mundur të arrihet edhe përmes teknikës së korrupsionit me mjete financiare. Ftoj lexuesin të rikujtojë memoarin nr.32 të cituar në shkrimin e mëparshëm: “me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete”. Mirëpo një supozim i tillë mbetet hipotezë e mundshme, të cilën mund ta verifikojmë vetë nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit e një veprimi të tillë do të dëshmonte publikisht. Vetëm ata që i kanë dhënë ose që i kanë pranuar mjete financiare, e dinë nëse kjo është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Serbia apo përmes shoqatave që vinin nga vendet arabe, të cilët, siç thekson autori i memoareve, “asgjë nuk dinin për shqiptarët, ndërsa për jugosllavët e për Titon ishin në gjendje të heqin dorë edhe prej fesë islame” (Memoari nr.8).

Duke mbetur si hipotezë, tani për tani nuk mund ta di se kush ka marrë dhe sa para ka marrë për xhepin e vet, kush dhe sa para u ka dhënë të tjerëve e kush e ka bërë falas. Atë që mund ta dëshmoj me argumente të pakontestueshme ka të bëjë faktin se në mesin e teologëve myslimanë shqiptarë dhe historianëve shqiptarë u gjetën të tillë që pohojnë, njëlloj si propaganda serbe, se gjoja “shqiptarët e pushtuan Kosovën me ndihmën e Perandorisë Otomane”.

Foto-montazh që zhvesh qëllimin e strategjisë serbe

Mund të citoj me dhjetëra emra teologësh që pretendojnë se, para ardhjes së Perandorisë Otomane, në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë apo që numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël dhe se gjoja “shqiptarët janë krijuar nga turqit”! Megjithatë, në këtë shkrim do të kufizohem vetëm në rastet, që më duken se përfshijnë në mënyrë më të plotë mohimin e historisë sonë kombëtare.

Po filloj me teologun Irfan Salihu. Pas ligjëratës së mbajtur nga ky imam i xhamisë në Prizren, gjatë së cilës pohoi se gjoja: “në vitin 1445, vetëm 1% e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”, shpërthyen pakënaqësi të mëdha në opinionin publik të Kosovës. Kjo pakënaqësi shtrëngoi Bashkësinë Islame të Kosovës ta pezullojë nga puna për një afat njëvjeçar. Megjithatë, ndaj vendimit të BIK-ut për pezullim nga puna pati reagime të shumta. Vlen të veçohet qëndrimi i Forumit të të Rinjve Muslimanë i datës 3 prill 2015. Në komunikatën e tyre ky forum u dha mbështetje të plotë pohimeve të Irfan Salihut se gjoja “në Kosovë nuk kishte pasur shqiptarë para ardhjes së Turqisë”. Përmenda këtë forum, sepse është tregues që dëshmon se një pjesë e rinisë së besimit mysliman është viktimë e shtrembërimit të tillë të fakteve historike.

Në kohën kur nuk kemi kufij mes disiplinave të hulumtimit shkencor dhe askujt nuk mund t’i mohohet e drejta që, përveç titujve dhe funksioneve që ka, të perfeksionohet në fusha të ndryshme shkencore, rrjedhimisht nuk mund t’i mohohet e drejta teologut të hyjë në fushën e historisë, apo historianit në fushën e teologjisë. Mirëpo, këto tema trajtohen në hapësira të ndryshme, të veçanta për secilën fushë. Mendimet rreth temave historike apo teologjike trajtohen në kuadër të profesionistëve të këtyre disiplinave apo përmes publikimeve ku secili që e konsideron veten kompetent mund të futet në debat. Temat historike nuk duhet të shtrohen nga teologu përpara xhematit të vet gjatë kohës së ceremonive fetare e as nga historiani nuk trajtohen temat teologjike në kuadër të aktivitetit pedagogjik në institucionet arsimore.

Shtrimi i temave historike në mënyrën se si veproi Irfan Salihu është përpjekje për të manipuluar me besimtarët që vijnë për të kryer obligimet fetare. Cilat janë motivet e shpërndarjes së  propagandës serbe dhe neo-otomane nga një numër i teologëve myslimanë që këmbëngulin për rishkrimin e historisë sonë, kjo është çështje që nuk mund të trajtohet në kuadër të një shkrimi. Ajo që mund të pohet pa asnjë mëdyshje, lidhet me hapësirën e madhe që u dha deklaratave të tilla nga makineria propagandistike e Beogradit. Të gjitha mediat serbe u vërshuan me titullin bombastik: “Të dhëna të reja historike!!! Hoxha Irfan Salihu: Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë-ata i sollën turqit” ( tekstualisht në gjuhën serbe: Novi historijski podaci!!!Hodža Irfan Salihu: Na Kosovu nije bilo Albanaca – njih su doveli Turci! Shih: http://www.info-ks.net/clanak/53849/hodza-irfan-salihu-na-kosovu-nije-bilo-albanaca-njih-su-doveli-turci-video).

Çdokush që shfleton mediat serbe rreth kësaj teme, do të bindet se teologu Irfan Salihu i ka bërë një shërbim shumë të madh strategjisë së propagandës serbe.

Në të njëjtën frymë rreshtohet edhe një numër jo i vogël teologësh dhe osmanologësh shqiptarë që pohojnë se gjoja Perandoria Otomane nuk ka pasur ambicie pushtimin e tokave të huaja, por përhapjen e fesë islame dhe, rrjedhimisht, ata nuk na kanë pushtuar! Madje shkohet deri aty, sa të pohohet se gjoja shqiptarë e kanë pritur ardhjen e Perandorisë Otomane siç e kemi pritur ardhjen e NATO-s në vitin 1999!

Shpërndaje në


20 September 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget