Nga Bardhyl Mahmuti- Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë

Përkufizimi i gjenocidit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës është përkthim nga gjuha serbe dhe është i pasaktë.

Në dy shkrimet paraprake trajtova përdorimin e gabueshëm të termeve “zhdukje” dhe “shfarosje” kur bëhet bartja kuptimore që këto terme kanë në gjuhën e zakonshme dhe emërohen kategori të caktuara të së drejtës penale ndërkombëtare.

Edhe termi “asgjësim”, si sinonim i “zhdukjes” dhe i “shfarosjes”, i cili ka kuptimin e veprimit që “e shkatërron krejt, e prish që të mos jetë më, e shfaros, e zhduk diçka”, ka zënë një vend të rëndësishëm jo vetëm në gjuhën e përditshme të politikanëve, por edhe në dokumentet zyrtare të shtetit të Kosovës.

Gjuhët me prejardhje latine, dhe nën ndikimin e tyre, edhe gjuha angleze, për fjalën “asgjësim” përdorin fjalën “annihiler” (frëngjisht), “annientare” (italisht), “annihilate” (anglisht) e që kanë prejardhje nga fjala latine “annihilare” (të bësh të mos ekzistojë diçka, ta shkatërrosh tërësisht). Ndërsa për veprimin që shkatërron tërësisht diçka, që e asgjëson, në gjuhën ruse përdoret fjala “уничтожить”, në serbisht “uništenje”.

Në përkthimet në gjuhën angleze, frënge, italiane të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në asnjë rast nuk përdoret termi asgjësim (“annihilate”, “annihiler”, “annientare”), por përdoret termi “shkatërrim” (“destroy”, “détruire”, “distruggere”). Edhe në gjuhën gjermane në dokumentet e lartpërmendura nuk përdoret folja “vernichten” (asgjësoj), por folja “zerstören” (shkatërroj). Ndërsa në gjuhën ruse dhe serbe, në përkufizimin e gjenocidit, në vend të fjalës “shkatërrim” përdoret fjala asgjësim (në rusisht “уничтожить”, në serbisht “uništenje”).

Përmendja e terminologjisë ruse dhe serbe është e domosdoshme, për arsye se një numër i juristëve shqiptarë janë nën ndikimin e terminologjisë së shkollave juridike të Rusisë dhe të Serbisë.

Duke u nisur nga fakti se krimet që përfshihen në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare janë krime me të cilat preokupohet mbarë njerëzimi, shumica e shteteve kanë përfshirë në kodet e tyre penale masat përkatëse për të ndëshkuar ata që kanë qenë të implikuar në këto krime, ose që mohojnë krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Në funksion të këtyre masave edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në të cilën përfshihen dënimet për veprat e lartpërmendura penale.

Fatkeqësisht në Kodin Penal të Republikës së Kosovës terminologjia lidhur me këto krime nuk është e saktë dhe si e tillë është e dëmshme, sepse krijon mundësinë e interpretimeve jo të drejta kur kemi të bëjmë me gjenocidin.

Në Kapitullin XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kapitull i titulluar “Veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare, nenin 148 i kushtohet krimit të gjenocidit. Përkufizimi i i gjenocidit është me sa vijon:

“1. Kushdo që me qëllim të asgjësimit të tërësishëm apo të pjesërishëm të ndonjë grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar kryen një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme, do të dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm:

1.1. vrasjen e anëtarëve të grupit;

1.2. shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore apo mendore të anëtarëve të grupit;

1.3. vënien e qëllimshme të grupit në kushte të tilla të jetës të cilat shpijnë në shfarosje të plotë apo të pjesërishme fizike;

1.4. vënien e masave të cilat kanë për qëllim që të pengojnë lindjet brenda grupit;

1.5. transferimin me dhunë të fëmijëve të grupit në një grup tjetër”.

Kushdo që bën një analizë krahasuese të përkthimeve të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare do të bindet se përkufizimi i gjenocidit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës është përkthim nga gjuha serbe.

Në doracakun që mendoj ta publikoj lidhur me këtë terminologji do t’i citoj përkufizimet në gjuhen angleze, frënge, italiane, gjermane, ruse dhe serbe, sepse vetëm në këtë kontekst do të kuptohet drejtë  se përdorimi i gabueshëm i një kategorie juridike hap rrugën për interpretime  të gabueshme të krimit të gjenocidit.

As termi “zhdukje” dhe as termi “asgjësim” nuk janë kategori juridike të së drejtës penale ndërkombëtare.  

Në nenin II të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në Nenin 7 të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare gjenocidi përkufizohet si krim kur një ose më shumë nga aktet kriminale të numëruara në këto nene kryhen me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Serbisë, që ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe atyre që mohojnë këtë gjenocid u intereson që në përkufizimin e gjenocidit të mbeten në përdorim termet “zhdukje” dhe “asgjësim”, sepse, sipas kësaj logjike,  fakti që nuk jemi “zhdukur” dhe nuk jemi “asgjësuar” do të përdorej si “argument” se gjoja nuk është kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Konsideroj se Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë korrigjimin e terminologjisë së gabueshme në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe ta harmonizojë me konceptet juridike adekuate.

Shpërndaje në