Tiranë, 16 dhjetor 2017: Kristofor Marlou (1564-1593) Epokën Elisabetiane e shndërroi nga një efekt teatral në një vlerë të njëmendë artistike.

Pra, kemi një kapërcim të madh!

Marlou qe një talent i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Ai shkroi tragjedinë “Tamerlani i Madh” (“Tamerlaine, the Great”), në dy pjesë, të botuara në 1590.

Në këtë vepër ai ndryshoi gjuhën e dramaturgjisë angleze si askush! 

Bashkëkohësit e kanë quajtur një “mendje universale”.

Marlou krijoi një instrument të ri: pentametrin jambik, të parimuar, elastik, të cilin, më vonë Shekspiri do ta artikulonte deri në përsosmëri të paimagjinueshme. “Blank verse” te Marlout dallohen nga vargjet e poetëve më të hershëm, siç janë Sireu dhe Gaskonji, për shumëllojshmërinë më të madhe të theksave brenda vargut, me kontrollin më të madh të burimit të zërit dhe me mundësinë, për të arritur efekte më të mëdha, më të thekshme.

Frekuenca e vargjeve, në fund të të cilave vjen pauza, tek Marlou është edhe më e madhe se sa në poezinë e Shekspirit të kohës së pjekurisë së plotë!

Edhe Xhon Miltoni është mbështetur mbi themelin dhe përvojën poetike të Marlout.

Por risitë e Marlout në dramaturgji janë më të rëndësishme se sa arritjet e tij në metrikë!

Tek “Tamurleni i Madh” Marloi skicon heroin e vullnetit të pakufishëm dhe të pathyeshëm nga askush.

Ky qe hero i individualizmit radikal, tipik për klimën shpirtërore të Renesancës!

Para se sa të vritej misteriozisht, gjatë një grindjeje dhe rrahjeje banale në një tavernë të Londrës, në moshën 29 vjeçare, Marlou kishte shkruar pesë tragjedi.

Me tragjedinë “Doktor Fausti” të botuar në 1604, që është edhe kryevepra e tij, Marloi shpalos tipin ambicioz të kërkimit absolut të Lirisë, kurse përfundimi tragjik i heroit na kujtojnë faktin se deri në ç’masë mbeturinat religjioze mesjetare e modifikonin humanizmin.

Me tragjedinë “Ebreu i Maltës” (“The Jew of Malta”) botimi si liber në 1623, -Marloi, kishte sjellë në skenë heroin kriminel, makiavelist, mbi bazën e interpretimeve të gabuara, protestante, të mendimtarit të madh italian, Makiavelit.

Në 1594, Marlou botoi dramën “Edwardi II”.

Kjo dramë historike është një shtjellim kronikor.

Kjo dramë dëshmon se Marlou ishte nisur nga një psikologji me komplekse për një analizë shoqërore më të hollë dhe më universale.

Dramaturgjia e madhe e Marlout, bashkë me vargjet e tij lirike, por edhe narrative, tregojnë për një autor të spikatur, gjenial padyshim.

Të mendosh se vdiq, kaq i ri dhe t’i shijosh veprat e tij të jashtëzakonshme, bindesh, se ky poet dramaturg do të paralajmëronte në mënyrë profetike ardhjen e një talenti vullkanik, dmth gjeniun e pakapërcyer, dot nga të tjerët, Shekspirin.

Në bibliotekën time e kam një botimin e „Tamurlaine the Great“ të shekullit XIX, që e bleva nga një antikuitarist librash në Londër.

Ajo, që më intereson pafundësisht është fakti që Marlou ka shkruar dhe vënë në skenë një tragjedi për heroin shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kjo dëshmohet në mënyrë shumë të sigurtë!

***

Në një nga sallat e “Corpus Christi College”, në Universitetin e Kembrixhit në Angli, midis pikturave të tjera të shumta, gjendet e varur edhe një portret i një njeriu, i cili, që nga largësitë e 400 vjetëve, vazhdon të shohë me të njëjtin vështrim të heshtur studentët e panumërt, që koha i sjell përpara tij.

Sipas regjistrave dhe vërtetimeve nga burime të treta, ai është portreti origjinal i Kristofer Marlout (Christopher Marlowe).

Një punim vaji tipik i asaj kohe, dhe në një kënd të saj, bashkë me shënimin e vitit 1585, si viti i realizimit të portretit, është dhe një citim latinisht: “Quod me nutrit me destruit”. Shqip:“Ajo qe me ushqen edhe me shkaterron”

***

Kristofer Marlou (Christopher Marlowe) është një nga poetët dhe dramaturgët më të mëdhenj të letërsisë së Rilindjes angleze, i cili brenda jetës së tijfatalisht të shkurtër , qe në gjendje të ndriçonte me një dritë aq të fortë, saqë ajo dritë shihet edhe sot e kësaj dite.

Marlou, i zgjuar nga natyra, vazhdon shkollën dhe në një farë pike i ofrohet edhe një bursë për të vazhduar në kolegj, ku ai studion Biblën, filozofi, histori.

Aty arriti të marrë “Bachelor of Arts” nga “Corpus Christi College” në Kembrixh.

Shumë shpejt bëhet i njohur për poemat dhe dramat e tij, krijime që i hapin dyert më të larta të shoqërisë londineze, por në të njëjtën kohë bëhet i njohur, ca edhe më shumë për mënyrën jo të zakonshme të të jetuarit.

Ai bëri gjithçka. Ishte agjent i shërbimeve sekrete të Mbretëreshës, u burgos dy herë për histori që mbaruan me nga një të vdekur.

Një herë e përzunë nga Holanda si falsifikator monedhash floriri (në një nga qëndrimet e tij në burg, thonë se u njoh me një çifut që e futi në falsifikimin e monedhave), dhe së fundi arriti deri në atë pikë sa t’ia bënte” borxh” Kishës, kur deklaroi se Bibla “ishte jobindëse.”

Kundër tij u përgatit një dosje për ateizëm dhe blasfemi, krime këto të dënueshme me vdekje, dhe shoku i tij i dhomës, nën torturë, pohoi se disa shënime që flisnin mbi ekzistencën jobindëse e Biblës, ishin shkruar nga dora e Kristofer Marlout (heretik, mendimtar i lire dhe jofetar).

Para se t’i vinte ora për të dalë në gjyq, Marlou, pasi kishte ngrënë e kishte pirë në një lokal me emër në Londër, bën sherr me një mikun e tij në lidhje me pagesën e llogarisë, dhe në zënie e sipër, miku i tij, mbasi i merr një thikë që Marlou e kishte në dorë, ia ngul tejpërtej në sy, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas dy ditësh e varrosën në një varr pa emër, dhe me siguri Marlou njeri do të ishte harruar nëpër errësirën e historisë sikur të mos ekzistonte Marloi poet e dramaturg.

Marlou , në 6 vjetët e tij të krijimtarisë dramaturgjike, shkroi shumë vepra, por nga më të njohurat për kritikën janë “Dr. Faust” (Dr.Fausti), (Çifuti i Maltës), “Edward II” (Eduardi II), etj.

… Come with me, and be my love

And we will all the pleasure prove

That valleys, groves, hills and fields

Woods or steepy mountains yield…

 

Për të thonë se nëse Shekspiri ishte si drita e mëngjesit në letërsinë angleze, ai ishte Ylli i i mëngjesit i saj.

***

Deri këtu, rendi kronologjik i ngjarjeve, megjithëse ka të bëjë me një personazh në kufijtë e së jashtëzakonshmes, është më se normal e i zakonshëm.

Por ajo që e bën të veçantë rastin e tij, është fakti se shumë nga studiuesit, kritikët dhe historianët e sotëm mendojnë se nuk duhet bërë dallim midis Marlout (Marlowe) dhe Ulliam Shekspirit (William Shakespeare), sepse ata janë i njëjti person.

Përveç analizës së mënyrës së të shkruarit dhe të të shprehurit, që sipas kritikës, është shumë e përafërt, një teori, që mbështet ngjashmërinë fizike midis dy personazheve, bazon analizën e vet pikërisht në portretin , që u përmend në fillim të shkrimit.

***

Sipas autorit anonim të një libri me titullin “In Search of Christopher Marlowe” (“Në kërkim të Kristofer Marlout”: “A Pictorian Biography”, që përpiqet të vërtetojë këtë teori, në lidhje me adaxhon që gjendej në portretin e përmendur më lart, autori anonim thotë: … “Sipas profesor Gilbert Hajit (Gilbert Highet), klasicist amerikan, paralelja e saj e saktë, nuk gjendet në asnjë nga shkrimet e autorëve të vjetër grekë dhe latinë, të cilët Marlou (Marlowe) mund t’i ketë përdorur si burime; po kështu, ajo nuk gjendet as në punimet e shkrimtarëve anglezë para Marlout (Marlowe).

Çuditërisht, ripërdorimi i saj i parë gjendet në një vepër disi më të vogël të Shekspirit në sonetin LXXIII, në një përkthim anglisht “I konsumuar prej asaj me të cilën ushqehesh”, është në një variant të një versioni latin të Perikliut, akti II, skena 2, rreshti 33, kur kalorësi i katërt, që mban një pishtar të kthyer me kokë poshtë që po konsumohej nga flaka e tij, ka një moto: “Quod me alit me extinguit”… Në një libër tjetër me titullin “The Murder of the Man Who was Shakespeare” (Vrasësi i njeriut që ishte Shekspir), autori shpjegon: … “Në dimrin e vitit 1954 unë vizitova profesor Gilbert Hajtin (Gilbert Highet) të Universiti “Columbia” për të sqaruar nëse motoja latine në portretin e Kolegjit “Corpus Christi” ishte përdorur nga autorë grekë ose latinë të lashtësisë, meqenëse ekzistonte mundësia që ajo moto, duke qenë e mirënjohur nga latinistët elizabetianë të kohës, mund t’i ishte ofruar Marlout (Marlowe) me anë të shkrimeve të tyre. Gilbert Hajt (Highet) është një nga shkollarët klasicistë më të njohur të Amerikës, i cili është i specializuar në greqisht dhe latinisht.

Unë i tregova atij moton, dhe e pyeta nëse mund të përcaktonte origjinën e saj në lashtësi.

Më tha të prisja. Pastaj për mbi dy orë ai u mor me libra të leksikut latin dhe grek, libra referimesh dhe konkordimesh të çdo natyre e përshkrimi. Pasi e konsumoi veten dhe të gjithë librat e tij të referencës, ai më tha: “Asnjë grek ose latin nuk e ka përdorur ndonjëherë këtë moto. As këtë dhe as ndonjë të përafërt me të.

Më duhet të arrij në përfundimin që krijimi i saj është unik dhe tepër individual, qartësisht unik dhe individual.”

Përfundimi, i parezistueshëm, është se duke qenë se të gjitha pikat identifikuese të portretit të çojnë te Marlou (Marlowe) dhe se motoja e tij riduket në një nga pjesët e Shekspirit (“Perikliu”), “motoja është unike dhe individuale”, dhe meqenëse teza është se Marlou shkruajti veprat e Shekspirit, atëherë kjo është një konfirmim tjetër që vërteton autorësinë e Marlout, fakt i cili mund të vihet përkrah ngjashmërisë së pabesueshme, ndërmjet portretit të “Corpus Christi”-t dhe gravurës së autorit, autorit real të pjesëve”…

Ajo që e bën më interesante këtë përshkrim të këtyre kohëve të mjegullta e të largëta dhe që në një farë mënyre bën një lidhje indirekte të këtyre autorëve të famshëm me Shqipërinë, ose më saktë me shqiptarët, është fakti se dihet historikisht që vepra e parë për skenë e Kristofer Marlout (Christopher Marlowe) ka qenë “The True History of George Scanderbeg” (Historia e vërtetë e Gjergj Kastriot Skënderbeut), bazuar në jetën e Princit të Krishterë të Shqipërisë, vepër e cila ka humbur.

Një nga veçoritë e Marlout (Marlowe) ishte se ai ishte aq i suksesshëm si dramaturg sa veprat e tij luheshin në teatrin dhe nga trupa më e mirë e kohës.

Në qoftë se ashtu siç thuhet nga disa specialistë, është e vërtetë se Marlou (Marlowe) është Shekspiri, do ishte shumë interesante të dihej se çfarë përmbante e si zhvillohej vepra e tij mbi Skënderbeun. Unë nga Marlou nuk njoh thuajse asgjë, por Shekspirin e kam lexuar gjerësisht. Jul Çezari i famshëm, elegjia e Mark Antonit për Çezarin e vrarë, ankthi i konspiratorëve dhe vdekja e palavdishme e tyre, mundet në një farë mënyre të na japin një ide se çfarë force mund të arrijë fjala në penën e Shekspirit. Çfarë do të kishte qenë në gjendje bardi i famshëm të vinte në gojën dhe në veprën e Skënderbeut?

Si do ta kishte përshkruar rigjetjen e krishterimit prej tij dhe furinë e shqiptarëve mbi turqit e pafe? Asnjë s’mund ta dijë.

Bile është e vështirë për ta marrë edhe me mend. “

***

Skënder Luarasi i pavdirë, ka shkruar se Kristofer Marlou (Christopher Marlowe) që qe dramaturg i madh anglez ka qenë edhe autor i subjektit “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit”, që arriti të luhej në teatrin “Globus” të Londrës.

Sipas disa kritikëve bashkëkohës Marlou cilësitë e Skënderbeut ja veshi figurës së Tamurlanit (Timurlengut).

Këta kritikë, thekson Luarasi, e quajnë një fakt krijues alternativ, se Marlou e krijoi figurën e Skënderbeut me shëmbëlltyrën e Mbinjeriut (Shih, Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, vëllimi I, Tiranë, 1969, si dhe Skënder Luarasi, “Skënderbeu në letërsinë angleze”, f. 431 – 433).

Luarasi thotë se “Skënderbeu” i Marlout u luajt në 3 korrik 1601.

Vështirë të dyshosh, se vepra e Marlout për Heroin shqiptar është një fantazmagori, apo një shpikje halucinante!

Përkundrazi!

 

***

Humbja e tekstit të Marlout për Skënderbeun është vërtet një fatkeqësi.

Por nuk është aspak një fatalitet apokaliptik.

Marloi qe gjeniu i parë, që foli nga anglezët për Heroin Shqiptar, pra një lloj hapje peruruese rruge për Bajronin, shekuj më pas!

***

Mos të harrojmë edhe vepra të tjera të autorëve anglezë si:

1) Thomas Whincon “Scanderbeg of love and Liberty”, London, 1730.

2) W.Haward “Scanderbeg”, 1733.

3) G. Lillo “The Christian Hero”, 1735

***

Sepse Skënderbeu shqiptar u bë edhe Hero semantik i Lirisë së popujve në shekuj!

Shpërndaje në