Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, njëherësh publicisti Bardhyl Mahmuti ka reaguar serish ndaj raportit të senatorit zviceran Dick Marty për të ashtuquajturin trafikim organesh dhe shtëpinë e verdhë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se raporti i Dick Marty është përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe se janë dashur vite që kjo çështje të ndriçohet tërësisht.

“Më 24 tetor të vitit 2018, gjatë përurimit të librit të tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, në televizionin serb “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfen për mënyrën si iu dhanë Dick Martyt “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për shtëpinë e verdhë”. Ikja nga ballafaqimi nuk është karakteristikë e atyre personaliteteve që pretendojnë se janë burra të fjalës dhe që shesin moral. Sa më përket mua e lë të hapur mundësinë e ballafaqimit me cilindo qoftë që ka shpifur rreth luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Madje nëse do të ndihej më i sigurt, Dick Marty mund të vijë në debat së bashku me ish- ambasadorin e Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiqin dhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë të cilët redaktuan raportin për gjoja “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë””, ka shkruar Bardhyl Mahmuti.

Shpërndaje në