Mimoza Kelmendi -Për të qenë të sinqertë, kush ka ndjekur nga afër zhvillimet qysh në Konferencën e Rambujesë apo të Parisit dhe më pas Planin Ahtisari me implementimin i tij, apo shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (shkurt 20008), e ka kuptuar se me veriun diçka nuk shkon. Në vitin 1999, ndërkombëtarët, duke vënë kufirin mbi lumin Ibër, praktikisht ndan edhe qytetin e Mitrovicës, duke e lënë pjesën veriore të qytetit në duar të Ushtrisë dhe Policisë jugosllave. Shkurt dhe troç: Një skenar i turbullt me prapavijë nga ndërkombëtarët ishte sajuar. Por, siç thotë populli: një sy qorr dhe një vesh të shurdhër, u pranua edhe nga shqiptarët. Pikërisht ky skenar tashmë duket se po vë në lëvizje “regjisorë dhe aktorë” kudo për t’i dhënë fund ngërçit që veç armiqësisë, asnjë perspektive tjetër nuk ofroi.

Si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin.

Tani, shtator 2018, shtrohet pyetja: A është premtimi i anëtarësisë aq i fortë sa që të gjitha palët të ulen dhe të thonë: Mirë ne jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo OKB. A jemi gati t’i sakrifikojmë disa nga parimet të cilave u jemi përmbajtur deri tani për arsye të besimit, për arsye politike, ideologjike dhe për arsye strategjike. A jemi gati të sakrifikojmë, të heqim dorë nga pretendimet, kërkesat tona, sepse këtu është rreziku edhe i ruajtjes së prestigjit në këtë proces. Për shembull të dilte presidenti i Serbisë dhe të thoshte: Po, do ta njohim Kosovën si shtet. Ose presidenti i Kosovës të thotë: A është vërtet e nevojshme pjesa veriore për ne? Nuk them që kjo duhet të jetë zgjidhja dhe nuk them që është kjo e vetmja zgjidhje, por dua të them që duhet të ketë një nivel shumë të lartë të pragmatizmit në negociata që të arrihet një mirëkuptim për zgjidhje.

Nëse Serbia është vërtet gati për një hap të tillë, për një njohje ndërkombëtare, për një përcaktim kufijsh me Kosovën dhe vetë Kosova është gati për të rënë dakord për një përcaktim kufijsh të rinj apo ndryshim ose korrigjim kufijsh me Serbinë, askush nga Bashkimi Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të thotë jo. Sepse nëse bëhet në mënyrë paqësore përmes negociatave dhe nëse procesin e mbështesin shumicat e popullsisë, që do të thotë nëse Parlamenti i Kosovës dhe Parlamenti i Serbisë bien dakord për një marrëveshje të tillë, unë mendoj që ky do të ishte një hap i dy shteteve sovrane, që e njohin njëri-tjetrin. Kjo do të ishte legalisht e mundshme, por unë nuk jam e sigurt nëse politika është e gatshme për këtë, pra politika e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Këtë e tregoi edhe vizita e Vuçiqit në Kosovë, apo mungesa e një qëndrimi unik të liderëve në Prishtinë.
Në thelb dy shtetet sovrane kanë të drejtë të negociojnë edhe për kufijtë midis tyre. Problemi është a ka një besueshmëri mes dy palëve apo jo, pra duhet të zhvillohen negociata serioze me këtë frymë besueshmërie për të arritur në një zgjidhje. Edhe Kosova vetë duke pranuar që ka një minoritet në veri, por që është armiqësuar me të gjithë Kosovën, mund të arrijë edhe në një pozitë që duhet të shtrojë pyetjen nëse i duhet ky minoritet? Natyrisht që kjo çështje është shtruar në tryezën e bisedimeve, por kam drojë se një marrëveshje “historike paqësore” në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të përfundojë edhe në qorrsokak.

Shpërndaje në