Kompetentët në teatrin shqiptar edhe pse u ftuan të shpjegojnë, se pse pa tender kanë nënshkruar një kontratë të re për ndërtimin e objektit, ata refuzuan të flasin. 

Alsat M njoftoi dje se ky institucion ka nënshkruar një kontratë të re në katër sy me kompaninë “Shencija” nga Italia, këtë herë me vlerë gati 1 milion euro. Më parë teatri me të njëjtën kompani ka nënshkruar një aneks me vlerë prej 200 mijë eurove. Marrëveshja u nënshkrua më 13 dhjetor 2016, kur me Qeverinë udhëhiqnin VMRO-DPMNE dhe BDI. Dokumentet e Byrosë për Prokurime Publike tregojnë se që nga fillimi i restaurimit të këtij objekti kapital në kulturë në vitin 2014, deri tani janë nënshkruar kontrata me vlerë prej 9 milion e 100 mijë euro.

Më 31 maj duhet të përfundojë rikonstruksioni i teatrit shqiptar. Të paktën kështu shkruan në dokumentin e shpallur publikisht në Byronë për prokurime publike. Në dhjetor u nënshkrua një aneks i ri i kontratës, me vlerë pothuajse një milion euro, dhe i shpallur publikisht në BPP në muajin janar. 

Saktësisht katër vjet më parë, qeveria e VMRO dhe BDI-së njoftoi për rindërtimin e teatrit shqiptar. U zgjodh kompania italiane “Lamone Moreda”, e cila për 8 milionë euro u desh ta përshtatë dhe rinovojë objektin. Por, autoritetet italiane kanë bërë të ditur se firma ka falimentuar dhe informacionin dy vjet më parë për Alsat M e konfirmoi Sekretari i atëhershëm i Shtetit në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.

Afati për restaurimin e ndërtesës së vjetër dhe të shkatërruar i shkeli të gjitha afatet e përcaktuara. Alsat M për nënshkrimin e një aneksi të ri me kompaninë, “Shencija” pyeti në Ministrinë e Kulturës. Ata theksojnë se kontratat i nënshkruan Teatri Shqiptar, si një entitet i veçantë juridik, dhe ata vetëm i sigurojnë paratë.

Pas vonesës së gjatë, Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Maqedonisë me buxhetin e ri për vitin 2018 siguruan fonde për rikonstruktimin e Teatrit shqiptar, për të vazhduar me ritëm të përshpejtuar dhe ky objekt më në fund të rindërtohet. Në këto pak muaj treguam se shpenzimi racional dhe i përgjegjshëm i fondeve të qytetarëve, me ndjekjen maksimale të procedurave ligjore është prioriteti ynë kryesor. Lidhur me rastin në fjalë, të gjitha kontratat për ndërtimin e Teatrit shqiptar janë mes Institucionit Kombëtar, Teatri Shqiptar, dhe mbajtësit e prokurimit publik – thonë nga Ministria e Kulturës.

Përmes Ministrisë së Kulturës është bërë ndryshim në programin e rindërtimit të ndërtesave që i përdorin institucionet kombëtare nga fushe e kulturës, me çka financimi i rindërtimit të teatrit shqiptar vazhdoi. Programi është miratuar dhe nënshkruar nga Zëvendës kryeministrja, Radmilla Shekerinska. Ndërkohë, qeveria në seancë, në nëntor të vitit të kaluar ka siguruar para për të shlyer borxhet e Teatrit Shqiptar. Propozimi u votua në Parlament, dhe për këtë u siguruan mbi 300 mijë euro. Për detyrimet e papaguara gjatë ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë janë parashikuar 1 milion e 200 mijë euro shtesë.

Shpërndaje në


21 September 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget