Dëshmitë e fundit të ekspertëve dhe inspektorëve në rastin ‘Monstra’, treguan qartë që rasti është i montuar dhe se të akuzuarit janë të pafajshëm.

Avokati mbrojtës Asmir Alispahiq deklaroi në emisionin ‘Enter’ në TV SHENJA se pala mbrojtëse më në fund ka arritur të dëshmojë se ky rast është I montuar dhe se të akuzuarit nuk kanë asnjë lidhje me këtë vepër penale. Ai shtoi se dëshmia e ekspertes që ka bërë ekspertizën e dheut nga Smillkova dhe Vrazhimiri u vërtetua të jetë e falsifikuar dhe me këtë bije poshtë lidhshmëria e të akuzuarve me veturën Opel Omega, që është edhe elementi kryesor ku mbështetet aktakuza.

“Këtu dua të potencoj se në thelb bëhet fjalë për përpunim të ekspertizës e që e ka kërkuar ish prokurorja publike Gordana Geshkovska përmes gjykatësit hetues në pjesën e gjoja përshtatjes se vetura Opel Omega e cila është gjetur në Vrazhivir, ka qenë atje. Kjo me të vërtetë la një njollë serioze në dëshminë e prokurorisë se Opel Omega ka qenë atje, dhe me gjithë këtë vetëm po dëshmohet ajo që e themi gjatë gjithë kohës se ky rast është i monotuar”, theksoi Asmir ALispahiq, avokat mbrojtës.

Nga ana tjetër, familjari i disa prej të akuzuarve në këtë rast Bedri Ajdari tha në emisionin ‘Enter’ se nuk do të kishte kurrfarë kuptimi aktakuza po të mos ishte ndërlidhur vetura Opel Omega me rastin.

“Duke pasur parasysh se ne e kemi përcjellë që 9 vite gati rastin, asnjë dëshmitar okular që kanë qenë në vend të ngjarjes, siç janë romët, ka qenë nji Sasho Llazarevski dhe disa tjerë, asnjëri nuk e pa parë veturën që ka qenë në vend të ngjarjes. Mirëpo, këtë e kanë bërë me deklaratë të dhunshme të Haki Hazirit. Atyre u është dashur një njeri I cili do t’i thotë disa fjalë, me dhunë nën kërcënimin e likudimit, për t’i dhënë kahje se gjoja është gjetur AND-ja e Alil Demirit. Duke pasur parasysh këtë fakt e në mungesë të asnjë prove material tjetër, ata e kanë lidh veturën me rastin”, theksoi familjari Bedri Ajdari.

Për vrasjen e 12 prillit të vitit 2012, kur u vranë pesë djem të rinj akuzohen Halil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 16 tetor. Ndërsa pala mbrojtëse pret lirimin e të akuzuarve nga të gjitha akuzat.

Shpërndaje në