Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe përmbushjen e të gjitha kushteve të vendosura më herët vlerësoi Komisioni Evropian. Në raportin e progresit të publikuar nga eurokomesari Johanes Han, rekomandohet çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejtë që është e mundur.

Të dyja vendet kanë përparuar në sferën e reformave të rekomanduara nga Këshilli Evropian në qershor të 2018. Në këtë drejtim, Komisioni i rekomandon Këshillit të hapë tani negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”-tha Johanes Hahn, eurokomisioner.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë shënuar progres të caktuar në zbatimin e reformave. Marrëveshja e Prespës që i dha fund ngërçit me emrin dhe i hapi rrugën fqinjësisë së mirë, ashtu siç u veprua edhe me Bullgarinë, është diçka që për neve paraqet vlerë historike në ndryshimin e lojës, jo vetëm për vendim por edhe për rajonin”-pohoi Federika Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së.

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ivo Vajgëll, kujtoi institucionet e BE-së se është koha që vendi të shpërblehet.

Ne u angazhuam dhe i premtuam qytetarëve dhe elitës politike ne Maqedoninë e Veriut që nëse ata hapin politika të reja dhe marrëdhënie me fqinjët, nëse ata arrijnë një marrëveshje si ajo e Prespës, ata do të shpërblehen. Unë them që neve duhet ta mbajmë këtë premtim”-theksoi Ivo Vajgëll, eurodeputete.

Në raportin e progresit për vendin thuhet që janë adresuar reformat urgjente të Pribesë për gjyqësorin, është krijuar situatë e qetë ndëretnike mes komuniteteve, është siguruar mbikqyrje në institucionet e reja të sigurisë, është bërë progres i dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe hapa të rëndësishëm në reformën në administratën publike. Gjatë vitit që vijon, Komisioni Evropian pret nga Shkupi zyrtar të zbatojë ligjet e miratuara në kuadër të reformave, të vazhdojë luftën e nisur kundër krimit dhe korrupsionit, të konsolidojë hetimet e nisura nga materialet e përgjuara, të adaptojë një reformë në Këshillin e Prokurorëve Publik dhe Këshillin gjyqësor dhe pozitat kyçe në administratën publike të merren në bazë të meritave. Këshilli Evropian theksoi se ka qenë e arsyeshme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të valorizohen në paketë por është në duart e vendeve anëtare nëse procesi i anëtarësimit do të shkojë paralel për të dyja vendet. Shqipëria po ashtu mori rekomandim të pakushtëzuar por ju kërkua të vazhdojë reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe gjetjen e konsensusit të brendshëm politik për të bërë prioritet eurointegrimin.

Fatlume Dervishi

Shpërndaje në