Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët që gjenden brenda dhe jashtë vendit të mos bëjnë rezervimin e biletave nëpër aviokompani.

Nga kjo ministri theksojnë se ende është në fuqi vendimi për mbylljen e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportit në Ohër.

“Derisa të merret një vendim tjetër, aeroportet do të mbeten të mbyllura për transportin e pasagjerëve dhe trafiku ajror do të pezullohet. Ky vendim nuk vlen për fluturimet shtetërore, ushtarake, spitalore, humanitare dhe për avionët transportues pa pasagjerë. Duke pasur parasysh situatën me virusin Covid-19, në këtë pikë nuk mund të parashikohet kur do të normalizohet dhe kur do të rinis transporti i pasagjerëve,” theksohet në deklaratën e Ministrisë.

Më tej thuhet se qytetarët të mos bëjnë harxhime shtesë me rezervimin e biletave, derisa nuk ka ndonjë njoftim të saktë se kur do të hapen aeroportet dhe të rikthehen fluturimet në përputhje me rregullat e reja.

“Qytetarët duhet të ndjekin vazhdimisht të gjitha informacionet e publikuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministritë dhe institucionet përkatëse duke i’u përmbajtur masave dhe rekomandimeve të miratuara”, thekoi Ministria e Transportit.

Ky njoftim vjen pasi që shumë agjenci të fluturimeve, përfshirë edhe ate Wizzair kanë caktuar data të tyre të fluturime nga 18 maji, edhe pse nuk ka asnjë njoftim apo leje për këtë nga ana e Qeverisë. Por këtë e kanë bërë edhe disa kompani tjera.

Komisioni Evropian në bashkëveprim me kompanitë e njohura të fluturimeve po shqyrton mundësinë e përcaktimit të rregullave të fluturimeve në situatë pandemie

Shpërndaje në