Vaksinimi masiv i popullatës kundër KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht filloi prej sot në A1 Arenën (salla “Boris Trajkovski”). Janë caktuar 3.000 termine për qytetarët të cilët do të vaksinohen me vaksinën ruse “Sputnik V”, njofton Portalb.mk.

Në këtë fazë do të imunizohen personat nga e ashtuquajtura infrastruktura kritike – të punësuarit në MPB, ARM, gazetarët, shoferët e autobusëve, zjarrfikësit, edukatoret në çerdhe, të punësuarit në pikëpagesa dhe të tjerë.

Sipas planit për imunizim, vaksinimi me 20.000 vaksina ruse “Sputnik”, donacion nga Serbia, do të zhvillohet në 48 pika.

Pritet që mesatarisht çdo ditë do të vaksinohen 4 mijë qytetarë, ndërsa së shpejti numri do të arrijë në 7 mijë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 61-të vendosi që salla e sportit “Boris Trajkovski” të shndërrohet në qendër për vaksinimin masiv të qytetarëve.

Gjatë 24 orëve të fundit 734 persona kanë rezultuar pozitiv nga 3.246 të testuar, ndërsa 35 persona kanë humbur betejën me virusin. Të shëruar janë regjistruar 621 pacientë. Deri tani, një total prej 641.573 testeve të Kovid-19 janë kryer në vend. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me virusin korona në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 134.867, numri i pacientëve të shëruar është 109.297, numri i atyre që humbën jetën është 3.940 dhe numri i rasteve aktive është 21.630.

Shpërndaje në