Revista e udhëtimeve zvicerane “TravelNews” rekomandon Shqipërinë si destinacionin kryesor të 2018, duke theksuar shumëllojshmërinë e jashtëzakonshme të maleve, zonave arkeologjike, florën dhe faunën, si dhe parqet kombëtare.

Shqipëria renditet mes 12 vendeve të botës për t’u vizituar në 2018, duke këshilluar që vendi ynë të  vizitohet gjatë muajit qershor.

“Shqipëria, vendi që laget në perëndim nga Deti Adriatik, është më i lirë se Kroacia dhe merr më pak turistë në krahasim nga vendi fqinjë i Malit të Zi. Ajo ofron një shumëllojshmëri të shquar të vargmaleve dhe vendeve arkeologjike në të cilat koha është ndalur. Përveç pasurisë së madhe të florës dhe faunës, Shqipëria është gjithashtu shtëpia e parqeve të ndryshme kombëtare”, thuhet në shkrimin e “TravelNews”.

“Çmimet e hoteleve janë tepër të lira, plazhet janë kursyer nga turizmi masiv dhe uji kristal i pastër të kujton destinacionet e ëndrrave në Karaibe. Përveç kësaj, 300 ditë me diell në vit flasin vetë për të”, theksohet në shkrim.

Revista rekomandon për t’u vizituar në 12 muajt e vitit këto vende; Xhamaikën në janar, Vietnamin në shkurt, Kolumbinë në mars, Marokun në prill, Majorkën në maj, Shqipërinë në qershor, Zimbambet në korrik, Iralandën e Veriut në gusht, New Orleans, SHBA në shtator, Gjerogjinë në tetor, Meksikën në nëntor dhe Sri Lankën në dhjetor.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. Në stinën e verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Shpërndaje në