Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh themelues i kësaj lëvizjeje, paraqiti para anëtarëve të saj platformën me të cilën ai kandidon për të rimarrë drejtimin e partisë.

Megjithëse pas dhe paraardhësi i tij Visar Ymeri nuk ishte fare në sallë, Kurti nuk harroi t’i drejtohej atij dhe tha se do të vazhdojë bashkëpunimin me të.

“Dua ta falënderoj Visar Ymerin për udhëheqjen e drejtimin gati trevjeçar të Lëvizjes, për punën, kontributin e angazhimin e vazhdueshëm të tij shumë të dobishëm e shumë të vlefshëm për Lëvizjen tonë. Visari është anëtar në Lëvizje bashkë me ne. Visari është deputet i Vetëvendosjes në Kuvend bashkë me ne”, tha Kurti.

Kryetari i ri “de facto” i Vetëvendosjes, pasi nuk ka asnjë rival tjetër në garë, tha se platforma e tij trajton me shumë rëndësi çështje siç janë barazia gjinore, organizim i aktivistëve në baza profesionale dhe avancimi i demokracisë së brendshme, mes të tjerave.

Kurti shprehu keqardhjen e tij për mungesën e rivalëve në garë dhe premtoi se në parti do të dëgjohet zëri i të gjithëve. Veç kryetarit të dorëhequr, Visar ymeri, në prezantim munguan edhe emra të tjerë si ish-sekretari organizativ Dardan Molliqaj, kryetari i i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, si dhe gjysma e 32 deputetëve të kësaj force.

Shpërndaje në