Lulëzim ETEMAJ -“Fitorja diplomatike”, kështu titullohet libri më i ri i diplomatit Sabri Kiçmari, përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë kohës së luftës, dhe, pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, ambasador i shtetit të Kosovës. Libri ka dalë nga shtypi në vitin 2017, ndërsa është botuar nga gazeta e përditshme e Prishtinës, “Epoka e re”.
Libri “Fitorja diplomatike”, i sjellë në formë të kujtimeve të autorit, të kombinuara edhe me shënime ditari, intervista, deklarata e komunikata, është një libër i rrallë, i karakterit historik shkencor, që për trajtim e ka përfaqësimin diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në periudhën kohore të luftës në Kosovë nga data 4 mars 1998 deri më datën 22 qershor 1999, kohë kur Kosova ishte çliruar nga pushtimi i Serbisë dhe e kishte fituar lirinë.

Protagonisti kryesor i librit është vetë autori.
Duke qenë të përfshirë në libër edhe protagonistë të tjerë të diplomacisë së UÇK-së, qoftë shkaku i bashkëpunimit dhe bashkërendimit që ka me ta Sabri Kiçmari, qoftë shkaku i informimit që ai ju bën lexuesve për veprimtarinë diplomatike të tyre, sado që në mënyrë fragmentare, libri në periudha të caktuara i tejkalon përmasat e një ditari personal, ndërsa diplomacinë e UÇK-së e bën të tejkaloj përmasat subjektive, duke nxjerrë në sipërfaqe momente dhe pjesë të shumë dimensionalitetit të saj.
Autori i librit, në kohën e përfaqësimit diplomatik të UÇK-së nuk është një diplomat i karrierës, i cili profesion dhe detyrë kryesore e ka përfaqësimin e vendit të tij në një shtet të huaj, pas emërimit që i bëhet nga institucioni përgjegjës i shtetit. Përkundrazi. Ai ishte veprimtar politik, një veprimtar politik i përndjekur, që vite më parë kishte qenë sekretar organizativ i Lëvizjes, dhe, krahas Afrim Zhitisë dhe Fadil Vatës, njëri nga bashkëdrejtuesit e Lëvizjes në Kosovë, e cila në fokus të veprimtarisë kryesore politike e kishte Lirinë dhe Republikën, ndërsa në vitin 1989 që të tre e bashkëudhëheqin Konferencën e Parë të Lëvizjes në nivel kombëtar, të mbajtur në Divjakë të Malishevës, prandaj i mungonte çdonjëra nga këto kushte të domosdoshme për kryerjen e detyrës së diplomatit.
Vrasja më 30 maj 1989 në demonstratë e bashkëveprimtarit të tij, heroit Ali Ajeti; rënia heroike e Afrim Zhitisë së bashku me Fahri Fazliun më 2 nëntor të vitit 1989 si dhe vdekja e Fadil Vatës më 25 prill 1990 në Spitalin e Baselit, këto janë disa nga zhvillimet politike, të sjella në libër në formë kujtimesh nën titullin e përbashkët në vend të hyrjes, që i paraprijnë daljes së Sabri Kiçmarit jashtë vendit, shkaku i rrezikimit për t’u arrestuar nëse edhe më tej do të qëndronte i fshehur në Kosovë, të cilat njëkohësisht e shënojnë edhe përmbylljen kronologjike të parahistorikut të përfaqësimit diplomatik mbi njëvjeçarë të UÇK-së. Momentin kulminant të këtij parahistoriku e shënon pjesëmarrja e Kiçmarit, sadoqë i ndodhur jashtë Kosovës, në debatet programore dhe vendimmarrëse në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të Lëvizjes, të gushtit të vitit 1993, në të cilat, vlerëson autori, është vendosur dhe përcaktuar qartë domosdoshmëria e organizimit të luftës çlirimtare si dhe përcaktohen bazat themelore, teorike, politike dhe filozofike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Afër katër vite më vonë, më 16 shkurt 1997, i dërguari nga Kosova, pjesëtari i Shtabit i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Sejdi Rama, i ardhur në Gjermani me detyra të veçanta nga komandanti Rrustem Mustafa-Remi, shënon fillesën e veprimtarisë diplomatike të Kiçmarit si përfaqësues i UÇK-së.
Që në takimin e parë të karakterit diplomatik në Bon, më 4 mars 1998, me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të RFGJ-së, Wolfgang Ischinger, Kiçmari e shpjegon mbështetjen që e gëzon UÇK-ja, prapa së cilës nuk qëndrojnë vetëm organizata të ndryshme politike atdhetare, por e drejta për pavarësi, si vullnet dhe e drejtë e qytetarëve të Kosovës.

Përfaqësimi politik i UÇK-së nga ana e Sabri Kiçmarit në fakt zyrtarizohet më 24 shtator 1998, në takimin e tij me Bardhyl Mahmutin në Zvicër, nga i cili Kiçmari njoftohet me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për t’i emëruar si përfaqësues për marrëdhënie me jashtë Sabri Kiçmarin, Jashar Salihun, Bilall Sherifin, Ramadan Avdiun, Agush Bujën, Rexhë Ibërdemajn dhe Mujë Rugovën, ndërsa drejtues i grupit përfaqësues ishte emëruar Bardhyl Mahmuti. Në të njëjtën ditë, të tre përfaqësuesit diplomatik të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari dhe Ramadan Avdiu e realizojnë konferencën e parë për media në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku marrin pjesë rreth 30 gazetarë të mediumeve të ndryshme ndërkombëtare.

Me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm, anëtarët e grupit njoftohen direkt edhe nga Hashim Thaçi, shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së, një javë më vonë, më 1 tetor 1998, në takimin që do ta kenë me të, ku ishin të pranishëm Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Bilall Sherifi dhe Mujë Rugova.
Që nga konferenca e parë për media në Gjenevë, përfaqësimi diplomatik i UÇK-së zhvillohet në dy rrafshe: në rrafshin medial, përmes konferencave, intervistave, deklaratave, reagimeve në media, që njihet si diplomaci publike, dhe atë të diplomacisë klasike; përmes takimeve me ministra e zëvendësministra të jashtëm shtetesh, diplomatë, atashe ushtarakë, me Kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, Louis Arbour, në Parlamentin Evropian dhe atë të Belgjikës.

Intervista e parë e Kiçmarit në cilësinë e përfaqësuesit të UÇK-së, e dhënë për gazetën gjermane “Der Spiegel”, realizohet më datën 12 tetor 1998. Kjo intervistë pasohet nga një mori intervistash, deklaratash e reagimesh tjera të autorit për gazetat “The Guardian”, “Birmingham Pot”, “Die Presse”, “Süddeutsche Zeitung”, “Reformatisch Dagblat”, “Hürriet Daily”, “Der Standard”, “Facts”, “Tageszeitung”, “Saarbrücker Zeitung”, radiot “Radio Berlin”, “Radio Austrinë”, televizionin “NTV”, “ZDF”, “Deutschlandfunk”, kurse Konferenca për media, pas Gjenevës, mbahen edhe në Bruksel, Bon e Vjenë.

Nga lënda e librit vërehet gjithashtu se kontaktet me mediat ashtu dhe ato me përfaqësues politik apo ushtarak shtetesh, përfaqësimin e UÇK-së nga ana e Sabri Kiçmari, Bardhyl Mahmutit, Jashar Salihut dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit diplomatik i cilëson paraqitja shumë e kujdesshme, duke përfshirë edhe veshjen dhe zotërimin e rrjedhshëm të gjuhëve gjermane, franceze dhe angleze, përgatitja në shkallë të lartë, me të dhëna dhe faktografi konkrete, durimi argumentues i të drejtës së Kosovës për t’u çliruar përmes luftës së armatosur të UÇK-së si një luftë e imponuar nga shtypja dhe dhuna e Serbisë, dhe këmbëngulësia për ta fituar besueshmërinë për hyrje në raporte serioze diplomatike dhe mbështetjen evroamerikane të luftës çlirimtare të Kosovës përmes kalimit të sprovave të kooperimit, dëshmimit praktik të organizimit strukturor dhe përgjegjshmërisë si parakushte të domosdoshme.

Bazuar në të dhënat e librit, përfaqësimi diplomatik i UÇK-së kalon nëpër faza të ndryshme, të dallueshme nga njëra tjetra, varësisht nga fazat e zhvillimit të UÇK-së, përkatësisht luftës në Kosovë. Përderisa në fazën fillestare, nga Kiçmari dhe përfaqësuesit tjerë diplomatik të UÇK-së i gjithë angazhimi zhvillohej në drejtim të shpjegimit dhe bindjes së faktorit ndërkombëtar, se UÇK ishte një ushtri me strukturë dhe hierarki të qartë drejtuese politike dhe ushtarake; se lufta e saj ishte e pandikueshme dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me qarqe dhe bindje ideologjike, regjionale dhe religjioze, propagandë kjo që po përhapej nga qarqe mediale dhe diplomatike të Serbisë; prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; argumentimin, se mërgimtarët po i përgjigjeshin vullnetarisht luftës dhe se nuk po ndodhte mobilizimi i dhunshëm i tyre, në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë, që shënon edhe fazën vendimtare të luftës së Kosovës, në qendër të përfaqësimit ishin njoftimi i dokumentuar i opinionit publik, politik, diplomatik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit, rezultati i të cilit me siguri që do të ishte pavarësia e Kosovës ndërsa UÇK nuk duhej shpërbërë, por transformuar në ushtri të Kosovës.

Janë gazetarët e shumtë gjermanë ata që nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, më 18 mars 1999, nga ana e delegacionit të Kosovës, e cilësojnë si “fitore diplomatike të UÇK-së” me rastin e ftesave të shumta dhe urimit që i bëjnë diplomatit të UÇK-së, Sabri Kiçmari, i cili Marrëveshjen e vlerëson si rreshtim të Kosovës për herë të parë publikisht dhe përmbajtësisht me Perëndimin, dhe, si të tillë, e quan fitore të madhe. Duke qenë hera e parë kur në libër flitet për fitoren diplomatike, konsideroj se edhe titulli i librit e ka prejardhjen pikërisht tek akti i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Rezultatet e para, të prekshme, të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, shfaqen gjashtë ditë më vonë, më 24 mars 1999, kur fillojnë bombardimet ajrore të NATO-s kundër Serbisë, kurse bombardimi i NATO-s mbi Beograd konsiderohet nga autori i librit si forma më e dukshme e fitores diplomatike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë Kosovës.
Sjellja e herëpashershme nga ana e autorit e kujtimeve nga përjetimet dhe emocionet e veçanta të çastit të pas rënies së bashkëveprimtarëve Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Fehmi Lladrovci dhe Xhemajl Fetahaj, nxjerrë në sipërfaqe segmente të pasura, fisnike, të anës personale njerëzore të autorit, ia shton vlerat e përgjithshme librit, posaçërisht ato historiografike, ndërsa lexuesin, posaçërisht atë të gjeneratës së pasluftës, e ndihmon për t’i njohur më mirë këta heronj të Kosovës.

Është në interes të lexuesit, në kuptimin e njohjes së tij me një aspekt tjetër të luftës në Kosovë, në këtë rast mungesës së unifikimit politik ndërshqiptar, bërja publike e skenave groteske si ajo në Komisionin Evropian, e datës 10 nëntor 1998, ku në vend se të ulen së bashku, delegacioni i LDK-së dhe ai i UÇK-së ulen përballë njëri-tjetrit, dhe, përderisa përfaqësuesit e UÇK-së, Bardhyl Mahmuti e Sabri Kiçmari, shtrojnë nevojën për ndihmë UÇK-së dhe për ndërhyrje të Komisionit Evropian për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë, përfaqësuesit e LDK-së kërkojnë ndihma për arsimin. Groteskat e tilla janë po ashtu një lëndë e çmueshme në interes të analizave dhe trajtimeve të ndryshme shkencore: historike, politologjike dhe sociologjike.

Kthimi i diplomatit Kiçmari më 21 qershor 1999 në Kosovën e çliruar, i sjellë në libër përmes një simbolike të fuqishme siç paraqet hyrja përmes qytetit të Lidhjes, Prizrenit, marshimi i togës së ushtarëve të UÇK-së në një rrugë të këtij qyteti, ideja për ta vizituar më të mbërritur në Prishtinë së pari të zotin e shtëpisë në Kosovë, Bacën Adem Demaçi, i cili në gushtin e vitit 1998 ishte emëruar Përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së, shkuarja në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, nga e cila, siç njoftohet më 5 prill 1999 nga RTSH, Sabri Kiçmari ishte emëruar përfaqësues diplomatik në Austri, kurse Bardhyl Mahmuti në Francë, Jashar Salihu në Zvicër, Pleurat Sejdiu në Britani të Madhe, Mujë Rugova në Gjermani dhe Dino Hasanaj në SHBA, takimi i tij me kryeministrin Thaçi dhe ministra të shumtë, dhe përmbyllja e ditës së hyrjes me qëndrimin në Komandën e Zonës Operative të Llapit, takimi aty me komandant Rrustem Mustafën-Remin, Çelin, Doktorin, Latën, Dajën dhe, kulminacioni, takimi me Sejdën, Sejdi Ramën e takimit të 16 shkurtit 1997 në Gjermani, është kryekëput në funksion të bërjes sa më të prekshme për lexuesit të fitores diplomatike, njëkohësisht dhe happyendit, edhe letrar, të kësaj fitoreje të UÇK-së dhe Kosovës.

Libri “Fitorja Diplomatike” është një libër i rrallë, që pasqyron një pjesë të angazhimit të autorit dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatik të UÇK-së në Evropë në mbështetje të UÇK-së dhe luftës së saj për lirinë e Kosovës, dhe si tillë paraqet një angazhim të vyeshëm shkencor të diplomatit Kiçmari në shkrimin dhe publikimin e historikut të diplomacisë së UÇK-së si pjesë e rëndësishme e historikut të përgjithshëm të saj, të përpjekjeve dhe luftës së Kosovës për liri.