“Serbia është gjithmonë e gatshme ta vazhdojë dialogun me Prishtinën nën kujdesin e Bashkimit Evropian, por gjithashtu duke respektuar pozicionin e Shteteve të Bashkuara, si edhe pozicionet e Rusisë dhe Kinës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot.

Ai kështu iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se çfarë u thotë atyre që thanë se Serbia do ta njohë Kosovën, ndërsa shtoi se ai më përpara do ta vendoste “kokën mbi cung” sesa të nënshkruante ndonjë dokument për njohje.

Vuçiqi tha se ai e kishte refuzuar një herë njohjen e Kosovës në Washington, ku ai theksoi se kishte dy versione të marrëveshjes.

“Unë nuk mund ta përshkruaj atë ndjenjë për ju, shërbimet tona zbuluan se pyetja do të bëhej, kështu që unë shkova në shtëpinë më të fuqishme në botë me një frikë të madhe, nuk kisha frikë, sepse e dija se cili do të ishte vendimi im”, tha Vuçiqi.

Ai deklaroi se menjëherë e kishte tërhequr delegacionin e tij dhe se ai i kishte thënë delegacionit amerikan se Serbia nuk do të nënshkruante një marrëveshje të tillë.

Vuçiqi thotë se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialogun nën kujdesin e BE-së, por se do ta respektojë gjithashtu pozicionin e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

“Unë nuk do ta gënjej popullin, për të thënë se situata është e lehtë dhe unë po e luaj një hero. Situata është e vështirë dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë. Siç ju thashë tri ditë më parë, e shoh, e pres, po shoh se ngushtohet ngadalë, sepse konfliktet e tyre të ndërsjella në botë po bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe ne po paguajmë çmimin për këtë”, përfundoi Vuçiqi.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një letër urimi protokollare, i ka kërkuar Vuçiqit të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, ku do të përfshihet edhe njohja reciproke me Kosovën.

Shpërndaje në