Edhe katër raste të reja janë konfirmuar se janë prekur me koronavirus.  Rastet e fundit janë nga Ferizaj, Prishtina dhe Gjakova.

Nëpërmjet një njoftimi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se kanë bërë edhe 30 teste të reja prej të cilave 4 kanë rezultuar se janë prekur me COVID-19.

“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, thuhet në njoftim.

“Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive”, thuhet më tej në njoftim.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24  orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike.

Nga data 01.02.2020 deri me 21.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.775 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.110, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.102, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 1.699, Kullë 960, Qafë Morinë 47, Bërnjak 462, Qafë Prush 35, Muçibabë 152 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 21 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 276.996 raste të COVID-19 me 11.419 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (81.008), Italia (47.021), Irani (18.407), Spanjë (21.574), Gjermani (19.848), SHBA (19.774), Iran (19.644), Francë (12.612),  Zvicër (5.615), Mbretëri të Bashkuar (3.983), Holandë (2.994), Austria (2.666), Belgjikë (2.257), Turqi (670), Greqi (495), Slloveni (341),  Serbi (149), Kroaci (130), Shqipëri (70), Maqedoni e veriut (76).

Deri me 21 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 6.136   raste të vdekjes: Itali (4.032), Spanjë (1.093), Francë (450), Mbretëri të Bashkuar (177), Gjermani (68), Belgjikë (37), Greqi (10), Turqi (9), Danimarkë (9),  Poloni (5), Austri (6), Luksemburg (5), Bullgari (3), Shqipëri (2), Serbi (1), Kroaci (1) dhe Slloveni (1).

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.

IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.

Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.

Shpërndaje në


10 April 2020

Facebook

Facebook Pagelike Widget