Autor: Albana Bajrami, Radio Kosova

Nesër skadon afati për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për targat me Serbinë. Aktualisht, është në fuqi marrëveshja e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Grupet teknike të të dyja vendeve, tashmë ndodhen në Bruksel, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Analistët thonë se ka mundësi që sërish të arrihet një marrëveshje e përkohshme, pasi Serbia nuk pranon zgjidhje tjetër.

21 prilli është afati i fundit kur duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ndodhen në Bruksel për këtë çështje, ku marrëveshjen e përkohshme për targat duhet ta zëvendësojnë me një marrëveshje përfundimtare.

Lidhur me këtë, ish ambasadori Avni Spahiu, tha për Radio Kosovën se ka indikacione që mund të arrihet përsëri një marrëveshje e përkohshme, pasi Serbia nuk pranon zgjidhje tjetër për njohje reciproke të targave.

 “Me qëndrimin e vet, Serbia mund të shtyjë edhe këtë proces e të mos bëjë asnjë kompromis, që të arrihet qoftë edhe një marrëveshje e vogël, siç është kjo e targave. Ky është një indikacion, që Serbia aq më pak do të pranonte që të ketë një marrëveshje finale, që do të njihte shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, profesori Afrim Hoti tha për Radio Kosovën se pa trysni ndërkombëtare nuk ka marrëveshje, derisa beson se më 21 prill mund të arrihet marrëveshja për targat ndërmjet dy vendeve.

 “Praktika ka treguar se shpesh janë arritur marrëveshjet, të paktën në rastin e Kosovës dhe Serbisë, vetëm në minutën e fundit pas një trysnie. Ky është një argument shumë i fuqishëm që të përdoret nga negociatorët që të bëjnë trysni, sepse marrëveshje nuk ka asnjëherë nëse nuk ka trysni të tillë. Nuk kam informacion, por dua të besoj që palët deri tani kanë negociuar në Bruksel dhe marrëveshja të zëvendësohet e të validohet dhe të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare më datë 21 prill”, theksoi ai.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, fundjavën që shkoi ka bërë të ditur se ekipi teknik ndodhet në Bruksel për të biseduar e të gjejnë zgjidhje. Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk pranon asnjë marrëveshje ku nuk respektohet parimi i reciprocitetit.

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës veturat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro. Kjo nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Ndërsa, më 30 shtator të viti të kaluar, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat.

Shpërndaje në