Përmes një video-mesazhi, pak para takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bëri publike emrat e kandidatëve të tij, sa i takon krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, deklaroi Kurti.

Por kush janë pretendentët e tij, të propozuar për ministra.

I përzgjedhuri nga Kurti si zëvendëskryeministër i dytë i qeverisë, Haki Abazi është diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA. Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare. Ka 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare nëpër shumë vende të botës dhe mbi 1 mijë projekte të realizuara. Tani është duke bërë studime në fushën e Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Cumbrias në Britaninë e Madhe. Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza në media dhe gazeta profesionale, artikuj akademikë dhe ka zhvilluar ide unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Momentalisht mbanë pozitën e Drejtorit të Programit në Programin Zhvillimor në Pakistan të financuar nga USAID.

Ministrja pretendente e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Ajo është bërë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në shtatorin e vitit 2010. Albulena Haxhiu ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës tri mandate radhas. Në legjislaturën e V dhe VI ka drejtuar Komisionin për Legjislacion si një ndër komisionet më të rëndësishëm të Kuvendit.

Ajo ka qenë një nga deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me drejtësinë. Albulena, konsideron që Lëvizja VETËVENDOSJE!, është subjekti i vetëm që sjellë shpresën, drejtësinë, zhvillimin, mirëqenien e barazinë andaj është e gatshme të jap kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të përfaqësojë sa më denjësisht politikat dhe prioritetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nga ana tjetër, profesori Blerim Reka, ministri i mundshëm i Punëve të Jashtme dhe Diasporës është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Reka ka qenë Ambasador i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Ai ka mbajtur edhe poste diplomatike dhe këshilluese juridike si Këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës për Integrimin në BE dhe anëtar i Ekipit të Ekspertëve për Strategjinë Kombëtare dhe Integrimin në BE. Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Ligjit të BE-së në Universitetin e Evropës Juglindore që nga viti 2002, Reka gëzon një doktoratë në të Drejtën Publike Ndërkombëtare dhe të Drejtën Civile dhe Ekonomike si dhe është autor i 18 librave.

Ndërkohë, i propozuari për ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi ka studiuar për analiza makroekonomike në Universitetin e Zagrebit në periudhën 1990-1994. Ai gëzon një doktoraturë në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë në sferën e Makroekonomisë me specializim në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut. Në Andrew Young School of Policy Studies të Georgia State University në Atlantë, SHBA përmes Programit të Bursave Fulbright ka ndjekur hulumtimet e postdoktoratures në sferën e decentralizimit fiskal për vendet në zhvillim.Që nga viti 2004 punon në Universitetin Amerikan në Kosovë ku ka ligjëruar dëri më tani Makroekonominë; Politikat Fiskale; Analizat dhe Politikat Monetare; Ekonomiksin e Resurseve Natyrore dhe Mikroekonominë. Po ashtu mban pozitën e Udheheqësit të njësisë për Ekonomiks në Universitetin Amerikan dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti. Njëkohësisht ligjëron lëndët Makroekonomia 1 dhe 2 në Akademinë Regjionale të Procreditit në Veles të Maqedonisë. Më herët ka punuar për gjashtë vite në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë si asistent për Makroekonomi dhe Financa Publike, ka mbështetur Universitetin e Prishtinës me projekte të financuara nga Pakti i Stabilitetit, DAAD-i Gjerman dhe WUS Austria; ka qenë këshilltar për politika fiskale i projektit CBF të UNDP-së; këshilltar në disa projekte të GTZ; Ekspert për politika fiskale i zyrës FAO; ka punuar si këshilltar dhe bartës i projektit për institucione të ndryshme. Është eskpert për politika fiskale; politika monetare; politika të tregut të punës; privatizim; decentralizim fiskal; borxhin publik; antikorrupsion.

Ministrja e mundshme e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka studiuar në Suedi, ndërsa është pronare e një kompanie të quajtur “R&V Consulting”, e cila merret me këshillimin e bizneseve. Ajo punon si koordinatore për Arsim të Lartë në organizatën joqeveritare që vepron në Kosovë, “Austrian Development Agency”. Duhet thënë se Hajdari është një emër jo fort i njohur dhe se informacioni rreth saj mbetet i pakët.

Lista e propozuar nga Kurti përmbyllet me kandidatin për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Ai është diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si mjek në Mitrovicë dhe si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010,  është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi. Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA. Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma.

Shpërndaje në


24 February 2020

Facebook

Facebook Pagelike Widget