Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbështetën me votën e tyre, rezolutën për heqjen e tarifave të “Roaming”-ut me Shqipërinë.

Rezoluta e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Social-Demokrate ka marrë 69 vota pro.

Nisma i takon pikërisht grupit të ligjvënësve të shkëputur nga Lëvizja Vetëvendosje, e që sot drejtohet nga Shpend Ahmeti, kryetar i Bashkisë së Prishtinës.

Heqja e këtyre tarifave ishte sugjeruar që në vitin 2014 nga Instituti “GAP” në Kosovë, në vazhdën e marrëveshjeve të arritura asokohe mes dy shteteve, takimeve të përbashkëta ndërmjet përfaqësuesve qeveritarë dhe pas deklaratave të zyrtarëve nga të dyja vendet për thellim të bashkëpunimit ekonomik.

Në analizën e atëhershme, “think tank”-u jepte disa argumente se përse dy vendet duhet t’i hiqnin shpenzimet e “Roaming”-ut mes tyre, duke kujtuar mes të tjerash se kjo lëvizje është në përputhje me direktivat europiane dhe se një model i tillë është praktikuar mes shteteve të BE-së që nga viti 2007, kur Komisioni Europian nisi aplikimin e “eurotarifave”.

Duke folur në emër të PSD-së, Dardan Molliqaj u shpreh se marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të ndërtohen mbi respektin dhe përkushtimin.

Ai shpjegoi se, përmes këtij mocioni u kërkua që tarifat të hiqeshin dhe qytetarët të mund të komunikojnë me të njëjtat çmime si në vendet e tyre.

Çështja e heqjes së “Roaming”-ut u diskutua edhe në samitin mbi dixhitalizimin e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur muajin e kaluar në Shkup.

Në fillim të majit, ministri serb i Telekomunikacionit, Rasim Lajiç pati pretenduar se do të kishte një marrëveshje, së cilës do t’i bashkohej edhe Shqipëria e Kosova, e që do të firmosej në Samitin e Sofjes, por e vetmja gjë që u miratua aty ishte lançimi i një axhende dixhitale për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila do të përfshinte edhe një udhërrëfyes për lehtësimin e uljes së kostove të “Roaming”-ut.

Shpërndaje në


16 September 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget