Zëvendës kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, në Abc News, ka folur për mundësinë e zhbllokimet të dialogut Kosovë – Serbi, për taksën e vendosur nga qeveria ndaj mallrave serbe, për idenë e Presidenti Thaçi për korrigjimin e kufijve si dhe për çështje të brendshme politike.

“Unë jam bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë. Republika e Kosovës ka bërë shumë përpjekje në muajt e fundit pas shumë tensionesh të çuditshme që kanë ndodhur vitin e kaluar, gjë që nuk ka qenë asnjëherë praktikë në Kosovë, kur ka qenë fjalë për Serbinë.

Politika kosovare pozitë dhe opozitë gjithmonë ka qenë e bashkuar në këtë pikë për shkak se kemi qenë duke fol për interesa nacionale të shtetit tonë. Ndërsa vitin që shkoi kemi pas disa situata të çuditshme nganjëherë edhe konfuze dhe për këtë arsye ne kemi marrë një iniciative që procesin ta kthejmë në binarë. Ne kemi nxjerrë një platformë e cila ka gjetur miratimin e krerëve të shtetit dhe është votuar një delegacion shtetëror.

Detyrë e Presidenti, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, e imja dhe e gjithë të tjerëve është obligimi që ne të respektojmë dokumentin që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës. Nuk ka askush mandat që të flasë përtej atij dokumenti”, tha Limaj

Pyetjes nëse ideja e korrigjimit të kufijve është hedhur në tryezën e bisedimeve, Limaj i jep këtë përgjigje:

Asnjëherë nuk është hedhur ajo ide dhe asnjëherë nuk mund të bisedohet për atë ide. Pala tjetër mund të hedhe çfarë ideje të dojë, nga pala kosovare nuk është kërkuar asnjëherë. Ne nuk mund të shkelim Kushtetutën. Ne kemi obligim dhe mandat kushtetues”.

Shpërndaje në