Mospajtimet rreth ndarjes së pozitave kryesore në udhëheqjen e institucioneve të reja si dhe përplasjet politike nga e kaluara, sipas analistëve politikë, mund të shihen ndër arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e kanë të vështirë ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës.

Ndonëse të dy partitë tashmë kanë deklaruar se janë dekoruar 100 për qind për programin qeverisës dhe numrin e ministrive, në momentin kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i filluan negociatat për ndarjen e pozitave udhëheqëse, bisedimet u ndërprenë për të vazhduar gjatë javës.

Njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ende mospajtime për çështje të caktuara.

Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dakordime mes dy partive që pritet ta formojnë qeverinë, por ka edhe shumëçka që ato nuk janë pajtuar.

“Realiteti është që përkundër vullnetit të madh për të bërë një qeveri, një koalicion, marrëdhëniet nga e kaluara këto dy parti nuk i kanë pasur të mira dhe reflektojnë në procesin e ndërtimit të koalicionit. Megjithatë këto dy parti nuk kanë alternative tjetër veç se të arrijnë një marrëveshje mes veti”, tha Rashiti.

Bazuar në dakordimet fillestare, Vetëvendosje besonte se do të marrë nën drejtim pozitën e kryeministrit dhe pesë ministri. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri. Ndërkaq dy ministri u mbeten komuniteteve pakicë, një komunitetit serb dhe një tjetër komuniteteve joserbe.

Por, në këtë rrafsh mbetet pezull pozita e presidentit të Kosovës, e cila nga pranvera e vitit 2021 do të mbetet boshe pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Zyrtarët e LDK-së nuk e kanë fshehur se duan që ta sqarojnë edhe pozitën e presidentit të ardhshëm me marrëveshjen eventuale Kurti – Mustafa (Vetëvendosje – LDK).

Rashiti thotë se jo të gjitha pozitat kushtetuese do të duhej të ishin pjesë e negociatave për marrëveshje politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.

“Koalicioni është për të ndarë apo për të formuar qeverinë e jo edhe postet e tjera kushtetuese, siç janë posti i presidentit e të tjera. Besoj se këto tema do ishte dashur të ndodhin në kohen kur t’iu vjen radha. Kjo ka të bëjë ende edhe me pasigurinë e votave në kuvend për formimin e qeverisë”, tha Rashiti.

Shpërndaje në