Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Qeveria Haradinaj është stabile. Sipas tij, për dallim nga qeverisjet e kaluara kjo Qeveri ka një zhvillim sa i përket zgjidhjes së shumë çështjeve në vend. Sherifi ka theksuar se nuk ka arsye pse kjo Qeveri mos ta çojë mandatin deri në fund. Ai ka veçuar edhe rolin e ministrave të Nismës Socialdemokrate në kuadër të kësaj Qeverie. “Mund të themi se roli i Nismës Socialdemokrate përmes ministrave dhe zëvendëskryeministrit Limaj është i theksuar në këtë Qeveri”, ka thënë Sherifi.

Duke folur për tryezat e partive politike, ai ka pohuar se këto tryeza përmirësojnë marrëdhëniet politike pozitë-opozitë, që synim kanë gjetjen e një pajtueshmërie për temat nacionale. Ai ka thënë se tryeza e fundit e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje ishte degraduese për faktin se kishte temë të vetme zgjedhjet. Sa i përket fazës së fundit të dialogut Kosovë – Serbi, Sherifi ka thënë se Nisma insiston që dialogu të mbetet brenda Qeverisë. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të heqë dorë nga përgjegjësia kushtetuese që ka në këtë proces.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, çfarë vlerësimi keni për punën e Qeverisë, ku pjesë e saj është Nisma Socialdemokrate?
Sherifi: Qeveria Haradinaj është stabile. Për dallim nga qeverisjet e shkuara ka një zhvillim sa i përket zgjidhjes së shumë çështjeve. Ne mund të ndahemi sa iu përket mendimeve nëse ato mund të jenë vendime të drejta apo jo. E rëndësishme është se kjo Qeveri është duke vepruar dhe funksionuar në funksion të zhvillimit në të gjitha sferat. Pra, ka lëvizje përpara. Unë nuk mund të flas tërësisht në emër të Qeverisë. Mund të flas vetëm në çështjet sa i përket Nismës Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Si Nismë a keni hapësirë të veprimit në këtë Qeveri?
Sherifi: Ministrat e Nismës në planin e bizneseve dhe prodhimeve vendore kanë bërë përparime. Kanë përmirësuar një mori ligjesh, siç është Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit. Po ashtu, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka bërë përparime. Z. Reçica ka punuar në drejtimin e jetësimit në praktikë të premtimeve që kanë qenë pjesë e fushatës zgjedhore, njëra ndër to, që çdo familje me asistencë sociale ta ketë nga një të punësuar. Andaj, mund të themi se roli i Nismës Socialdemokrate përmes ministrave dhe zëvendëskryeministrit Limaj është i theksuar në këtë Qeveri. Pra, dinamika në ministritë tona është e jashtëzakonshme. Ju i dini sfidat me të cilat është përballur Ministria e Arsimit, ku tashmë shihet se ka lëvizje përpara sa i përket ndryshimit të cilësisë në arsim, edhe pse kjo fushë, e cila ka pasur sfida ndër vite, ka mundur të rregullohet më parë.

“Epoka e re”: Së fundmi, ka një përafrim të bashkëpunimit të partive sa i përket organizimit të tryezave politike. Besoni se këto tryeza do të prodhojnë konsensus kombëtar?
Sherifi: Takimet që po ndodhin përmes tryezave të partive politike përmirësojnë marrëdhëniet politike pozitë-opozitë, për të gjetur një pajtueshmëri apo, siç thuhet, konsensus për temat kombëtare. Për mendimin tim, tryeza e parë dhe e dytë kanë qenë në funksion të idesë fillestare, ndërsa tryeza e tretë e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje ka degraduar sepse është marrë vetëm me temën e zgjedhjeve. Tema e zgjedhjeve do të duhej të ishte e fundit. Fillimisht do të duhej të merreshin me çështjen e dialogut, me Asociacionin dhe me tema të tjera. Kur të zgjidhen të gjitha këto tema atëherë mund të flasim se kur mund të shkojmë në zgjedhje.

“Epoka e re”: A do të mund ta çojë kjo Qeveri mandatin deri në fund?
Sherifi: Për mendimin tonë kjo Qeveri do të shkojë deri në fund. S’ka asnjë arsye të ndërpritet mandati.

 “Epoka e re”: Meqë e përmendet dialogun me Serbinë si temë nacionale, pse Nisma është kundër që presidenti Thaçi ta udhëheqë këtë dialog?
Sherifi: Nisma Socialdemokrate vazhdimisht ka insistuar dhe insiston që dialogu të mbetet brenda Qeverisë. Ne nuk jemi kundër idesë që dialogu të fillojë simbolikisht ndërmjet dy presidentëve dhe në fund të përfundojë me atë që quhet “Handshaking”. Pra, t’ia japin dorën njëri-tjetrit dhe të nënshkruajnë. Qeveria e Kosovës nuk duhet të heqë dorë nga përgjegjësia kushtetuese që ka, kurse në fund, pse jo, le t’i marrë meritat presidenti, nëse i ka mbetur aq shumë tek marrja e meritave në fazën e fundit të dialogut. Nuk mendoj se presidenti duhet të jetë ai që duhet të shkojë për t’i negociuar detajet e përditshme, të mërzitshme dhe të lodhshme që i ka një proces dialogues.

“Epoka e re”: Po çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sa do të jetë sfiduese për Qeverinë?
Sherifi: Tani kur jemi në fazën finale të dialogut, le të hyjë edhe Asociacioni në kuadër të këtij procesi dhe le të shohim se çfarë duhet të bëjmë ne në bisedime. Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është se duhet të vazhdojmë të jemi të hapur ndaj interesave të serbëve të Kosovës, por në asnjë rast që të jenë interesat e Serbisë në Kosovë. Ata duhet ta njohin Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

 “Epoka e re”: Problem vazhdon të mbetet edhe çështja e të pagjeturave. Do të duhej që kjo çështje të jetë pjesë e fazës së fundit të dialogut?
Sherifi: Janë shumë çështje të cilat duhet të shtrohen në tavolinë. Çështja e të pagjeturve është humane dhe e një rëndësie të veçantë strategjike për vendin, pasi familjet e të pagjeturve duhet të gjejnë qetësi më në fund. Serbia e ka për detyrë ose të themi parakusht këtë çështje. Pra, janë disa çështje të cilat mund të shënojnë parakushte për t’i filluar bisedimet dhe jo të lihen vetëm si pjesë e bisedimeve. Mbi të gjitha, çdo marrëveshje duhet të lidhet me njohjen e pashmangshme të Kosovës nga ana e Serbisë. Asnjë marrëveshje e cila në fund nuk e ka njohjen e Kosovës nuk do të na sjellë asgjë pozitive.

 “Epoka e re”: Në mbledhjen e fundit të Qeverisë nga dy ministra të PDK-së u kundërshtua krijimi i Zonës Ekonomike në Malishevë. Pse kjo përplasje mes partnerëve të koalicionit?
Sherifi: Sa unë pashë, më shumë ishte kërkim i qartësimit të mëtejmë sesa kundërshtim. Besoj se ministrit të cilit i është kërkuar sqarim do t’i sjellë ato dhe në fund nuk do të kemi kundërshtime sa i përket kësaj zone. Nëse fillojmë me këtë logjikë atëherë humbet kuptimi edhe i vazhdimit të një qeverisje të përbashkët, duke penguar projektet e ministrave të partive të tjera. Besoj se nuk ka pasur ndonjë qëllim. Shpresoj se kjo të sqarohet në ditët në vijim.

“Epoka e re”: Si e shihni ritmin e punës së Kuvendit, meqë ishit propozues që Kuvendit ta përfundojë seancën pa ndërprerje?
Sherifi: Problemi është se agjenda e Kuvendit është e ngarkuar me debate dhe interpelanca. Debatet mund të zhvillohen edhe pa prani të kryeministrit, por për interpelanca është e domosdoshme që kryeministri të jetë i pranishëm. S’kanë mundur të harmonizohen agjendat në mes të kërkuesve të interpelancave dhe kryeministrit. Meqë s’kanë mundur të harmonizohen agjendat, është ngarkuar shumë rendi i ditës i seancave të Kuvendit. Unë kërkova që Kuvendi të hyjë në seancë të pandërprerë me 75 pika të rendit të ditës, sepse nëse vazhdojmë me ritme javore, atëherë janë 10 javë që marrin debate dhe interpelanca, që i bie dy muaj e gjysmë plus. Pastaj është muaji gusht, muaji i pushimit. Kështu që, do të mbesim deri në dhjetor me këto pika të rendit të ditës së Kuvendit.

Albulena S. MAVRAJ

Shpërndaje në


21 September 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget