Bedri Islami-Ndoshta janë ditët më të ethshme të këtij viti: çasti kur do të vendoset nëse hapen apo jo negociatat me BE është fare i afërt

Lexo më shumë

Prof. James Pettifer*-Pas shumë vitesh vështirësish me Greqinë, shumica e maqedonasve dhe miqve të Maqedonisë mund të mendohet se janë të kënaqur me emrin e ri të propozuar.

Lexo më shumë
Bardhyl Mahmuti-Shprehja emblemë e Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka kuptimin e unitetit kombëtar dhe të respektit ndërreligjioz
Lexo më shumë

Nga Emin AZEMI-Cili do të jetë kontesti shqiptar në këtë Marrëveshje? Si edhe në të kaluarën, kur vendosej nëse Maqedonia do të jetë apo jo anëtare e OKB-së,

Lexo më shumë

Kosova e Re, shtet i lirë e i pavarur, por me sovranitet ende të gjymtuar, ka mjaft risi.

Lexo më shumë

Shkruan Bardhyl Mahmuti-

Më 10 qershor 2018, Muhamed Kajolli më drejtohet drejtpërdrejt për të më mbajtur “leksionin e dytë”! Ai deklaron se, përmes “leksionit të parë”, paska pasur qëllim të më tregojë se unë nuk e njohkam “problemin e Lindjes së Mesme” dhe “të mos futem aty ku nuk kam njohuri”. Madje, në mungesë të njohurive të mia në këtë fushë, paskam “ndryshuar kahjen e debatit” dhe jam marrë “me hoxhallarët udbashë e spiunë”.

Meqenëse në “leksionin e dytë”, Muhamed Kajolli shtron disa çështje që duhet të sqarohen, do të ndalem në ato që më duken më të rëndësishme. Nëse do të ketë dëshirë të trajtoj edhe çështje tjera, që më duken periferike për opinionin publik shqiptar, mund të zgjerohem edhe më shumë.

  1. Që në fillim të “leksionit të tij”, Muhamed Kajolli bën një gabim të rëndë: u vesh shqiptarëve veti që nuk i kanë. Ai deklaron se “ne, shqiptarët, nuk i njohim ngjyrat e tjera, përveç të bardhës dhe të zezës. Shqiptari, o është patriot, o është spiun…”.

Nuk e di se nga e ka nxjerrë këtë mendim përgjithësues, por duke futur veten në kuadër të atyre njerëzve që shohin vetëm bardh e zi, del se pikëpamjet e veta i përgjithëson për “gjithë shqiptarët”!

Sa i përket “çështjes së ngjyrave”, Muhamed Kajolli dhe ata që kanë krijuar stereotipa të tilëa, duhet ta dinë se shqiptarët i shohin të gjitha ngjyrat, madje edhe nuancat e tyre. Është tjetër gjë pse një numër i madh prej nesh parapëlqejnë ngjyrat “kuq e zi” e jo “zi e bardhë”, si të “Partizanit” të Beogradit.

  1. Nuk i ka hije një intelektuali të gënjejë se unë i kam devijuar debatit. Reagimin e tij të parë kundër meje e kishte bërë pa i marrë leje z. Mustafa Bajrami, sepse “kishte pasur më shumë kohë, më shumë se hoxhallarët e zënë me muajin e Ramazanit”.

Për temat që hapen në hapësirën publike, nuk kërkohet leje nga askush për t’u përfshirë në debat. Shkrimi im ishte publik dhe, rrjedhimisht, pres ndonjë reagim (qoftë pozitiv, qoftë negativ). Nuk dëshiroj të ironizoj, por reagimi i Muhamed Kajollit e ““shpëtoi” Mustafa Bajramin””, sepse ai nuk do të kishte ditur të mbrohej vetë!

Nëse Muhamed Kajolli e ka kujtesën të shkurtër dhe ka harruar se çfarë ka shkruar, është problem i tij. Po i rikujtoj se ishte pikërisht ai, që devijoi debatin, duke më akuzuar si “komunist” dhe një kallaballëk akuzash të tjera.

Akuzave të Muhamed Kajollit iu shtuan ato të Mustafa Bajramit për Bardhylin si “anti-islam”, si “anti-demokrat”, si “marksist-leninist” e kështu me radhë. Mendoj se e ka lexuar këtë shkrim të Mustafa Bajramit, sepse e ka postuar në faqen e vet të “Facebook”-ut. Për ta lexuar këtë shkrim, nuk ishte e nevojshme të kërkohej leje nga Mustafa Bajrami.

Nëse dikush mendon se akuza të tilla janë “në kuadër të debatit”, ndërsa sqarimet e mia “ia ndërruan kahun debatit”, është çështje që lidhet me një mendësi të tillë, ku si korrekte konsideron vetëm qasjet që i pëlqejnë.

Të gjitha shkrimet e mia të deritashme ishin në përputhje të plotë me çështjet dhe dilemat që ngritën në reagimet e tyre.

  1. Etika ime profesionale nuk më lejon të bëj përgjithësime. Nuk kam bërë përgjithësime as kur trajtova gjenocidin e shtetit serb në Kosovë. Akuza se në shkrimet e mia kam përgjithësuar teologët myslimanë shqiptarë nuk qëndron. Nuk mund të gjendet asnjë përgjithësim për bashkëpunimin e teologëve me shërbimet sekrete sllave apo mohimin e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. As Muhamed Kajolli e askush tjetër nuk ka pasur nevojë të kërkojë leje për të lexuar shkrimet e mia.

Çdokush që i ka lexuar me vëmendje, ka mundur të konstatojë të kundërtën e asaj që më vishet mua. Meqenëse rreth kësaj çështjeje është manipuluar shumë, po e përsëris një pjesë nga shkrimet e mia të publikuara: “[…]Sa u përket teologëve shqiptarë, të cilitdo besim fetar qofshin, askush nuk mund ta mohojë kontributin e madh të tyre gjatë historisë, si në aspektin e ruajtjes dhe të kultivimit të tolerancës fetare, ashtu dhe në aspektin e çështjes kombëtare shqiptare[…]”.

Atyre që u intereson të njihen me veprimtarinë e një numri të madh të personaliteteve të shquara shqiptare nga gjiri i teologëve, ju sugjeroj të lexojnë veprën e Faton Mehmetajt, të titulluar “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë – Bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”. Ndërsa, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e një numri teologësh me shërbimet sekrete jugosllave, unë nuk kam asnjë paragjykim për asnjë teolog shqiptar. Kam bindjen se shumica dërmuese e teologëve shqiptarë nuk kanë bashkëpunuar me këto shërbime sekrete.

Qëndrimet e mia janë kundër atyre teologëve myslimanë shqiptarë me shpirt shkau, që kishin hyrë në shërbim të shërbimeve sekrete jugosllave. Janë ajo kategori e njerëzve të ulët, që, siç pohon vetë spiuni i UDB-së, Sulejman Rexhepi, me ndihmën e “marksistë-leninistëve jugosllavë ishin shndërruar në ekspertë për tredhjen e shqiptarëve nëpër stacione policore, ndërkohë që ua mbanin bolet në duar udbashëve”.

Përveç atyre që dëshirojnë të manipulojnë me të vërtetën, në shkrimet e mia nuk mund të ketë asnjë përgjithësim. Madje, në mënyrë të qartë, thuhet se nuk kam paragjykime as ndaj teologëve që polemizojnë me mua.

  1. Kur më kërkohet të jem konkret se kush ka punuar kundër interesave kombëtarë shqiptar, nuk duhet habitur kur gjërat thuhen konkretisht. Në dallim nga Muhamed Kajolli, i cili mendon se kjo çështje duhet të dalë në dritë “pasi të jetë bërë një marrëveshje mbarëkombëtare për hapjen e dosjeve”, qëndrimi im është diametralisht i kundërt. Ndriçimi i dëmeve që është duke na u bërë si komb nuk është “aventurë”, siç e cilëson ai, por sensibilizim i opinionit publik kombëtar për rreziqet që na kanosen.
  2. Muhamed Kajollit i dhemb, sepse në shkrimin tim të titulluar “Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe”, kam përmendur edhe emrin e tij. Në “leksionin e dytë”, që dëshiron të më mbajë, Muhamed Kajolli shkruan: “Më ke futur në mesin e atyre që bëjnë propagandë serbe. Është e drejta yte të mendoni çfarë të dëshironi. Njeriu mund të bën me, ose pa dashje propagandë që i shkon në dobi të armikut, mirëpo mua, mendoj se më ke futur në mesin e tyre me të pa drejtë. Unë kam debatuar me ty për një të vërtetë shkencore, për të cilën të kam thënë se emri shqiptar është i vonshëm dhe vjen nga koha kur banorët e Ilirisë (fise të ndryshme), shqiptarë janë quajtur vetëm atëherë kur kanë filluar të bëhen muslimanë….pastaj, kam debatuar për Kudsin-Jerusalemin, mirëpo, prej teje ende nuk kam marrë përgjigje shkencore duke më injoruar dhe duke më quajtur i ashtuquajturi ….”.

Muhamed Kajollin nuk e ftova në debat. Ai hyri “pa pyetur” askënd, dhe, siç përdoret një shprehje popullore në Kosovë, “hyri në mal pa sakicë”. Në kontekst të polemikës ku zhvishen ata teologë, të cilët  propagandojnë tezat serbe, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane dhe kinse me ndihmën e kësaj perandorie shqiptarët pushtuan Kosovën”, Muhamed Kajolli futi shprehjen më të neveritshme të mundshme që kufizon procesin e identifikimit të emrit “shqiptar” me ardhjen e Perandorisë Osmane dhe ruan si ekskluzivitet këtë emër vetëm për shqiptarët e besimit islam!!! Çfarë qëllimi kishte futja e shprehjes se gjoja “shqiptarët muslimanë e invaduan (PUSHTUAN) Kosovën kur u bënë shumicë në raport shqipfolësit ortodoksë dhe katolikë” në kuadër të polemikës për Jerusalemin /Kudsin?  Me vetëdijen apo pa vetëdijen e Muhamed Kajollit, kjo shprehje e neveritshme hyn në funksion të mbështetjes së tezën serbe, se gjoja “Perandoria Osmane i krijoi shqiptarët”. Nuk e futa unë në kuadër të atyre “që bëjnë propagandë që shkon në dobi të armikut”. Fatkeqësisht, Muhamed Kajolli hyri vetë! Them fatkeqësisht, për arsye se nga familja Kajolli ka edhe dëshmor, që ka rënë për lirinë e atdheut. Vetëm për hir të respektit ndaj gjakut të derdhur, nuk do të më kishte shkuar ndër mend ta fus “në kallëpin dhe vendin që nuk i takon”, sikur të mos e kishte futur vetë veten! Por, kur dikush futet në këtë lojë, qofte me vetëdije, qoftë pa vetëdije, logjika argumentum ad misericordiam nuk vlen!

 

  1. Muhamed Kajolli shtroi edhe çështjen e kërkimit të faljes në raportet publike dhe “mungesën e kulturës shqiptare”, ngase ai “nuk paska takuar shqiptarë që kërkojnë falje”! Nëse e ka futur veten pa vetëdije në atë “kallëp”, atëherë do të duhej të kërkonte falje për shërbimin që i ka bërë përhapjes së tezave antishqiptare. Në të kundërtën, ai dëshmon se është nga ata njerëz, që nuk kërkon falje edhe kur e sheh se është gabim!
  2. Ata më trajtuan me të gjitha stigmatizimet e mundshme dhe unë solla prova të kundërta me pohimet tyre. Po marr si shembull vetëm akuzën për “anti-islam”. Unë solla dëshmi se njëzet vjet para polemikës sonë, kam ngritur zërin kundër dhunës dhe çdo forme të diskriminimit të shqiptarëve, duke përfshirë edhe diskriminimin fetar si kategori që dënohet edhe me konventat ndërkombëtare. Kam ngritur zërin kundër sajesës serbe, për të njollosur shqiptarët si “fondamentalistë islamikë”; kam ngritur zërin kundër rrënimit të objekteve fetare të besimit islam; kam hedhur poshtë propagandën për gjoja ekzistimin e “radikalizmit fetar islamik shqiptar” dhe kam dëshmuar me argumente se në Maqedoni dhe në Serbi, ekstremizmi politik dhe fondamentalizmi ortodoks janë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Edhe pse provat janë të pakontestueshme, askush prej tyre nuk kërkoi falje për shpifjet që kanë bërë.

Është e vërtetë e plotë se edhe këtë aspekt e kam parë me “ngjyrat kuq e zi” e jo “zi e bardhë”. Kam protestuar kundër dhunës dhe diskriminimit, që është bërë ndaj shqiptarëve katolikë dhe objekteve të kultit katolik, siç kam protestuar edhe kundër dhunës ndaj shqiptarëve ortodoksë dhe përvetësimit të kishave ortodokse shqiptare. Më gjeni një rast ku Muhamed Kajolli të ketë ngritur zërin e protestës ndaj diskriminimit të shqiptarëve të krishterë! Apo ende është në fuqi tipologjia e sajuar se gjoja emri “shqiptar” vlen vetëm për ata pjesëtarë të fiseve ilire që janë islamizuar?

 

  1. Në fund po ndalem te divergjencat që lindën rreth çështjes së Jerusalemit/Kudsit, sepse ai pretendon se “nuk ka marrë përgjigje shkencore nga ana ime”.

Nëse për Muhamed Kajollin nuk është argument shkencor fakti se historia e Jerusalemit nuk fillon në shekullin VII, kur ky qytet u pushtua nga arabët, fajin  le ta kërkojë te vetja e vet. Në reagimin e parë përmenda se të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë për faktin se, që nga shekulli XIV para erës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit), në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në shekullin VII të erës sonë, kur u pushtua nga arabët kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot me  tragjedi. Çështja është se si interpretohet historia.

Nëse ndonjë historian i periudhës antike të Lindjes së Mesme do të lexonte kronologjinë e paraqitur nga Muhamed Kajolli, që pretendon “të më mbajë leksione historie”, jam i sigurt se do të neveritej nga ajo se çfarë u pjell mendja disa teologë. Nuk u ndala në të gjitha budallallëqet që përfshihen në reagimin e tij. Shkoqita vetëm një segment. Në disa rreshta kronologji ku përshkruhet periudha mbi 1100-vjeçare, edhe Muhamed Kajolli përmend sundimin dhe robërinë që përjetuan hebrenjtë nga babilonasit, helenët, romakët…Për të ardhur në shekullin e VII të erës sonë, në vitin 636, kur sipas tij “myslimanët e çliruan Palestinën gjatë sundimit të Kalifit Umer ibn el-Khatab dhe se që nga ajo kohë Palestina ka fituar karakterin e saj islam dhe populli i saj ka hyrë në fenë islame në mënyrë masive. Banorët e saj jetuan të kënaqur nën dritën e civilizimit islam deri në ditët e sotme”.

Ajo që për një teolog mysliman pushtimi i Jerusalemit dhe emërimi i tij si “Kuds” konsiderohen si “çlirim”, janë “leksione të historisë” që mund t’i mbajë para xhamatit të xhamive apo nëpër oda, edhe pse nuk e kanë vendin aty. Këto tema trajtohen në simpoziume shkencore apo përmes botimeve të veçanta, hapësira që mundësojnë konfrontime mendimesh të profesionistëve në këtë fushë.  Në shkencë pushtimi i një territori është realitet, që i tejkalon të gjitha bindjet politike dhe religjioze. E jo siç bën Muhamed Kajolli, i cili pretendon se mund të flasë me kompetencë për këto çështje. Matja me kut të dyfishtë është rezultat i interpretimit të fakteve shoqërore nga këndvështrimi ideologjik.  Për periudhën historike 1100-vjeçare, para pushtimit të Jerusalemit nga arabët, ai përdor termat “sundim” dhe “robëri”, ndërsa kur pushtohet nga arabët, konsiderohet  “çlirim”! Muhamed Kajollit i vjen keq që tallem me titullin që i ka vënë vetes. Mirëpo unë nuk tallem. Përkundrazi, është ai që tallet me vetveten dhe, fatkeqësisht, nuk e sheh se si e trajton këtë fenomen. Me të njëjtën logjikë të matjes me dy kute, sapo ky qytet bie në duar të krishterëve, Muhamed Kajolli e shpall me trishtim se “kryqtarët PUSHTUAN Kudsin dhe themeluan Mbretërinë e Elias dhe sundimi i tyre zgjati 88 vjet, pra nga viti 1099 deri më 1187 derisa Salahud-din Ejubi e ÇLIROI atë pas betejës së Hittinit”.

Ai që pretendon se qëndrimet e mia janë “të cekëta”, nuk e sheh cektësinë e shkrimit të vet, që megjithatë është shtrënguar të tregojë se arabët kanë ndërruar emrin e Jerusalemit mijëra vjet më vonë. Prandaj, i verbuar nga pikëpamjet religjioze, ai nuk e sheh gabimin logjik kur tërheq paralelizma mes toponimeve Jerusalem/ Kudsi Sherif me Shkup/Skopje.

Sllavët janë popujt, që kanë filluar t’i pushtojnë territoret e iliro-shqiptare nga shekulli VII i erës sonë (në të njëjtin shekullin kur arabët pushtuan Jerusalemin) dhe rrjedhimisht, e kanë gjetur toponimin Shkup para se të vijnë si pushtues. Njësoj siç e gjetën arabët toponimin Jerusalem para se ta pushtoni!

Sikur të mos bënte krahasimet me kontekstin historik të Ballkanit, do të habitesha se si një person me titull të “Doktor i shkencave” pushtimin e një vendi e quan çlirim, vetëm për shkak të bindjeve të veta fetare. Por kur formuloi fjalinë se gjoja “shqiptarët janë pjesëtarë të fiseve ilire që u islamizuan dhe që pushtuan Kosovën e banuar me shqipfolës të krishterë”, atëherë u binda se ky i paska shitur drutë, siç thuhet në Kosovë. Nuk e di nëse mund të formulohet ndonjë fjali më paradoksale! “Shqiptarët u krijuan pas islamizimit”, ndërsa “ortodoksët dhe katolikët ishin shqipfolës”. Ec e merre vesh!

Sa i përket Çështjes së Jerusalemit/Kudsit, historianët dhe arkeologët që kanë bërë hulumtime shkencore për dekada të tëra, kanë ardhur në rezultate diametralisht të kundërta me interpretimet e historisë nga këndvështrimi religjioz. Nuk e shoh me interes për opinionin publik ta ngarkoj debatin me këto çështje. Bibla dhe Kurani nuk janë vepra shkencore, por libra të shenjtë për besimtarët e judaizmit, krishterimit dhe islamit. Nuk e shoh të rëndësishme për opinionin publik shqiptar që t’i përmend të gjitha gabimet që bëni kur u referoheni librave të shenjtë në kontekst të argumenteve historike. Disa aspekte të kësaj çështjeje, që nuk kanë të bëjnë me polemikën që po zhvillojmë, do t’i publikoj vitin e ardhshëm. Ata që do të jenë të interesuar ta lexojnë mënyrën se si i qasem edhe kësaj problematike, do të kenë mundësi t’i shohin dallimet tona. Muhamed Kajolli nuk ka nevojë të kërkojë leje për t’i lexuar. Madje, nëse do të jetë i interesuar, do t’ia dhuroj në shenjë mirënjohjeje për kontributin e familjes Kajolli, që të kënaqet me “cektësinë e njohurive të mia rreth kësaj çështjeje”.

Tani për tani, po e ritheksoj, nga këndvështrimi politik, populli hebre ka të drejtë legjitime të ketë për kryeqytet të vetin Jerusalemin. Flas për “legjitimitetin” si nocion i politologjisë e jo për “legalitetin juridik”. Shndërrimi i Jerusalemit në kryeqytet të shtetit të Izraelit është vendim politik e jo religjioz. Kjo e drejtë politike nuk cenon vlerat religjioze që ka ky qytet për judaizmin, krishterimin dhe islamin. As “çlirimi” e as “pushtimi” nga kushdo qoftë, nuk mund t’ia humbin rëndësinë e madhe që ka Jerusalemi/Kudsi për besimtarët e tri religjioneve.

Nga Alon Ben-Meir & Albana Xharra-Shumica e shqiptarëve në Maqedoni identifikohen së pari si myslimanë dhe më pas nga identiteti shqiptar.

Lexo më shumë

Nga Bedri Islami-Ka qenë që në fillimet e saj një mall i papërmbajtur për të rehabilituar këdo dhe kudo, e mjaftueshme për të rendur në një udhë të çuditshme,

Lexo më shumë

Bardhyl Mahmuti-Referencat që citohen më poshtë janë të mjaftueshme, për t’u bindur se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë 

Lexo më shumë
20 October 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget