Gjykata e Apelit edhe për herë të dytë i ka refuzuar paditë e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkëpartiakut të tij, Musa Xhaferi për shpifje kundër ish agjentit, Sllobodan Bogoevski, i cili përpara Gjykatës së Amerikës ka dëshmuar se ata të dy kanë marrë ryshfet nga dy e gjysmë milionë euro çdonjëri prej tyre, që të anulohet ardhja e operatorit të tretë mobil në tregun e Maqedonisë, njofton Portalb.mk.>

Në vendimin që sot është publikuar nga Gjykata e Apelit, thuhet se paditësit Ahmeti dhe Xhaferi nuk kanë të drejtë as për dëmshpërblim material. Ky këshill anonim prej gjykatësve, të cilët kanë refuzuar t’i tregojnë emrat e tyre, kanë vendosur për herë të dytë, edhe atë pas ankesës të të paditurit, Bogoevski.

Ndryshe, rasti ka të bëjë me dhënien e ryshfetit ndaj zyrtarëve të lartë, Prokuroria Publike kah mesi i vitit 2015-të hapi hetim pasi u publikua dëshmia e ish drejtorit të DSK-së, Slobodan Bogoevski para Gjykatës së Qarkut në Nju Jork, ku ai pohon se ish drejtorët e “Magjar Telekom” i kanë dhënë 2,5 milionë euro ish kryeministrit Vllado Buçkovski dhe zyrtarëve të BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, që mos të hyjë ndonjë operator tjerë i telekomunikimit në Maqedoni.

PSP ka hapur parahetim për Ahmetin, Buçkovskin dhe Xhaferin dhe fati i lëndës do të dihet pasi që të zgjidhet statusi i PSP-së.

Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe përmbushjen e të gjitha kushteve të vendosura më herët vlerësoi Komisioni Evropian. Në raportin e progresit të publikuar nga eurokomesari Johanes Han, rekomandohet çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejtë që është e mundur.

Të dyja vendet kanë përparuar në sferën e reformave të rekomanduara nga Këshilli Evropian në qershor të 2018. Në këtë drejtim, Komisioni i rekomandon Këshillit të hapë tani negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”-tha Johanes Hahn, eurokomisioner.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë shënuar progres të caktuar në zbatimin e reformave. Marrëveshja e Prespës që i dha fund ngërçit me emrin dhe i hapi rrugën fqinjësisë së mirë, ashtu siç u veprua edhe me Bullgarinë, është diçka që për neve paraqet vlerë historike në ndryshimin e lojës, jo vetëm për vendim por edhe për rajonin”-pohoi Federika Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së.

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ivo Vajgëll, kujtoi institucionet e BE-së se është koha që vendi të shpërblehet.

Ne u angazhuam dhe i premtuam qytetarëve dhe elitës politike ne Maqedoninë e Veriut që nëse ata hapin politika të reja dhe marrëdhënie me fqinjët, nëse ata arrijnë një marrëveshje si ajo e Prespës, ata do të shpërblehen. Unë them që neve duhet ta mbajmë këtë premtim”-theksoi Ivo Vajgëll, eurodeputete.

Në raportin e progresit për vendin thuhet që janë adresuar reformat urgjente të Pribesë për gjyqësorin, është krijuar situatë e qetë ndëretnike mes komuniteteve, është siguruar mbikqyrje në institucionet e reja të sigurisë, është bërë progres i dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe hapa të rëndësishëm në reformën në administratën publike. Gjatë vitit që vijon, Komisioni Evropian pret nga Shkupi zyrtar të zbatojë ligjet e miratuara në kuadër të reformave, të vazhdojë luftën e nisur kundër krimit dhe korrupsionit, të konsolidojë hetimet e nisura nga materialet e përgjuara, të adaptojë një reformë në Këshillin e Prokurorëve Publik dhe Këshillin gjyqësor dhe pozitat kyçe në administratën publike të merren në bazë të meritave. Këshilli Evropian theksoi se ka qenë e arsyeshme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të valorizohen në paketë por është në duart e vendeve anëtare nëse procesi i anëtarësimit do të shkojë paralel për të dyja vendet. Shqipëria po ashtu mori rekomandim të pakushtëzuar por ju kërkua të vazhdojë reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe gjetjen e konsensusit të brendshëm politik për të bërë prioritet eurointegrimin.

Fatlume Dervishi

Sipas raportit të Iniciativës globale kundër krimit të organizuar transnacional, “grupet kryesore kriminele në Shkup kontrollohen nga shqiptarët etnikë. Format më të shpeshta të krimit të organizuar janë tregtia me drogë, vjedhja e veturave, kontrabandimi i migrantëve”, shkruan gazeta “Slloboden Peçat”. Poashtu përmenden edhe biznese legale që mundësojnë “transport të kontrabandës” dhe larje parash, transmeton Gazeta Lajm.>

“Tre grupet kriminele që operojnë në rajon: nga fshatrat Haraçinë, Kondovë dhe Gërçec, gëzojnë mbrojtje politike”, konstaton organizata në raport.

Deputeti maqedonas i LSDM-së Pavle Bogoevski ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij në Kuvend, pas publikimit të përgjimeve, ku ai dëgjohet kur porosit lëndë të dyshimta narkotike, për të cilën ai tha se ka blerë vaj kanabisi për një të afërt.

Bogoevski vendimin e bëri të ditur në seancën e Komisionit për çështje të mandateve dhe imuniteteve në Kuvend, në të cilën po merret vendim për mandatin e Nikolla Gruevskit. Bogoevski ishte edhe kryetar i Komisionit.

Kolegë deputetë qëndroni besnik ndaj principeve. E di se politika është një lojë e zjarrtë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë bërë më të fortë këto dy vite”, deklaroi Bogoevski.

Ai tha se vendimin e ka marrë që kur është paraqitur vetë në polici.

Akuzat terrorizëm dhe për organizim terrorist, me të cilat u dënuan me 746 vite burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës kundërshtohen nga mbrojtja. Avokatët e tyre kërkojnë anulimin e këtij vendimit të shkallës së parë. Sot, në Gjykatën e Apelit, vazhdoi shqyrtimi i ankesave të të dënuarve nga “Lagja e Trimave”. Nga pala mbrojtëse e të dënuarve, u tha se akuza për këto vepra penale ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Avokati Elenko Millanov tha se Prokuroria publike është dashur ta ngrit aktakuzën në bazë te fakteve, të cilat sipas tij në Gjykatën Penale nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Dëshmi të qartë dhe precize se kush ka filluar i pari me intervenim nuk është theksuar gjatë procesit gjyqësorë. Përderisa bërja e rezistencës ndaj intervenimit policorë është krejtësisht tjetër vepër penale. Fakti i të vrarëve nga radhët e policisë së shtetit në atë aksion është kualifikimi i duhur juridik Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 5, ku janë të parashikuar dënimet e njëjta- deklaroi avokati Elenko Millanov.
Sipas palës mbrojtëse, termi terrorizëm në të drejtën ndërkombëtare përdoret kur ka sulm ndaj civilëve, ndërsa në këtë rast avokati Naser Raufi thotë se ka pasur një përleshje të armatosur nga të dyja palët. Ai tha se policia ka hapur zjarr pa paralajmërim në Lagjen e Trimave, duke shprehur indinjatën që në shkallë të parë u pranuan të gjitha dëshmitë e propozuar nga Prokuroria, ndërsa nuk u morën parasysh asnjë nga faktet e palës mbrojtëse, të cilat mund ta anulonin aktakuzën.
Propozimet ishin për marrjen në pyetje të një numri të madh të dëshmitarëve, të cilët kanë njohuri për këtë ngjarje. Propozimi për dëshmitë materiale dhe ekspertizat të cilat mund ta anulonin aktakuzën. Prokurorit publik iu lejua që në fund të procesit të prezantoj edhe CD si dëshmi materiale- tha avokati Naser Raufi.
Po të ishte kualifikimi i duhur i juridik i aktakuzës, unë dhe avokatët e tjerë jemi të sigurte që ky proces nuk do të zgjaste kaq shumë. Pra, nëse do të kishte kualifikim tjetër edhe të akuzuarit që nga seanca e parë do të kishin qëndrim më ndryshe- tha avokati Ibrahim Bajrami.
Aksioni policorë i 9 dhe 10 Majit të vitit 2015 në Kumanovë ka shkaktuar 18 viktima, dhe 30 të plagosur. Të vrarë mbetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Nga vendimi i shkallës së parë, 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës u dënuan me 746 vite burg. 7 me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Pas dëgjimit të palës mbrojtëse dhe të prokurorisë, Këshilli Gjyqësorë i Apelit pritet të marr vendimin.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot i nënshkroi dekretet për shpallje të ligjeve për gjykatat, për kontestet administrative, për kundërvajtje dhe për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore. Bëhet fjalë për ligje sistematike, dekretet e së cilës për shpallje nuk u nënshkruan nga ish-presidenti Gjorge Ivanov.

Presidenti Pendaroski, kumtuan nga Kabineti i tij, e nënshkroi edhe dekretin për shpallje të Ligjit për energjetikë.

Presidenti Pendarovski konsideron se miratimi i këtyre ligjeve dhe implementimi i tyre i ardhshëm është me interes vital për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me miratimin e ligjeve për gjykata, siç theksohet, plotësohet një nga kërkesat kyçe të Bashkimit Evropian, me qëllim të caktimit të datës për fillimin e negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me miratimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore, siç potencohet, do të avancohet funksionimi i shtetit në pjesën punëve të ndërlidhura me sistemin politik, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet që dalin nga kjo Marrëveshje dhe do të mundësohet avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ligji i ri për energjetikë parashikon zëvendësim të karburanteve fosile me energji të marrë nga burimet ripërtëritëse. Me atë krijohet bazë për zgjidhje të njërës nga çështjet më delikate të shoqërisë tonë, mbrojtje e mjedisit jetësor dhe shëndetin e njerëzve”, qëndron në kumtesën e Kabinetit të Pendarovskit.

Deri në fund të muajit maj do të marrë fund frika e ministrave të kabinetit ekzekutiv dhe do të zgjidhet dilema e kryeministrit, se cili prej tyre do të duhet të lëshojë karrigen. Kryeministri Zoran Zaev bëri të ditur se përveç ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshim edhe të strukturave drejtuese në institucionet e tjera që janë në kompetencë të Qeverisë por edhe në LSDM

Besoj se në fillim të qershorit do të dal me ndryshimet komplete në strukturat udhëheqëse në nivel të ministrave dhe institucioneve shtetërore dhe besoj nga fundi i qershorit do të lëshohemi edhe në vertikale në vetë komunat ku shteti përfaqësohet me institucionet e tij. Paralelisht më këtë, unë si kryetar i LSDM-së duhet të bëj disa ndryshime në partinë time politike sepse një pjesë e reflektimit të qytetarëve vjen nga partia e parë në pushtet”-tha Zoran Zaev, kryeministër .  

Që nga paralajmërimi i të ashtuquajturës “fshesa e kryeministrit”, shumë nga ministrat janë prononcuar se nuk besojnë që do të jenë target e ndryshimeve, por vendimin përfundimtar e lejnë në dorë të liderëve Zaev e Ahmeti. Ndër të përfolurit për t’u zëvendësuar është edhe ministri i Transportit, Goran Sugarevski.

Sinqerisht, nuk pres. Por, do ta respektoj çdo vendim të kryeministrit na bazë të analizave të tij mbi punën time”-pohoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit.

Por, kryeministri Zaev nuk ka potencuar as sa ministra mund të zëvendësohen dhe as me sa prej tyre është i kënaqur. Formatim i Qeverisë së Zaevit është bërë edhe më herët kur u ndryshuan disa ministra dhe u shkëmbyen disa resorë mes partive të koalicionit.

Amulli brenda LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit qeverisës për ndryshime në kabinetin e Zaevit. Strukturat partiake socialdemokrate dhe kabineti qeveritar presin kryeministrin Zoran Zaev të fillojë punën me “fshesën” e paralajmëruar. Brenda LSDM-së, Alsat mëson jo zyrtarisht se pritet që ministri i Bujqësisë, Lubço Nikollovski të largohet nga pozita e ministrit dhe të marr pozitë partiake si sekretar i përgjithshëm. Kabineti i Nikollovskit nuk deshi të komentojë informacionin, duke na referuar që informacion shtesë të kërkojmë në parti. Ndërkohë nga LSDM na thanë se do të njoftohemi në kohë me çdo vendim partiak.>

Largimit mësohet se do t’i bashkohet edhe Ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugraveski. Jo zyrtarisht mësohet se arsye për këtë është pakënaqësia që Zaev ka ndaj tij si pasojë e realizimit të ulët të investimeve kapitale. Kabineti i Sugareskit zgjodhën të mos komentojnë derisa nuk ka propozim konkret nga i parti i organit ekzekutiv. Nga ana tjetër ministri i Financave, Dragan Tevdovski si njëri ndër të përfolurit i cili do të përfshihet nga “fshesa” e Zaev, zgjodhi të mos i përgjigjet tentativave tona për prononcimin e tij lidhur me mundësinë për përfshirje në procesin e rikonstruimit. Burime të Alsat bëjnë të ditur që mes LSDM-së dhe BDI-së janë zhvilluar bisedime sa i përket fatit të Ministrisë për Sistem Politik e cila u krijua pas shuarjes së Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Jo zyrtarisht mësohet që në krye të këtij resori do të vjen Sadulla Duraku, ndërsa Ministria e Ambientit Jetësor të mbetet në lojë mes BDI-së dhe LSDM-së për mundësi kompensimi me resor tjetër. Nga kabineti i Durakut thonë se për gjithçka presin fjalën e fundit të kreut të partisë Ahmeti. Zëdhënësi i Qeverisë Hoxha tha se në seancën e fundit nuk është diskutuar çështja e rikonstruimit të Qeverisë.

Në seancën e fundit të Qeverisë nuk është diskutuar për shkarkime dhe emërime nga eshaloni i dytë e i tretë. Ajo që mund të themi është se kryeministri Zaev është duke biseduar dhe neve do të ju njoftojnë në kohë me çdo vendim të Qeverisë”-tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë.

Burime nga BDI dhe LSDM nuk përjashtojnë mundësinë për takim mes Zaev dhe Ahmetit. Fshesa e Zaevit pritet ti prekë edhe dikasteret tjerë dhe funksione partiake. Ndërkohë ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ka përgënjeshtruar informacionet se nga Zaev ka kërkuar ta largojë nga pozita e ministrit. Ideja e “fshesës” erdhi pas raundi të parë në zgjedhjet presidenciale kur partitë në koalicionin qeverisës, numrin e vogël të votave e morën si mesazh për pastrime brenda subjekteve politike dhe Qeverisë. Në kuadër të ndryshimeve pritet të caktohet edhe ministri i ri i Kulturës, pas dorëheqjes së Asaf Ademit për arsye shëndetësore.

Të nderuar qytetare dhe qytetarë,

Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falemnderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.
Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidencijale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë- me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.

Edhe sot po e përsëris ate që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregëtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.

Tregëtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja?

Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.

Unë mund vetëm të ju apeloj, që me 5 maj, të dilni sa më masivisht në vend-votime dhe ta shpëtoni procesin Euro- Atlantik.

Sot në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë Ajadin Demiri, diplomat, analist politik dhe profesor universitar. Ai ishte njohës i mirë i zhvillimeve politike, por edhe kontribues në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përcjellë INA.

Ndërsa në vitin 1997-1998 ishte kryetar i komunës së Tetovës, si pjesë e aktit të vendosjes së flamurit kombëtar para komunës së Tetovës, për të cilin akt u dënua me burg, bashkë me kryetarin e komunës së Gostivarit atëkohë. Alajdin Demiri u lind më 19 dhjetor 1954 në Tetovë. Familjarët e tij kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të zhvillohet gjatë ditës së sotme në varrezat e qytetit të Tetovës.