Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike do të rishikohet bazuar në vlerësimit e Komisionit të Venecias. Kështu ka paralajmëruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke komentuar mendimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten doli me një sërë vërejtjesh lidhur me përmbajtjen e këtij ligji, që edhe në fazën e miratimit kishte shkaktuar tensione e reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.

Zaev tha se do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmanget situata që rrezikojnë të drejtat tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me të Konventën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Gjuhët janë që njerëzit të kuptohen mes veti, ne kemi dalë në një zgjidhje ligjore, por edhe atëherë, kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin, kështu që qëllimi im është të respektojmë Komisionin e Venecias. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t’i dërgojmë ato përsëri për miratim në kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila në vazhdimi është deklaruar kundër Ligjit për gjuhët, kërkon që të respektohet qëndrimi i Komisionit të Venecias, që sipas kësaj partie “konfirmoi vërejtjet dhe kritikat që qytetarët dhe VMRO-DPMNE i patën në kohën e miratimit të ligjit”.

“Pozicioni i Komisionit të Venecias duhet të respektohet, veçanërisht pasi ne jemi një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë thënë se “Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht politikat tona për barazi gjuhësore”, pa komentuar vërejtjet e komisionit.

Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandoi që detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të asaj dispozite sa të jetë e pranueshme.

Ligji për përdorimin e gjuhëve që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqë ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij.

Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe.

Fillimi i gjykimit për rastin “Reket” sërish i bëri bashkë Boki 13, Katica Janevën dhe Zoran Kiçeecin. Gjyqi filloi me vonesë. Boki nga Shutka u soll me vonesë prej 45 minutave. U ankua se nuk ndjehej mirë. Erdhi autoambulanca. Mjekët e kontrolluan dhe i dhanë një injeksion. Menjëherë më pas gjykimi vazhdoi. Boki 13 u deklarua i pafajshëm, por paralajmëroi se do t’i zbulojë të gjithë ndihmësit në rastin “Reket”. Kamerat në shtëpinë e prindërve të tij do të tregojnë ku kanë përfunduar paratë e marra nga Orce Kamçev. Edhe Katica Janeva u deklarua e pafajshme. Porositi gjykatësit të mos kenë frikë nga prokurorja Villma Ruskoska se do ta shkundë gjyqësorin nga “brekët”, por Zoran Milevski Kiçeec pranoi se është fajtor. Ruskoska ka pritur që edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën.

Avokati i Boki 13 pret një procedurë korrekte. Nuk e komentoi vendimin e të akuzuarit të tretë Zoki Kiççec i cili e pranoi fajin.

Avokatët e Katica Jnevës vlerësojnë se ajo nuk ka kryer vepër penale dhe këtë thanë se do ta dëshmojnë përmes provave që i dorëzuan sot. Për më tepër theksojnë se Ruskoska do të duhet të dëshmojë se si Janeva i ka marrë 50 mijë euro.

Avokatët paralajmëruan listë të gjatë të dëshmitarëve.

Avokati i Orce Kamçevit kërkoi që Boki 13 dhe Katica Janeva t’i kthejnë paratë që ia kanë marrë. Penalja i këshilloi që këtë ta bëjnë në një procedurë të veçantë.

Gjykata Penale për nesër paralajmëroi se do ta publikojë vendimin për Zoran Kiçeecin. Ai rrezikon dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet. Më pas gjyqi për Reketin do të vazhdojë të premten kur në Gjykatë do të duhet të dëshmojë biznesmeni Kamçev i cili e denoncoi zhvatjen si dhe gruaja e tij Ana e cila i ka dhënë gjysmë milion eurot e para.

Aleanca për Shqiptarët (ASH) i është përgjigjur ministrit të Arsimit, Arbër Ademi lidhur me arsyetimet e tij pas daljes së rezultateve nga testi PISA. “Dëgjuam ministrin e arsimit, respektivisht “docentin” më të njohur se si lavdërohet me rezultatet e testit te PISA. Imagjinoni, Maqedonia e Veriut e zë pozitën e 67 prej gjithsej 79 shteteve që janë testuar dhe ai lavdërohet me rritje të rezultateve. Nëse Maqedonia e Veriut krahasohet me shtetet e rajonit, atëherë do të konstatojmë se fëmijët në Maqedoninë e Veriut kanë dalë më keq se Bosnja, Bullgaria, Serbia ose Qiproja.. Imagjinoni ai deklaron se ka përparim te dukshëm të nxënësve në Maqedoni dhe se kjo është meritë ekskluzive e ministrisë, paramendoni, kjo është një tragjedi e vërtet qe po i ndodhe arsimit. Ai thotë se politikat e projektuar te ministrisë kanë dhënë efekte kurse renditemi më keq se Brunei ose Kolumbia”, theksoi ASH. Kjo parti më tej shprehë brengëpër rezultatet shumë të dobëta të arritura nga nxënësit në Maqedoninë e Veriut. “Përkujtojmë se nuk është sukses nëse në të gjitha kategoritë e testimit Maqedonia e Veriut është ndër mesataren e arritur. Nuk mundet të jetë sukses nëse herën e parë kemi marrë notë të dobët, pra jo kaluese, në terminologjinë shkollore notë “njësh”, tani përsëri kemi marrë notën e njëjtë “njësh”, por kësaj radhe del ,,docenti” pa fije turpi dhe lavdërohet se kemi marrë nja disa pike më tepër. Dëshirojmë të kujtojmë ministrin se nota “njësh” është notë jo kaluese. Me notën “njësh” ngelet në klasë pavarësisht numrit te pikave. Ministri në fjalë është në pozitë të mjerueshme. Pas skandaleve të panumërta në resorin e tij, ai gjen te udhës te lavdërohet me një përmirësim minimal te numrit te pikëve të fituar, pavarësisht se përsëri ka ngelur ne klasë. Pres konferenca e sotme e tij ku tenton të hedh hi syve të qytetar[ve pasqyron mjerimin e vërtetë të sistemit arsimor në shtetin tonë. Aleanca për Shqiptarët së shpejti do të del me programin e saj edhe për fushën e arsimit, ku do te ofrojmë reforma të vërteta ne këtë fushë, e cila është katandisur falë politikave të mjerëueshme të BDI-së.”, nënvizon ASH.

Nxënësit e shkollave të mesëm në Maqedoninë e Veriut krahasuar me moshatarët e tyre të vendeve të rajonit janë më të mirë vetëm se nxënësit e Kosovës. Këtë e treguan rezultatet e testimit ndërkombëtarë PISA për nxënësit e shkollave të mesme të moshës 15 vjeçe. Testimi është bërë në 79 vende të botës, ndërsa Maqedonia është në vendin e 67 për lexim dhe matematikë, ndërsa në vendin e 62 për dije në shkencat natyrore. Para saj janë Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Shqipëria. Megjithatë sipas ministrit të Arsimit Arbër Ademi, ky është sukses i madh sepse Maqedonia është vendi i dytë me ngritje më të madhe në rezultate mes dy testimeve.

Unë mendoj se ky është një përparim i rëndësishëm. Ky është një tregues i shkëlqyeshëm që ne jemi në rrugën e duhur, ne jemi në drejtimin e duhur, dhe natyrisht duhet të vazhdojmë- tha Arbër Ademi – Ministri i Arsimit.

Megjithëse edhe krahas ngjitjes në renditje rezultatet janë akoma të dobëta, Ademi mendon se do të ishte edhe më keq nëse do të vazhdonim të gërmojmë fundin e botës.

Ndryshimet dhe rezultatet nuk vijnë brenda natës. Paramendoni nëse do të kishim rezultat më të keq, madje edhe për 1 pikë, jo më të mirë për 41 pikë në lexim. Cili do të ishte mesazhi? Me siguri do të ishte shumë më i keq- shtoi Arbër Ademi.

Në vendin e parë në botë janë shkollarët nga Kina,  Singapori, Makao, Hong Kongu ndërsa nga vendet evropiane, rezultate më të mira kanë treguar nxënësit e mesëm të Estonisë e cila u ngjit në vendin e pestë në renditje. Shkollarët në vend, testin PISA e dhanë në vitin 2000 dhe 2015 ku kishin rezultat ndërkombëtarë nën mesataren. Në vitin 2015, në fund të renditjes ishim me Tunizinë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara u shpalosën kritika të mëdha për shkeljet që u bëhen personave të kësaj kategorie. Prindërit kërkojnë kushte më të mira për fëmijët e tyre. Margarita Milloshevska, nënë e një vajze me aftësi të kufizuara kërkon ndryshime të dispozitave ligjore me qëllim rritjen e shumës së shtesave dhe e njëjta të fillojë nga mosha 18 vjet dhe jo  26 vjet siç është për momentin.

Ne nuk marrim ndihmë për personin e tretë, fëmija im është 16 vjet dhe unë kam gjithë kujdesin ndaj tij. Problemi tjetër është me Ligjin për shëndetësi, edhe këtu dëshirojmë të largohet kufiri prej moshës 26 vjeçare, sepse personat pas moshës 26 vjeçare participojnë në shëndetësi. Unë vlerësoj se personat e tillë pas moshës 26-vjeçare nuk shërohen por edhe më shumë ju përkeqësohet gjendja”-pohoi Margarita Milloshevska, nënë me fëmijë të aftësi të kufizuara.

Edhe zyra e Avokatit të popullit kritikon mos zbatimin e ligjit të ri për arsim fillor kur bëhet fjalë për përfshirjen e fëmijëve më aftësi të kufizuara në arsimin e rregullt. Gjysma e Shkollave në Shkup nuk mundësojnë kushte dhe kuadër për përfshirjen e këtyre fëmijëve.

Në numër të vogël të shkollave ka të punësuar edukator special ose rehabilitues të cilët gjithashtu janë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara. Ajo që është shqetësuese është se punësimi i këtyre asistentëve është në nivel të aktiviteteve përmes projekteve që i financon UNDP dhe se komunat nuk janë të gatshme për momentin t’u dalin në ndihmë prindërve që kanë vërtetim për fëmijën se duhet të kyçet në arsimin e rregullt dhe të cilit i duhet kujdes përkatës”-tha Vaska Bajramovska, zv Avokate e Popullit.

Vërejtje edhe nga misioni i OSBE-së. Sipas tyre, personat me aftësi të kufizuara, vazhdojnë të përballen me sfida sa i takon përfshirjes së plotë dhe të barabartë në nivelet vendimmarrëse dhe pjesëmarrje e pamjaftueshme në politikë.

Gjasat që vajzat dhe  gratë të marrin kujdesin e duhur shëndetësorë janë më të vogla, por gjithashtu edhe mundësitë për punësim i kanë më të vogla. Gratë me aftësi të kufizuara janë në rrezik më të lartë për të përjetuar dhunë seksuale, krahasuar me ato pa aftësi të kufizuara. Punojmë në përforcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e këtyre femrave nga diskriminimi”-pohoi Klemens Koja, shef i misionit të OSBE-së.

Si rezultat i diskriminimeve të mëdha që u bëhen personave me aftësi të kufizuara, me 10 dhjetor është paralajmëruar protestë para Qeverisë e cila do të organizohet nga prindërit që kanë fëmijë të kësaj kategorie si dhe organizata të ndryshme.

Shtetet që duan të bëhen anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut patjetër duhet të sigurojnë mënyrë të sigurisë së lartë për komunikim, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Vendet që futen në NATO duhet të kenë linja të sigurta dhe të besueshme komunikimi. Kemi kërkesa specifike për infrastrukturën civile dhe për rrjetin 5G, për vende të reja anëtare si për shembull Maqedonia e Veriut. Prandaj kemi krijuar udhëzuesin e operimit. Po ashtu kemi ndryshuar kërkesat për sistemet e telekomunikimit. Tani kërkojmë instalimin e teknologjisë 5G në zonat ku vërejmë ndryshime të mëdha.”, theksoi Stoltenberg, transmeton INA. Sipas tij, operacionet ushtarake të NATO-s varen nga infrastruktura civile: rrugët urat, portet detare, aeroportet, kabllot e komunikimit përmes Atlantikut dhe rrjetet e telekomunikacionit. Stoltenberg thotë se këto kërkesa nuk mund t’u imponohen vendeve jo-anëtare, si për shembull Serbia, por është një kërkesë e detyrueshme për vendet që kërkojnë të aderojnë. Sipas tij, NATO-ja do të vazhdojë politikën e dyerve të hapura. “Kur fqinjtë tanë janë më të stabilizuar, ne jemi më të sigurtë. Kur fqinjtë tanë futen në NATO, ne bëhemi më të stabilizuar dhe më të sigurtë”, nënvizoi shefi i Aleancës. Ai shtoi se suksesi më i madh i Aleancës së Atlantikut Verior është se bëri të mundur përfundimin e Lutës së Ftohtë pa një të shtënë, ndërsa, misioni i NATO-s nuk përfundoi me kaq, sepse Aleanca përballet me sfida të reja.

Kirurgu i njohur i zemrës, shqiptari nga Tetova, prof. dr. Omer Xhemali, njihet më shumë për faktin se është shqiptari i parë që ka bërë transplantim të zemrës.

Omer Xhemaili ka lindur në vitin 1970 . Pasi ka mbaruar studimet e mjekësisë dhe specializimin për kardiokirurg në Gjermani, ka punuar një kohë të gjatë në klinika të ndryshme të atjeshme.
Është bashkautor i dy titujve nga fusha e mjekësisë dhe autor i mbi 100 artikujve tjerë dhe abstrakteve shkencore, shkruan albinfo.ch
Në vitin 2007 zgjidhet si autor më i mirë i një pune shkencore në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ku edhe merr çmimin “Hans Borst”.
“Unë nuk dua të bëhem hulumtues me famë botërore por dua që pacientëve të mi t`ua ofroj trajtimin më të mirë të mundshëm”, thotë doktori. Por, megjithatë, ai ka dëshmuar se mund të jetë inovativ. Në spitalin ku punon, ai ka praktikuar për herë të parë në Zvicër një metodë të re mjekësore. Pas një operacioni të valvulave të zemrës ai ka arritur ta mbyllë një prerje të vogël në zemër pa përdorur penj.

Me marrjen në pyetje të dëshmitarit Sasho Trajkovski, i punësuar në DSK, në Gjykatën Penale vazhdoi seanca gjyqësore për lëndën “Target-Fortesa” të PSP-së.

Në pyetjen e prokurorit Artan Ajro, dëshmitari në lidhje me kapacitetet për ndjekjen e sistemit Verin dhe Najs gjegjësisht për mundësinë për shënimin e numrave, tha se për të parin nuk i kujtohet, përderisa, në Najs kapacitetin kishte 20.000 numra.

“Duke pasur parasysh atë se ky sistem me operatorët e telefonisë lidhej me pajisje ndërmjetësuese dhe realisht ky numër ishte 2.500 targetë”, sqaroi Trajkovski.

Dëshmitari tha se kishte marrë pjesë gjatë shënimit të numrave nga shënuesit dhe se ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov dhe shefi i Drejtorisë së pestë kishin kompjuterë të cilët ishin të lidhur me sistemin Najs.

“Ekzistonte një grup i përdoruesve i cili quhej ‘E RËNDËSISHME’ ku kishte tre përdorues. Mund të shihnim se ka qasje nga zyrat e drejtorit të DSK-së dhe shefit të Drejtorisë së pestë”, tha Trajkovski.

Gjykatësi Vladimir Tufegxhiq iu drejtua prokurorëve se duhet të ndërmarrin diçka rreth pyetjeve, gjegjësisht të jenë më koncize, ndërsa përgjigjet më të shkurta, sepse, sipas tij, gjykimi po zvarritet, ndërsa, siç tha, në ditët e fundit gjykata iu është nënshtruar kritikave për disa procedura gjyqësore dhe konkretisht kjo. Gjykatësi potencon se anëtarë të PSP-së pikërisht dje dhe para disa ditëve kanë reaguar në kontestueshmërinë e procedurës të “Target-Fortesa” .

Në lëndën “Target-Fortesa” të PSP-së të akuzuar janë ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski, Nikolla Boshkoski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, Toni Jakimovski, Vladimir Varelov nga DSK edhe pesë persona të tjerë nga Drejtoria.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të kundërligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor.

Komunikimi është ndjekur para se të jepen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së urdhrave gjyqësore të 1.541 numra ose gjithsej 5.827 numra të telefonit. Ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Prokurorja speciale Fatime Fetai është shprehur e bindur për ndriçimin e rastit Monstra. Ajo në një emision të 1tv, tha se këtë rast e ndjenë ngarkesë në vetvete dhe se pa e ndriçuar atë, nuk mendon për ndonjë drejtim tjetër.>

“Pa u përfunduar rasti Monstra të cilin personalisht e ndjej sikur ngarkesë dhe njëkohësisht kamë dëshirë dhe e kam pasur që kur kam hyrë në PPS për ta zgjidhur, jo vetëm nuk do të lëviz, por as nuk mendoj në drejtim tjetër”, deklaroi Fatime Fetai, Prokurore speciale.

Fetai foli edhe për bisedimet pushtet-opozitë, për arritjen e një marrëveshjeje për ligjin për Prokurorinë Publike. Ajo u shpreh e pakënaqur me njerëzit të cilët po i udhëheqin këto bisedime, pasi siç tha, disa prej tyre janë të dyshuar për vepra penale.

“Unë nuk mund të di sa herë do të ulen, të merren vesh, të negociojnë dhe si do të merren vesh në fund, pro vetëm një gjë mund të apeloj. Nëse partitë politike mendojnë të sjellin ligj, në të cilin do të vendosin dispozita me të cilat do të pamundësohet që secili që ka shkelur ligjin, të përballet me drejtësinë, më mirë është që hiq mos ta sjellin atë ligj. Nuk na duhet neve ligji që vetëm të themi se i përmbushëm kushtet që të shkojmë përpara dhe ta hutojmë opinionin, ndërsa ligji të jetë përplot me pengesa në punën tonë të mëtutjeshme. Ajo do të nënkuptonte, se politikanët tanë, edhe pushteti edhe qeveria, duan që ta amnistojnë krimin”, theksoi Prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Mandati për mbylljen e rasteve të PPS-së përfundon në shtator, dhe nëse ky mandat nuk vazhdohet, Fetai tha se do të shkaktohej në kaos me lëndët e hapura. Megjithatë ajo shtoi se në vendin tonë është traditë që marrëveshjet të arrihen në moment të fundit, andaj tha se edhe marrëveshja për ligjin për Prokurori publike do të arrihet, siç tha, në ora 12 pa 5.

Aleanca për Shqiptarët theksoi sot se Rasti i Maxhar Telekom, ku akuzohen për korrupsion lideri I BDI Ali Ahmeti dhe funksionarë i lartë I BDI Musa Xhaferi duhet ndriçuar plotësisht dhe ky rast nuk mund ti ikë drejtësisë dhe forcës së Ligjit.>

“Vendimi i sotëm i Këshillit të Apelit, I cili hodhi poshtë padinë penale të dyshuarve Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferit ndaj ish drejtorit të Zbulimit dhe Kundër zbulimit Slobodan Bogoevkit për shpifje dhe fyerje, për rastin Magjar Telekom, i cili kishte dëshmuar në Gjyqin Amerikan, se Ahmeti dhe Xhaferi janë të përfshirë në korrupsion është një dëshmi e re se Bogoevski nuk paska shpifur dhe akuzat ndaj Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit janë të vërteta?”, nënvizon ASH.

Sipas kësaj partie, ky skandal I pazbardhur, paraqet dyshime për nivel më të lartë të korrupsionit, andaj si I tillë duhet të zbardhet sa më parë më një epilog të drejt dhe të pavarur gjyqësor, aq më tepër kur është pjesë edhe e pjesë e hetimit të Gjykatës së Nju Jorkut, të SHBA-ve.

“Komisioni Evropian një ditë më parë gjithashtu ka kërkuar që në kuadër të reformave në Gjyqësi të rritet transparenca ndaj dyshimeve që janë hapur nga Prokuroria Publike Speciale duke kërkuar vazhdim të hetimit dhe dënim për rastet e korrupsionit të nivelit të Lartë ku bën pjesë edhe afera Magjar Telekom. Është koha tani kur po presim hapjen e Negociatave me BE , pikërisht tani kur po proklamojmë se i përmbushim reformat në Drejtësi dhe Gjyqësi, që të veproj shteti I së drejtës, dhe opinion të informohet
saktë për rastin Magjar Telekom? Dhe në fund e pyesim liderin e BDI, nëse është I gatshëm ti nënshtrohet Vetingut të cilin e paralajmëroi ditë më parë?”, thekson ASH-ja.