Zbulimi i një pllake antike pranë zonës së varrezave të vjetra në Karposh të Shkupit, mbi të cilat ndër të tjera dallohet emri Dardani ka ngjallur debat në Maqedoninë e Veriut.

Zona e zbulimit, ku aktualisht po bëhen ndërtime, konsiderohet si arkeologjike, ndaj studiuesit e institucionet kanë pasur reagime të forta për ndërprerjen e punimeve dhe konservimin e artefaktit.

Shkak i debateve janë bërë, krahas rëndësisë historike që mendohet të ketë ky artefakt, edhe pretendimet fillestare, për mos ndalim të punimeve, duke rënë ndesh me ligjin e trashëgimisë.

Kundrejt këtyre pretendimeve Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Arian Asllanaj, ka siguruar se pllaka do të pastrohet e më tej ruhet në Muzeun e Maqedonisë, ndërsa do të angazhojë më tej edhe studiuesit për të arritur në përfundimet e duhura.

Ndërkaq reagimet e interpretimet për këto artefakte kanë qenë të shumta.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare të Shkupit, ku në faqen zyrtare, përmes një njoftimi vinte theksin për mostrajtimin e vlerave arkeologjike, si pronë private.

“Këto ditë në media po qarkullon një lajm se në qytetin antik të Scupi-t po kryheshin gërmime arkeologjike dhe se janë zbuluar dy stela, ku në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet. Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike. Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”, shkruan në njoftimin e ITShKSh.

Në një njoftim të bërë në faqen zyrtare të Muzeut Virtual të Tetovës, përfaqësuesit treguan për përpjekjet e organizatës “Huta”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë, që të merreshin masat e duhura për mbrojtjen e kësaj pjese të trashëgimisë.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që sot me datë 22.02.2023, ne si organizatë jo-qeveritare për kulturë dhe mbrojtje të trashëgimisë shpirtërore e kulturore ‘HUTA’ Tetovë, kemi dorëzuar kërkesë deri tek Kryetarja e Qytetit të Shkupit znj. Danela Arsovska dhe Kryetari i Komunës së Karposhit z. Stevço Jakimovski, dy organe kompetente për të ndaluar punimet në këtë lokalitet arkeologjik. Ftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që të shpërndajnë këtë kërkesë, që të ndalohen punimet sa më shpejt, dhe të sigurohet vendi për zbulime të mëtutjeshme!”, ka njoftuar organizata “HUTA”.

Sipas historisë, Dardanët ishin fis ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesisht në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj dhe ata ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s.

Ndërkohë, profesor Ylli Rijani në një intervistë është shprehur se pllaka e cila u gjet dy ditë më parë nuk është nga shekulli VI-të sepse aty nuk ka shënim dhe nuk daton ai shekull.

“Pllaka nuk është nga shekulli i Vl-të, por diku nga shekulli ll-të. Dikujt i intereson shek.VI sepse e lidh me ardhjen e sllavëve”, tha Ylli Rijani.

“Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit

  • “Instituti për Demokraci (ID) do të mbajë tryezën e rrumbullakët me titull “Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit”.

“Qëllimi i konferencës është prezantimi dhe diskutimi i një analize parashikuese të skenarëve të mundshëm në të cilët do të zhvillohet korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit deri në vitin 2030 dhe si do të përballen institucionet me sfidat e ardhshme. Analiza është përgatitur në bashkëpunim me institucionet kryesore kundër korrupsionit në vend dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si pjesë e procesit të planifikimit strategjik për përballimin e sfidave që sjell lufta kundër korrupsionit”, theksojnë nga Instituti për Demokraci.

Në ngjarjen janë ftuar përfaqësues nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli inspektues, Enti Shtetëror i Auditimit, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Komisioni rregullator për energjetikë, Drejtoria doganore, Drejtoria për polici financiare dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, dhe përfaqësues të Platformës së Organizatave Civile për luftën kundër korrupsionit.

Konferenca organizohet si pjesë e projektit “Inkurajimi i debatit publik për anti-korrupsion” qëllimi i të cilit është të mbështesë procesin e reformave në Maqedoninë e Veriut duke fuqizuar agjendën e reformave në fushën e sundimit të ligjit. Për të arritur këtë qëllim, projekti parasheh bashkëpunim dhe konsultim me të gjithë aktorët përkatës. Projekti mbështetet nga Fondi Kombëtar për Demokraci.

Në spitalin privat të kardiologjisë “Zhan Mitrev” dyshohet se kryhen operacione me anomali më të rënda në zemër te fëmijët deri në 1 vjeç, por pa mjek të licencuar për këtë lloj të ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan Alsat.

Dyshimet u shpalosën nga hulumtimi i radios Evropa e Lirë. Reparti u hap në vitin 2019 pasi një ekip i Klinikës së kirurgjisë shtetërore të fëmijëve i udhëhequr nga Vlladimir Çadikovski, i vetmi i licencuar kardiokirurg për fëmijë, ishte zhvendosur në spitalin “Zhan Mitrev”.

Por, Klinika vazhdoi me veprimtarinë duke marr edhe pëlqimin e Ministrisë Shëndetësisë se i përmbushë kushtet.

“Ligji për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut përcakton kushtet për themelimin, fillimin e punës, kryerjen e veprimtarive të kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e veprimtarisë së institucionit shëndetësor. Sa i përket personelit të kërkuar, thuhet vetëm se institucioni shëndetësor duhet të ketë një numër të caktuar të punëtorëve shëndetësorë në varësi të llojit të aktivitetit shëndetësor, përkatësisht specialistit, askund në ligj nuk përmendet termi sub-specialist”, thuhet në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

Spitali “Zhan Mitrev” më 14 gusht të vitit 2019 ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ofrimin e listës së shërbimeve shëndetësore, ndër të tjera, për kirurgji kardiovaskulare pediatrie për personat e siguruar deri 18 vjeç, duke ditur se në vend lindin mesatarisht 100 fëmijë në vit me anomali në zemër.

Çmimi për operacione në spitalet private për fëmijët nga 1-18 muaj është rreth 16 mijë euro. Ndërsa për foshnjat deri në 28 ditë, është së paku 2,000 euro. Në “Zhan Mitrev”, në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, janë kryer 77 operacione kardiovaskulare te fëmijët nën 1 vjeç. Kjo do të thotë se spitali privat ka arkëtuar të paktën 1 milion e 240 mijë euro nga të siguruarit për këtë periudhë vetëm për këto operacione.

“Megjithëse ‘Zhan Mitrev’ mban epitetin e klinikës disa reparte vitale për të mbajtur legjitimitetin e këtij primati, nuk janë aktive. Ndërsa spitali kardi-kirurgjik i fëmijëve ku foshnjat i bëjnë operacion, por kardio kirurgu i vetëm i fëmijëve me licencë nuk është i punësuar në këtë Klinikë dhe për këtë arsye Komisioni Shtetëror anti-korrupsion ka hapur lëndë për të hetuar në rast se ka shkelje ligjore”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit konfirmuan se ligji mundëson që në rrjetin e institucioneve shëndetësore, të veprojnë edhe ata që kanë vetëm leje pune, por jo licencë dhe gjatë hapjes së një spital klinik nuk nevojitet licencë për mjekë të specializuar. Efekti i kësaj, sipas konstatimit të Komisionit është funksionimi i një klinike pa licencë dhe pa mjekë të licencuar.

Ndërkohë, në prokurori vazhdon hetimi ndaj mjekut Zhan Mitrev për shkak të dyshimit për mashtrim me pacientë. Sipas prokurorisë, dyshohet se ka mashtruar pacientët e trajtuar me Covid-19 me metodën e hemo filtrimit duke paraqitur fakte të rreme, me qëllim që spitali i tij të përfitojë para në mënyrë të parregullt./ Alsat.mk

Qeveria nuk ka reaguar aspak pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Shkup Kejt Meri Bërn e cila vendosi gishtin te korrupsioni, nepotizmi dhe jotransparenca si sfida kryesore që pengojnë vendin në rrugën e zhvillimit, shkruan Alsat.

Edhe një ditë pas kësaj deklarata, nuk ka reaguar as zv/kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska, post i cili në mandatin e kaluar mbante edhe epitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit të lartë.

Alsat drejtoi pyetje në LSDM, si e shohin ata deklaratën e ambasadores. Partia më e madhe në pushtet nuk u përgjigj në konferencën për shtyp por na premtoi përgjigje me shkrim. Deri në këtë moment, nuk kemi marrë asnjë koment nga ana e tyre.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja thanë se deklarata e Bërns vetëm konfirmon akuzat e opozitës.

“Ky është vetëm konfirmim nga partnerët tanë strategjik se kur është LSDM-ja në pushtet, në Maqedoni lulëzon krimi, korrupsioni dhe nepotizmi. Sa më shpejt që LSDM-ja të ikë nga pushteti, aq më shpejt krimi dhe korrupsioni dhe nepotizmi do të jenë e kaluar kurse Maqedonia do të bëhet vend demokratik”, tha Ivica Tomovski, VMRO-DPMNE.

Ambasadorja Bërns ishte direkte në kritikat e saj gjatë firmosjes së marrëveshjes për grant me Ministrinë e Financave.

“Ne e dimë se një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni, i cili minon qeverisjen e mirë dhe saboton konkurrencën ekonomike. Ne e dimë se kjo do të jetë një sfidë sepse mungon llogaridhënia, transparenca. E gjithë kjo ka potencialin ta pengojë Maqedoninë e Veriut nga rruga e përparimit të saj. Zyrtarët qeveritarë duhet t’u përgjigjen këtyre sfidave, të përmbushin pritshmëritë e publikut dhe standardet e anëtarësimit në BE”, u shpreh Krejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-së.

Bërns kishte një deklaratë tjetër kritike muaj më parë, kur tha se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor në vend është vetëm 8%. / Alsat.mk

Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme 30 ditore në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi për muajin shtator, ky hyjnë në fuqi edhe masat e reja të qeverisë për kursimin e energjisë elektrike.

Pjesë e masave janë edhe detyrimi i institucioneve të shtetit të ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 %.

Vendi po përballet me krizën energjetike për shkak të thatësirës, ndërsa qeveria ka caktuar fonde nga buxheti për të ndihmuar kompanitë të prodhojnë dhe blejnë energji elektrike.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka propozuar që gjendja e krizës të vazhdohet deri në 2023.

“Kuvendi dhe deputetët kanë të drejtë të vazhdojnë gjendjen e krizës në sektorin e energjetikës. Propozoj që gjendja e krizës të vazhdojë aq sa është dhe sezoni i ngrohjes”, tha Bekteshi.

Sektori i ndërtimit në vend thotë se rregullat duhet të ndryshohen urgjentisht, sepse projektet e mëdha infrastrukturore janë marrë vesh me shtetin kur çmimet e ndërtimit ishin shumë më të ulëta se sot. Tani me rritjen e çmimeve, projektet ose do të mbeten të papërfunduara ose kompania do të falimentojë, nëse shteti nuk e ndihmon.

“Nëse nuk kemi një zgjidhje të unifikuar që do të jetë e shpejtë, sepse nëse nuk është e shpejtë dhe nëse hyjmë në sezon, dhe nëse nuk kemi zgjidhje, besoj se në qershor 80% e projekteve kapitale nuk do punohen”, deklaroi Andrea Serafimovski -Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Ndonëse realizimi i projekteve kapitale ka dështuar prej vitesh edhe pa këto probleme, autoritetet besojnë se edhe ky vit do të jetë rekord sipas nivelit të investimeve shtetërore.

“Në tremujorin e parë të këtij viti janë realizuar 12,9% e shpenzimeve kapitale të planifikuara, që është 23,5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar…”, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Sipas informacionit nga ndërtuesit, ka një rritje në çmimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit. Ekziston një rritje e shumëfishtë e çmimit të rërës, çmimi i tullave është rritur me 40 për qind, hekuri me 60 dhe materiali izolues për 50%./Alsat.mk

Pas raportimit të TV Klan se në Han të Elezit policia e Maqedonisë së Veriut ju kërkon udhëtarëve shqiptarë nga 20/30 euro ryshfet për ta kaluar kufirin, arrestohet kryeshefi i policisë kufitare dhe ndihmësi i tij, që të dy me përkatësi kombëtare shqiptare.

Zëvendësministri për Punë të Brendshme, Nazim Bushi, konfirmoi është arrestuar shefi i turnit në pikëkalimin Bllacë, i cili u kap me kamerë të fshehtë duke kërkuar nga 20 euro për pasagjerët shqiptarë që hynin në Maqedoninë e Veriut.

Mësohet se i arrestuari i parë është E.Sh nga Shkupi, shef turni në pikëkalimin mes RMV-ës dhe Kosovës, ndërsa zyrtari tjetër policor që duket në video mësohet se është Z.R.

Skandali u zbulua pasi një biznesmen, që merret me transport udhëtarësh denoncoi në emisionin “Stop” në TV Klan Shqipëri, presionin që i bëhet duke i kërkuar ryshfet për një shërbim që duhet të ishte falas dhe që i takon në kufi.

Shikoni videon, si pa fije turpi bandat kriminale të veshura me uniforma policie i plackitin udhëtarët shqiptarë, për fajin e vetëm, se duhet ta kalojnë kufirin artificial.

Mos paguani asnjëherë asnjë cent askujtë në kufi. Të gjithë kanë celularë në xhepa, incizo më zë, me video cdo abuzim dhe denonco në polici dhe dërgomandej incizimin edhe në në media ose publikoje vet në rjetet sociale.

https://fb.watch/cmfExnf-AS/

Deklaratat e kreut të VMRO-DPMNE-së, se mërgata nuk do të regjistrohet por do të evidentohet, nga drejtori i Entit shtetëror për Statistika, konsiderohen si lojëra për pikë politike ditore. Drejtori Apostoll Simoski, thotë se Ligji dhe Metodologjia e qartësojnë saktë se shtetasit që jetojnë jashtë vendit regjistrohen. Ai madje nënvizon se në Statistikë aspak nuk ekziston fjala evidentim.

Tani ajo që në esencë ndodh në opinion është politikë ditore. Ne aspak nuk ka intereson politika ditore, nga cilado qoftë strukturë politike. Askush nuk mund t’i ndalojë se si të veprojnë, por rregullat janë vendosur edhe me Ligjin edhe me Metodologjinë dhe ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër nga ata rregulla… Porosia ime nuk është deri tek partitë politike por deri tek qytetarët që të mos i dëgjojnë subjektet politike të cilat kanë qëllime politike ditore për të realizuar, ndërsa për këtë e shfrytëzojnë regjistrimin – deklaroi Apostoll Simovski, Enti Shtetëror për Statistika.

Megjithatë, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristojan Mickovski, mbetet në qëndrimin e tij se nuk do të pranojë regjistrimin e qytetarëve që e kanë lëshuar vendim më gjatë se një vit. Ai thirret në metodologjinë e Eurostat, por jo edhe në Ligjin dhe Metodologjinë për regjistrim në vendin tonë, e cila metodologji po ashtu është aprovuar nga Eurostat.

Të gjithë ata të cilët gjatë regjistrimin janë jashtë shtetit, ndërsa nuk e kanë çlajmëruar vendbanimin në 12 muajt e fundit, po, mund ta përdorin regjistrimin online, të tjerët jo. E për mua nuk është gjithçka e njëjtë, nëse Prodhimi Bruto Vendor prej 11 miliardë eurove, do ta ndaj me popullatën rezidente e cila krijon atë numër, ose do ta ndajë me regjistrin e shtetasve të cilët krijojnë Prodhim Bruto Vendor në shtetet ku jetojnë. Këtë nuk do ta pranoj – tha Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.

Ligji për Regjistrim për vitin 2021 edhe metodologjia, e shpjegojnë qartë se popullsia jorezidente regjistrohet. Neni 6 i ligjit saktëson qartë: se në Regjistrim do të përfshihen:

Neni 6 (Ligji për Regjistrim)

1. Personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh nëse në momentin e Regjistrimit gjenden në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose jashtë vendit,
Ndërsa në pikën 5 të Metodologjisë për Regjistrim, potencohen qartë tre kategori të cilat përfshihen në regjistrimin e vitit 2021.
1. Popullsia e plotë rezidente.
2. Popullsia jo e plotë rezidente
3. Popullsia e plotë e regjistruar, e cila do të jetë kategoria që do i përshijë në një vend të gjithë qytetarët e regjistruar, pa dallim nëse janë rezident, ose diasporë.

Mefail Ismaili

Nëntë nëpunës të MPB-së kanë qenë pjesë e aferës “Mafia”. Ata janë pjesë e rrjetit për të cilin ekzistojnë dyshime se kanë falsifikuar  pasaporta dhe letërnjoftime që më pas ua kanë ndarë anëtarëve të nëntokës së vendeve Ballkanike. Nga policia vetëm konfirmojnë se po zhvillohet aksion i policisë, ndërsa hollësi paralajmërojnë për më vonë. Skandalin një ditë një brifing me gazetarët e zbardhi VMRO-DPMNE-ja dhe sipas dokumenteve të kësaj partie, njëri nga krerët e mafias turke, Sedat Peker, ka pasaportë dhe letërnjoftim të Maqedonisë, me emër, Xhadin Ademovski. Sipas këtyre dokumenteve ai jeton në rrugën Qemal Sejfulla numër 22/1 në lagjen Çair, ndërsa sipas listës së zgjedhësve ai ka të drejtë vote. Megjithatë, ndërtesa në të cilën pretendohet se jeton Sedat Peker, nuk mundet të gjendet, për çka policia duhet të japë  detaje-nëse bëhet fjalë për adresë fiktive ose për ndonjë person tjetër.

Policia pati bastisje edhe në radhët e saj, më saktësisht në zyrat ku lëshohen dokumente udhëtimi dhe ato personale. Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski akuzoi se nëntoka nga rajoni është në bashkëpunim të ngushtë me strukturat më të larta të vendit tonë.

“Një rast i tillë nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e strukturave më të larta të qeverisë. Dhe nëse nuk e kanë ditur për këtë, atëherë ata ia kanë dorëzuar plotësisht pushtetin mafisë. Dhe kjo nuk duhet të përfundojë formalisht me deklaratë nga Ministria e Brendshme që arrestimet dhe rëniet e disa “kokave” të vogla dhe zyrtarëve… mos të na fyejnë inteligjencën tonë. Kjo nuk do të mundësohej pa dijeninë e strukturave më të larta qeveritare…- deklaroi Hristian Mickoski, lider i VMRO DPMNE.

Sipas asaj që një ditë më parë njoftuan nga VMRO-DPMNE-ja, rreth 200 kriminelë nga Ballkani, Amerika e Jugut dhe Azia kanë marrë dokumente nga Maqedonia. Midis tyre dyshohet se është kreu i klanit malazez i quajtur “shkaljarski klan”, Jovan Vukotiq, me identitet të rremë si Gjorgji Andonov, të lëshuar në SPB Shkup në vitin 2017.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari sollën pak shpresa për formim të shpejtë të qeverisë, të cilat ulën mundësinë e zhbllokimi të shpejtë të procesit eurointegrues të Maqedonisë. Struktura politike tradicionale humbi, ndërsa fituan të ashtuquajturat “parti protestuese” që qëndronin pas demonstratave kundër sundimit të gjatë të Bojko Borisovit. Partia e tij GERB është fitues zyrtar, por me kapacitet të dobët për të arritur shumicën në parlament, shkruan 360 shkallë, transmeton Portalb.mk.

Edhe mesazhet e para nga befasia e zgjedhjeve – showmani Sllavi Trifonov dhe partia “Ekziston një popull i tillë” janë se nuk do të nxitojnë për në qeveri.

“Skena politike është shumë e fragmentuar. Ekziston skenar në të cilin koalicioni i udhëhequr nga GERB-i qeverisëse e Kryeministrit aktual Bojko Borisov do të formonte qeveri. Ky skenar tani po bëhet i pamundur për shkak të mbështetjes së vogël për partinë nacionaliste VMRO, e cila, siç qëndrojnë tani gjërat, nuk do të hyjë në parlament. Mbështetje tjetër që mund të vijë për GERB është nga Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë, por rezultati i saj është më i dobët se zakonisht. Nëse formohet një qeveri rreth GERB, është e rëndësishme të theksohet se mund të shkaktojë pakënaqësi në shoqëri dhe të ulë më tej besimin në institucione”, tha Marija Simeonova, koordinatore e programit në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të jashtme.

“Ka shumë matematika të lehta nëse përqendrohemi vetëm te numrat, por nëse i shikojmë programet politike dhe pikëpamjet e shprehura, do të jetë shumë e vështirë nëse dimë në çfarë kushtesh u mbajtën zgjedhjet, me të gjitha protestat që ndodhën në Bullgari. Cili është pozicioni i Kryeministrit aktual Borisov në përbërjen aktuale të parlamentit, mendoj se do të jetë e vështirë të formohet qeveri”, tha Andreja Stojkovski, drejtori ekzekutiv i Institutit të Prespës.

“Formimi i një qeverie eksperte, teknokratike. Një qeveri e tillë, për shembull, ekziston në Itali dhe drejtohet nga Mario Draghi. Një qeveri e tillë do të ishte e kufizuar në kohëzgjatje dhe qëllim. Ajo do të duhej të marrë vendime për çështje urgjente dhe të adresojë sfida të hapura të tilla si pandemia”, tha Simeonova.

“Për Borisovin, kjo nuk është aspak e huaj. Përkundrazi, ai e ka bërë një gjë të tillë në të kaluarën – është tërhequr për një kohë, që të bëjë rezultat të mirë në zgjedhje. Me gjasë kjo është shpresa që ai ka për një rezultat të mirë zgjedhor”, shtoi Stojkov.

“Skenari i tretë do të ishte formimi i një koalicioni rreth partive që organizuan protestat. Kjo do të varet nga hapat e partisë së dytë më të madhe në këto zgjedhje – “Ekziston një popull i tillë”, i cili mori mbështetjen e rreth 18 deri në 19 përqind të votuesve. Është ende e paqartë nëse këto “parti proteste” – “Ka një popull të tillë”, “Bullgaria Demokratike” dhe “Çohu!” Mafia jashtë! ”, formacioni politik i ish-ombudsmanit Maja Manolova do të arrijnë deri në 120 + 1 deputetë në parlamentin e ri. Ky numër është i nevojshëm për formimin e një qeverie me shumicë prej 240 vendesh në parlament. Në rast se formohet ky koalicion, atëherë ai do të ketë nevojë për mbështetje nga disa parti të tjera. Është e mundur që mbështetja të vijë nga Partia Socialiste, që do të thotë mbështetje nga Presidenti Radev”, tha Simeonova.

Cili skenar i përshtatet Maqedonisë së Veriut

Qeveri ekspertësh me kohë dhe mandat programor të kufizuar, me shumë gjasë do të nënkuptonte se çështjet e vështira politike, të tilla si ato me Maqedoninë e Veriut, do të vendosen në “stand by”. Kjo përfshin shtyrje të re të fillimit tashmë të vonuar të negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE. Opsioni i Borisovi ta mbajë pushtetin mund të jetë mirë në aspektin e marrëdhënieve Sofje-Shkup, por një gjë e tillë tani për tani është pak e besueshme.

Është e paqartë se çfarë do të thoshte për Maqedoninë nëse Sllavi Trifonov dhe lëvizja e tij populiste arrinin të formonin qeveri.

“Duke pasur parasysh brishtësinë e skenës politike bullgare, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën, ka të ngjarë që çështjet e pazgjidhura midis Shkupit dhe Sofjes të qëndrojnë të tilla për disa kohë. Pozicioni i disa prej “partive protestuese” për këto çështje është i paqartë, por nuk duhet të harrojmë se pozicioni i qeverisë bullgare u mbështet nga shumë parti në parlament. Nëse kemi koalicion të gjerë rreth ‘partive protestuese’, do të jenë të nevojshme kompromiset”, tha Simeonova.

“Nuk duhet të presim, nuk e di se sa është progresi në lidhje me çështjen maqedonase dhe marrëdhëniet me vendin. Në periudhën parazgjedhore, të gjitha grupet politike ishin jashtëzakonisht të mprehta për këtë çështje. Dje, nëse nuk gaboj, përsëri u shpërnda statusi i Sllavi Trifonov për vendin tonë dhe më duket se nuk do të jetë i thjeshtë. E vetmja shpresë që do të duej ta kemi është të shpresojmë në një mrekulli, e cila do të ndodhë më vështirë”, analizon Stojkovski.

“Faktor shumë domethënës do të jenë edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale të planifikuara për këtë vjeshtë. Pamë që presidenti ka luajtur rol të rëndësishëm në çështjet midis Sofjes dhe Shkupit. Do të thoja që gjëja më e rëndësishme për çështjet e hapura bilaterale është nëse presidenti do të ndryshojë pozicionin e tij apo jo. Ndërsa presidenti aktual Rumen Radev ka të drejtë rizgjedhjeje”, tha Simeonova.

Pasojnë negociata të ndërlikuara dhe të pasigurta për atë se si do të duket qeveria e ardhshme në Bullgari. Nuk përjashtohen as zgjedhje të reja të shpejta. Një gjë është e sigurt – Maqedonia nga sot, nuk hynë në dinamikë të re në marrëdhëniet me Bullgarinë, ashtu siç para dy ditësh njoftoi shefi i diplomacisë. Pyetja është nëse kjo do të jetë e mundur në të ardhmen e afërt. Nevojitet optimizëm, por realizmi kryesisht drejton marrëdhëniet ndërkombëtare.