Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të një gruaje 79-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë pasi më shumë se dy javë ishte e shtruar në spital pas helmimit familjar me ushqime shtëpiake në Shkup.

Më herët pas së njëjtës ngjarje ka ndërruar jetë edhe nusja e saj 47-vjeçare, ndërsa djali i saj 55-vjeçar është liruar për mjekim në shtëpi.

Prokurori publik kompetent është duke punuar për të përcaktuar shkaqet e helmimit të ndodhur në Kisella Voda të Shkupit.

Siç bëhet me dije nga Prokuroria, nga shtëpia e familjes janë marrë rreth 20 gjurmë të ndryshme, për të cilat është dhënë urdhër ekspertimi.

Gjithashtu u dha urdhër për sigurimin e historive mjekësore të tre pacientëve.

Informacionet thonë se në byrekun me presh të ngrënë nga familja më datë 15 të këtij muaji është gjetur një insekticid i fortë, i cili i ka helmuar të tre dhe vetëm 55-vjeçari ka mundur të shpëtojë.

/ Libertas

Përktheu dhe përshtati

Adnan Aliti

Njëzet pronarë dhe drejtorë të 28 kompanive janë arrestuar, ndërsa gjashtë rezultojnë të zhdukur në operacionin e sotëm të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Policisë Financiare të koduar “Zinxhiri”.

Ata dyshohen për bashkim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim parash.

Ata dyshohet se kanë themeluar apo marrë nën kontroll kompani, përmes të cilave kanë përgatitur fatura false për të mos paguar TVSH-në.

Sipas prokurorisë, në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin për më shumë se 490 milionë denarë, përkatësisht për gati tetë milionë euro.

Për 13 të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgimit, një arrest shtëpiak, ndërsa për 12 të tjerët masa të tjera paraprake, si konfiskimi i pasaportës, ndalimi i daljes nga vendbanimi dhe ndalimi i kontakteve me persona të caktuar. U kërkua ngrirja e aseteve të pesë personave dhe shtatë kompanive.

Mëngjesin e sotëm është bërë e ditur se prokuroria dhe policia financiare po arrestojnë persona dhe po kontrollojnë objektet në disa lokacione në Negotinë, Kavadar, Manastir dhe Ohër.(INA)

“Më shumë se 300 mjekë shqiptarë nga Maqedonia kanë shkuar të punojnë në spitale jashtë vendit në pesë vitet e fundit. Vetëm këtë vit, ky numër është më shumë se 50.”

Këtë e bëri të ditur për Alsat, kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë, Nevzat Elezi.

Sipas tij, jo vetëm mjekët e rinj, por edhe mjekët në moshë dhe personeli tjetër mjekësor si infermierët, fizoterapistët dhe gjinekologët po largohen.

“Ka disa faktorë për këtë situatë. Një nga arsyet pse mjekët e rinj largohen nga vendi janë kushtet e këqija. Ata rrallë shkojnë në specializim, nuk regjistrohen në konkurse. Këtu janë edhe specializimet e gjata, të cilat zgjasin gjithsej 6 vjet…”, theksoi Elezi.

Sipas shoqatës, në nivel shtetëror, më së shumti mungojnë pediatër, gjinekologë dhe psikiatër. Shumë spitale si Tetova, Kumanova, Struga dhe Kërçova kanë mungesë të specialistëve në fusha të ndryshme.

Në qeverinë maqedonase, shqiptarët përfaqësohen me 10 ministra nga 20 në total që ka kabineti qeveritar. Edhe zv/kryeministri dhe kreu i parlamentit maqedonas janë të dy shqiptarë e megjithatë gjuha shqipe konstatohet se përdoret me vështirësi. Vetë shqiptarët drejtojnë gishtin nga shqiptarët e politikës, që sipas tyre, kanë bërë kompromise për përfitime personale.

“Në kohën që gjysma e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga shqiptarë janë të pakta ato ministri që komunikimin me qytetarët dhe pushtetin lokal e bëjnë në gjuhën shqipe, siç janë të obliguar në bazë të ligjit. Aplikimet për fonde të ndryshme që vijnë nga qeveria qendrore vijnë vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kam insistuar që të jenë edhe në shqip.

Nëse futeni në ëeb faqet e ministrive që udhëhiqen nga shqiptarët do të shihni se gjuha shqipe atje është me google translate dhe nuk ka seriozitet, të gjithë aplikimet, dokumente, projektet janë vetëm në gjuhë maqedonase”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës Tetovë.

m.b./dita

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.

Sipas raportit, kundrejt të burgosurve dhe të ndaluarve ka pasur raportime për torturë, dënime dhe trajtime jo-humane nga ana e policëve. Deri te Avokati i Popullit, kanë arritur gjithsej 103 denoncime për raste të tilla, 51 më shumë se vitin e kaluar.

Përpos dhunës policore, të arrestuarit i presin kushte jo-humane edhe në burg. Në raport thuhet se kushtet në burgje janë të këqija për shkak të mbipopullimit, mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, higjienës jo-adekuate, stafit të korruptuar ndërsa në disa qeli në idrizovë qëndrojnë nga 16 deri në 19 të burgosur. Vetëm 5 nga 11 burgje kanë të punësuar mjekë me orar të plotë. Kushte nuk janë më të mira edhe në burgjet për fëmijë, të cilëve sipas raportit, u jepet dozë e tepruar e ilaçeve. Kritikave nuk iu “shpëtoi” as gjyqësori.

“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në raport duke cituar Këshillin Gjyqësor, thuhet se besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor vjen për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm në gjyqësor, shtyrjes së seancave për të mundësuar vjetërsim të lëndëve, sidomos kur të akuzuar janë biznesmenë dhe politikanë dhe ngjashëm.

Korrupsioni është radhitur ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, gjithsej 357 denoncime për korrupsion kanë arritur deri te Komisioni Antikorrupsion. Ky institucion, ka shqiptuar 356 gjoba kundër zyrtarëve publik për shkelje të ndryshme, nga të cilët vetëm 220 kanë paguar gjobat në afat të caktuar.

Statistikat e personave pa shtetësi vijojnë të ngelin shqetësuese, mesatarisht 584 persona figurojnë pa shtetësi ndërkaq sipas raportit, Ligji për Shtetësinë i votuar në vitin 2020 ka ngecje në implementim. Pre e këtij lloji të diskriminimit por jo vetëm, më së shumti janë romët.

Shqetësues sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit ngelin edhe statistikat për dhunë në familje, nga janari deri në qershor janë regjistruar 662 të mbijetuar nga kjo dukuri ndërsa kompetentët jo gjithmonë marrin masa në kohë. /Alsat.mk

Maqedonia e Veriut është vonuar me ratifikimin e marrëveshjeve nga procesi i Berlinit. Ato janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas informacioneve të Institutit për Demokraci, Qeveria ende nuk i ka dërguar në Kuvend. Sipas marrëveshjeve, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të njohin letërnjoftimet, diplomat universitare dhe kualifikimet profesionale të njëri-tjetrit. I pyetur për vonesën e ratifikimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk është i njoftuar me detajet, por kundërshton mundësinë e prapavijës politike.

“Ajo që është shumë domethënëse për marrëveshjet e Procesit të Berlinit është se marrëveshjet që nënshkruhen aty janë praktikisht të depozituara në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, pra nuk ka ndonjë gjë politike, por me siguri procedurale apo teknike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Si depozitues i tre marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit, i bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë t’i dorëzojë ë Kuvend dhe Kuvendi të gjejë forcë t’i vendos në rend dite për ratifikim sa më shpejt të jetë e mundur, me konsensus. Përkushtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve duhet të tregohet në veprim, veçanërisht në procese që varen nga proaktiviteti dhe efikasiteti i institucioneve shtetërore”, thonë nga Instituti për Demokraci.

Nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para që ratifikoi të tre marrëveshjet, e ndjekur nga Kosova. Në Serbi marrëveshjet tashmë janë në procedurë parlamentare dhe së shpejti do të jenë edhe para deputetëve në Mal të Zi. Ngecja e vetme është në Bosnjë- Hercegovinë për shkak të procedurës së komplikuar. Sipas anketës së fundit telefonike të Institutit për Demokraci të realizuar në nëntor të vitit të kaluar me 1005 të anketuar, ka mbështetje të lartë të qytetarëve për përfitimet e nismës rajonale. Shumica dërrmuese prej 80% e qytetarëve e konsiderojnë si tërheqëse mundësinë e punësimit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85% e të anketuarve, ndërsa mundësia e përdorimit të arsimit të tyre në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shihet pozitivisht nga 84% e qytetarëve. /Alsat.mk

Maqedonia e Veriut “mban flamurin” në Ballkan si vendi më i palumtur. Sipas raportit të lumturisë të realizuar nga Instituti “Gallup” vend renditet i 87-ti në listën e 137 shteteve. Pranë Maqedonisë së Veriut janë Venezuela, Kongo dhe Ukraina në vendin e 92-të. Nga vendet fqinje në Ballkan, Shqipëria është më afër Maqedonisë në vendin e 83-të, Bullgaria në vendin e 77-të, Bosnjë- Hercegovina në vendin e 71-të, Greqia në vendin e 58-të, Serbien në vendin e 45-të, ndërsa Kosova është në vendin e 34-të. Raporti është bërë në bazë të sondazheve të ndryshme të kryera në shtetet përkatëse. Janë marrë parasysh gjashtë faktorë, duke përfshirë “Lirinë për të bërë zgjedhje të jetës”, “Perspektivat për një jetë të shëndetshme”, “Bujarinë e njerëzve”, “Perceptimin e njerëzve për korrupsionin”, “Mbështetjen sociale të ofruar nga shteti”, “Prodhimin e Brendshëm Bruto” dhe një faktor të quajtur “Distopia dhe qëndrueshmëria”. Vendet më të lumtura në botë mbeten Finlanda dhe Danimarka dhe shtetet e tjera baltike apo shtetet në Evropën veriore.

“Bullgaria është në favor të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, por me kusht që të respektohen të drejtat e bullgarëve atje”, kështu tha të hënën ministri i jashtëm në detyrë, Nikolay Milkov.

Ai foli për mediat gjatë rrugës për në Shkollën e 16-të Ndërkombëtare Dimërore për Diplomacinë, të mbajtur nga Instituti Diplomatik dhe Ministria e Jashtme për diplomatët e huaj nga BE, Evropa Juglindore dhe rajoni i Detit të Zi.

Ai gjithashtu tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje me rëndësi të menjëhershme për Bullgarinë “sepse është mjedisi në të cilin Bullgaria ekziston dhe ndjek politikën e saj të jashtme”, u tha ministri gazetarëve.

“Ne kemi një qëndrim parimor në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe do të ishte më mirë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, por në të njëjtën kohë duhet të ndodhë në përputhje me parimet dhe mekanizmat, të vendosura dhe të caktuara nga BE”, tha Milkov.

Ai nënvizoi se Bullgaria është në mbrojtje të të drejtave të “bullgarëve në këto vende, të njerëzve që kanë vetëdije bullgare dhe ndihen bullgarë në zemër”.

“Këto gjëra nuk shkojnë kundër qëllimit të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Krejt e kundërta: respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtat për shoqërim, luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, janë të gjitha kriteret për anëtarësimin e këtyre vendeve drejt BE-së”, tha Milkov.

Në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Milkov u shpreh se Bullgaria ka një qëndrim të qartë, i cili bazohet në atë që ka vendosur BE-ja për Shkupin dhe mbështetet në “propozimin francez ose evropian”, për ta parafrazuar atë.

Ai shtoi se propozimi në fjalë është pranuar nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë Bullgarinë dhe nga Kuvendi i Shkupit. “Kur të plotësojnë kushtet, rruga për anëtarësim do të hapet”, shtoi ai./BTA

Me 2100 amendamente VMRO-DPMNE-ja do të bllokojë 4 ligjet që janë në Kuvend dhe me të cilat parashihet rritja e rrogave të gjykatësve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe të Këshillit të prokurorëve. Nga partia opozitare thonë se nuk është kundër rritjes së rrogave por shtojnë se kjo masë duhet të jetë e fundit në kuadër të reformave që pushteti duhet të ndërmarrë në sektorin e drejtësisë.

“Siç duket, ky është shpërblimi i qeverisë për besimin e mjerë prej 3% që kanë qytetarët te sistemi i drejtësisë. E pyesim qeverinë, a do të nënkuptojë gjyqësor më të mirë, prokurori më të mirë, reduktim të procedurave burokratike dhe zgjidhje më të shpejtë të konteksteve gjyqësore, kjo rritje e rrogës së prokurorëve dhe gjykatësve? Përgjigjet janë të qarta edhe për ne, edhe për gjithë opinionin. Në vend se qeveria t’i përveshë krahët dhe më në fund të fillojë me reforma konkrete dhe reale në gjyqësor, pushteti mendon se me zgjidhje të këtilla at-hok do t’i rregullojnë mangësitë e tij”, tha Draganço Eftimov, VMRO-DPMNE.

Në ditën e dytë të vizitës në Danimarkë, kryetari i Komunës së Tearcës z. Nuhi Neziri, mori pjesë në koktejin e organizuar nga konsullata e Kosovës në Danimarkë me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kryetari Neziri u prit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, i cili mbulon edhe Danimarkën, z. Faruk Ajeti, nga konsujt e Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës, z. Valdrin Grainca dhe Mentor Halilaj me të cilët shkëmbyen informacione dhe dhurata të ndërsjella.

Kryetari Neziri po ashtu u pritë edhe nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Danimarkë, z. Faton Bejta, me të cilin biseduan për punën e ambasadës dhe shërbimet e tyre ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë në Danimarkë.

Në mbrëmjen festive ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Danimarkë z. Alan Leventhal, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës Peter Hummelgaard etj.

Kryetari Neziri u takua edhe prof. Toe Magnussen, aktivist shumëvjeçarë i çështjes shqiptare, Niels Henrik Hooge, ish ushtarë i UÇK dhe autorë i librit “Kosova”.

Po ashtu takime miqësore kryetari Neziri pati edhe me përfaqësues të Shoqatave Shqiptare në Danimarkë , aktivistët, Nevzat Qamili, Bardhyl Islami, Ibrahim Xhemajli, Nderim Ibrahimi, Mujë Berisha, asambleist i Komunës Lolland Falster.

Takime miqësore pati edhe me përfaqësuesit e Shoqatave Shqiptare në Suedi, Murat Koci dhe Xhevat Jusufi.

Takimet intensive të Kryetarit Neziri vazhduan edhe me afaristët e mirënjohur shqiptarë në Danimarkë, vëllezërit Servet dhe Neset Ismani, pronarë të disa restoranteve në qendër të Kopenhagës, Zeqa Haziri pronarë i zinxhirit të restoranteve BUKA në Kopenhagë, Dulla Elmazi afarist në fushën e ndërtimtarisë, si dhe pronarin e Burek Hause në Malmö z. Milaim Makolli

Kryetari Neziri sonte vazhdon agjendën e takimeve edhe me diasporën shqiptare që vijnë nga Komuna e Tearcës.

Për mediat shqiptare nga Danimarka, Adnan Aliti