I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit. “Kosova Asociacionin dhe Serbia njohjen e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera gjëra si këto, tha Escobar për Zërin e Amerikës.

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, Escobar tha se se ai ka qenë një një figure jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendimeve në emër të qeverisë serbe”. /VoA/

Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i Kuvendit Glauk Konjufca, me rastin e 34-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në lagjen “Velania” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast kreu i Qeverisë, tha se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu janë sinonim i shprehjes “deri në frymën e fundit”.

“Erdhëm të bëjmë nderim para dy dëshmorëve të kombit, edhe para UÇK-së ne kemi pasur çlirimtare, edhe para dëshmorëve të luftës së fundit kemi pasur dëshmorë”.

“Afrimi dhe Fahriu janë sinonim të saj shprehjes ‘deri në frymën e fundit’. Punuan bashkë e vepruan bashkë deri në frymën e fundit”.

Më pas homazhe do të bëhen edhe në vendin e vrasjes së dy heronjve. Ata ranë heroikisht në këtë datë të vitit 1989-të, në lagjen “Bregu i Diellit.

Draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Draftin e plotë të statutit të Asociacionit, i cili ka dal nga zyra e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka siguruar Paparaci.

Ky draft-statut ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat e kompetencat e themelimit të Asociacionit.

Një nga pikat e draft-statutit parasheh rregullimin e strukturës organizative të Asociacionit. Bazuar në draft-statut, asociacioni do të ketë kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, bordin, këshillin këshilldhënës dhe zyrën për ankesa.

Te pika “Objektivat kryesore” në draftin e statutit thuhet se ai “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Ndërkaq, në konkluzionet e draft-statutit theksohet se “projekt statuti nuk e kalon ndonjë nga vijat e kuqe të Kosovës”.

Edhe emisari Lajçak, në një deklarim për media më 23 tetor, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve.

Ky draft, i propozuar nga Bashkimi Evropian, u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë gjatë vizitës më 21 tetor në këto dy shtete të përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Tri ditë më vonë, gjatë takimeve në Bruksel me tre liderët e BE-së, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni, si dhe me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, kryeministri Albin Kurti tha se është pajtuar me propozimin për draft-statutin e Asociacionit.

Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. Kështu thotë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa potencon se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren. Ai shton se do të vazhdojnë të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit, me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën dy policë.

Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, ministri Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

Ministri Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

Përveç kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku potencoi se është bërë një vlerësim preliminar i dëmit që i është shkaktuar trashëgimisë kulturore gjatë viteve 98-99’ nga forcat serbe. Ai thotë se i MKRS-ja, i ka shifrat e para që tregojnë se sa monumente e vepra arti janë dëmtuar.

Çeku shtoi se raporti do të mbetet konfidencial deri në një afat të pacaktuar, meqë sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm me të cilin do të ballafaqohet Serbia. Ai thotë se përmes këtij raporti, do të kërkohet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës së fundit.

Ndryshe, kanë kaluar dy dekada prej përfundimit të luftës në Kosovë, por Serbia vazhdon t’i mbajë mbi një mijë artefakte arkeologjike të cilat vendin e kanë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Deri më tani, nga thesari i artefakteve Kosovës i është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.

Për kthimin e këtij eksponati, në maj të vitit 2002, ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner. /KP/

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të premten se propozimi i të dërguarve perëndimorë për Asociacionin parasheh që Gjykata Kushtetuese të jep vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi shfaqi në Bruksel gatishmërisë së tij për të nënshkruar projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nga takimi i 21 tetorit nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai.

Ai tha se Kosova do të respektojë kërkesën e diplomatëve që të mos flitet për hollësitë e projektit, të cilin kishte ofruar ta nënshkruaj dje gjatë takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

“Ofruam që para tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit të 27 shkurtit, me gjithë aneks-implementues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin e zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10. Pra për idenë e vetmenaxhimit të shndërruar në vetpropozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë edhe zbatim mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nëshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se tani është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe kriminal ndaj Kosovës si dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Ata gjithnjë insistojnë që të dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht edhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënoi dhe i përmbushë këto kërcënime me këso letra të cilat thonë tri gjëra. Serbia se njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, kjo e treta është një shtesë sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i paparanueshëm”, tha zoti Kurti.

Partitë opozitare në Kosovë shfaqën të premten qëndrime të ndryshme lidhur me gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti për të nënshkruara projektin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës kritikuan qeverinë për mos transparencë në raport dokumentet e fundit të paraqitura nga faktori ndërkombëtar.

“Mbrëmë vonë doli dhe tha se unë kam pranuar draftin për statutin e Asociacionit, unë nuk po e gjykoj a është i mirë apo i keq sepse nuk e di, nuk e kam parë, po e gjykoj vetëm lëvizjen politike të kryeministrit nga refuzues absolut dhe sjelljes së vendit të sanksionet dhe ndëshkimet e vazhdueshme me kosto edhe me humbjen e jetes së njerëzve ë këtë vend, me një pranim kaq të lehtë. Çka ndhodhi? A duhet të jetë i informuar ky vend dhe ky Kuvend?”, tha Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Për më tepër qytetarët, shoqëria civile, publiku madje as ne deputetët u kkemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti. Cili është drafti i pranuar? Cila është materia? Pra pse kaq shumë jo transparencë? Prej kujt është duke u fshehur kryeministri, prej qytetarëve të Kosovës? Pra cili është mesazhi i krejt këtzre zhvillimeve të fundit. Sa herë që Serbia sulmon Kosovën, Kosova duhet të lëshoj pe me diçka. Na sulmojë me 24 shtator dhe me 26 tetor Albin Kurti e pranoi një draft të Asociacionit”, tha deputetja Blerta Deliu Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mbrëmë Kosova ka bërë një hap të madh me pranimin e zbatimit të propozimit të diplomatëve perëndimorë.

“Në këtë rast e ka vendosë Kosovën në pozicion të duhur në këtë kohë pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjeve të mija, me zhvillimet e djeshme BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës menjëherë pra qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës ka marrë obligim, ka shprehur gatishmëri me zbatu dokumentin që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka shprehë vërejtje në dokument, ka shprehë kërkesa tjera, me këtë besoj që BE duhet menjëherë me i heq sanksionet, pra është e pakuptimtë me vazhdu me sanksione”, tha zoti Haradinaj.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

a.c./dita

Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gatishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Në një koment për Zërin e Amerikës, Departamentit i Shtetit tha se procesi i normalizimit i ndërmjetësuar nga BE-ja, është rruga e vetme për të siguruar marrëdhënie paqësore dhe produktive dhe për të realizuar aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. SHBA përsëriti gjithashtu thirrjen që dy palët të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha. Në intervistën që kryediplomatja e Kosovës i dha koleges Garentina Kraja të premten , ajo tha se një zbatim i pjesshëm nuk do të sillte përparimin e synuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, Kryeministri Kurti e pranoi, por nuk e nënshkroi marrëveshjen e Asociacionit. Përse kryeministri Kurti e lidh krijimin e Asociacionit në Kosovë me nënshkrimin e marrëveshjes nga Beogradi për obligimet e veta nga ky proces?

Donika Gërvalla: Po tani në fakt Kryeministri çfarë i ka ofruar dje Kancelarit gjerman, Presidentit francez, Kryeministres italiane dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri, i cili ka ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili i respekton shqetësimet që i kemi shprehur gjatë dy viteve rreth substancës së atij mekanizmi dhe kryeministri Kurti i ka treguar partnerëve ndërkombëtarë që nëse ata do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve që kemi lidhur atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në implementimin e tyre.

Zëri i Amerikës: A mund të ndani me ne çfarë parashikon modeli i ri i asociacionit? Deri dje e keni quajtur asociacionin të vdekur, ndërsa tani e keni pranuar.

Donika Gërvalla: Por ky është problemi kur edhe mediat serioze shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje të intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi biseduar në intervistën të cilën ju e citoni, kemi biseduar për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, të cilin siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene. Pra ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Me anë të një deklarate, udhëheqësit e Francës, Italisë, dhe Gjermanisë i bën thirrje palës kosovare të fillojë procesin e zbatimit të asociacionit pavarësisht nga Beogradi. A do të fillojë Kosova procesin e zbatimit të asociacionit, zonja Gërvalla?

Donika Gërvalla: Nëse marrëveshja e lidhur në Bruksel zbatohet si e tëra, ajo përfshin nenet 7 dhe 10, dhe në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Marrëveshje ose copëza të marrëveshjes, të cilat Beogradi madje as nuk i pranon, nuk kanë për të sjellë normalizimin e dëshiruar, normalizimin e nevojshëm mes dy shteteve tona dhe prandaj janë të pakuptimta. Marrëveshja zbatohet si e gjitha, përndryshe copëzat e saj nuk do të sjellin progres.

Zëri i Amerikës: Para sulmit të 24 shtatorit, qeveria juaj ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për presion të padrejtë ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. A keni vërejtur ndonjë qëndrim ndryshe të Bashkimit Evropian dhe në tërësi të bashkësisë ndërkombëtare që atëherë?

Donika Gërvalla: Mendoj që jo vetëm qeveria jonë, por edhe shumë vëzhgues të proceseve në Ballkan, shumë studiues, shumë gazetarë, media serioze kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian si të njëanshme në raport me Kosovën dhe në kërkesën në vazhdimësi që Kosova të bëjë lëvizje të mëdha ndërkohë që ka pasur njëfarë mirëkuptimi të vazhdueshëm për Serbinë, e cila jo vetëm në rastin e Kosovës nuk lëviz, por nuk përmbush obligimet e saj ndërkombëtare as në raport me Rusinë dhe luftën e saj në Ukrainë dhe as në raport me të tjera fenomene që lidhen me forca të cilat nuk janë pjesë e strategjisë të Bashkimit Evropian dhe të Perëndimit në përgjithësi. 24 shtatori ka treguar që Kosova ka pasur të drejtë, që Serbia ndërkohë që ne përpiqeshim të arrinim rezultate në dialog, Serbia ka qenë duke përgatitur trupa paramilitare për t’i dërguar në Kosovë për të pushtuar territorin e Kosovës, prandaj ne shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare më në fund të jetë më e vendosur në kërkesat e saj në dënimin e agresorit, por gjithashtu edhe në kërkimin e rrugëve të cilat mundësojnë një zgjidhje afatgjatë.

Zëri i Amerikës: Megjithëse zoti Kurti pranoi asociacionin, udhëheqësit e BE-së në deklaratën pas takimit të djeshëm e fajësuan njësoj Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. Cili është komenti juaj për këtë vlerësim?

Donika Gërvalla: Dua ta theksoj edhe një herë se nuk e di për cilin pranim e keni ju fjalën. Unë u përpoqa në detaj t’ju shpjegoj se çfarë ka ndodhur dje, cili ka qenë zotimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër më lejoni të theksoj që Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashme të BE-së nuk është hera e parë që është shumë i njëanshëm në vlerësimin e situatës. Zoti Borrell edhe në të kaluarën është shquar për deklarata të cilat nuk e kanë pasqyruar realitetin e dialogut, nuk e kanë pasqyruar realitetin e qëndrimeve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur dy palë dje. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata në të cilën ndodhemi dhe atë rrugë e ka refuzuar Presidenti i Serbisë dhe t’iu them të drejtën as nuk presim që Presidenti i Serbisë të tregohet konstruktiv në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni ju nga ky proces? Cili është vizioni juaj për rrugën përpara, zonja Ministre?

Donika Gërvalla: Rruga tutje është forcimi i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, respektimi i interesave të qytetarëve të të gjithë Republikës tonë, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, fetare, rajonale apo çfarëdo qoftë tjetër. Rruga tutje është përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për të ngritur sundimin e ligjit, për të forcuar demokracinë edhe për t’i ofruar gjithmonë të gjithë fqinjëve mundësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kjo është ajo çfarë është në dorën tonë. Të gjitha të tjerat nuk janë vetëm në dorën e Republikës së Kosovës dhe prandaj shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysninë e duhur, të shprehë sanksionet e duhura ndaj Serbisë me qëllim që të kemi një mundësi të lëvizjes në normalizimin e marrëdhënieve tona.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara shpesh gjatë këtij viti kanë përsëritur se ekziston një trysni kohore për ta përmbyllur marrëveshjen me Serbinë. A ka ende mundësi që marrëveshja të përmbyllet para zgjedhjeve vitin e ardhshëm në Amerikë?

Donika Gërvalla: Sa i përket Republikës së Kosovës, ne e kemi treguar rrugën se si mund të përmbyllej menjëherë. Kryeministri Kurti ka ofruar mundësinë që që dje të finalizohej marrëveshja me nënshkrimin e të dyja palëve në prani të të gjithë liderëve evropianë. Një mundësi e tillë nuk është shfrytëzuar dje; të shohim se a do të ketë mundësi të ngjashme, parimore dhe të suksesshme për Republikën e Kosovës në të ardhmen. Kjo nuk varet, e thashë edhe një herë, vetëm nga ne. Kjo varet shumë edhe nga cili pozicion do të marrë bashkësia ndërkombëtare, do të marrin partnerët, miqtë dhe aleatët tanë në raport me kërkesat e drejta të Republikës së Kosovës, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për t’i ikur negociatave dhe për të forcuar agresionin ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi edhe një herë çështjes së modelit të ri që është ofruar nga të dërguarit e posaçëm ndërkombëtarë për asociacionin. A mund të na detajoni çfarë e bën të pranueshëm këtë model për Republikën e Kosovës?

Donika Gërvalla: Shumë e thjeshtë: modeli i ri, i cili na është prezantuar, respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës. Mendoj që ky është detyrim i çdo qeverie të çdo vendi demokratik.

Zëri i Amerikës: Dhe a ndiheni që modeli i ri respekton këto parime bazë?

Donika Gërvalla: Më duket që e theksova tre herë gjatë kësaj bisede të përbashkët që patëm, që ky është ndryshimi bazë i propozimit që na ka ardhur dhe kjo është arsyeja pse Kryeministri Kurti në një ofertë shumë të sinqertë dhe shumë parimore dje në Bruksel ka ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes bazike të planit të implementimit dhe në kuadër të saj të implementimit edhe të nenit 7, i cili parasheh një mekanizëm të vetmenaxhimit për serbët e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, do të qëndrojnë sot në Bruksel. Takim të nivelit të lartë s’do të ketë, megjithatë Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Siç shkruan Associated Press, Bashkimi Evropian do ta rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit për të normalizuar raportet, duke kërkuar kështu nga Scholz, Macron dhe Meloni që të bëjnë një shtytje të madhe për t’i detyruar Kosovën dhe Serbinë t’i lënë mënjanë dallimet.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pak para fillimit të takimeve ka thënë se nuk negociojnë në mënyren “merre ose lëre”.

Ai foli rreth pritshmërive të tij lidhur me takimin e sotëm në Bruksel duke thënë se Lajçak tha se ka pritje të larta.

“Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara”, tha Lajçak, raporton Gazeta10.

Tutje ai tha se presin edhe implementimin e marrëveshjes. I pyetur nëse është dita e një dokumenti për marrëveshjen “merre ose lëje”, Lajçak tha se nuk negociojnë në atë mënyrë.

“Ne nuk negociojme më mënyrën “Merre ose lëre, kjo duhet të jetë pajtim mes dy palëve në të cilën jemi duke iu ndihmuar”, tha ai.

Mbi 700 minatorë po vazhdojnë grevën për të tretën ditë me radhë. Në dy ditët e para, disa prej tyre u është përkeqësuar gjendja dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi ka thënë se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave: Ekzekutimi i pagave me kohë, shkarkimi i menaxhmentit dhe sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të punës. Ndërkohë, Menaxhmenti i Trepçës ka dalë dje me një reagim ku ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të grevës, duke e quajtur edhe jo ligjore. Nga Qeveria kanë heshtur për këtë çështje.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për moacionin për ta miratuar një rezolutë të re, mbi rezolutën e dikurshme të senatorit të atëhershëm zviceran, Dick Marty, e cila e akuzonte UÇK-në për krime të rënda gjatë luftës, ndër tjerash edhe trafikim organesh.

“🔴 I MBLODHËM MË NË FUND FIRMAT NË ASAMBLENË E KËSHILLIT TË EUROPËS PËR MOCIONIN PËR NJË REZOLUTË TË RE MBI REZOLUTËN E VITIT 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS për trafikun e organeve njerëzore 💔 “, shkroi Rama në Facebook.

Ai tha se “drejtësia do të triumfojë në fund fare”.

“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare🦅”, ka shkruar ai.