Rusia dhe Turqia kanë arritur një tjetër marrëveshje për Sirinë, që parashikon ngritjen e një zone joushtarake pranë qytetit të Idlibit. Lëvizja pritet të kthehet në një tjetër pengesë për palën amerikane, që e konsideron Idlibin një pikë strategjike në rast të një konflikti me Iranin.

Presidentët Vladimir Putin dhe Recep Taip Erdogan kanë rënë dakord për përforcimin e një zone të re joushtarake në Idlib, ku rebelëve radikalë do t’u kërkohet të tërhiqen. Rusia, aleatja kryesore e presidentit sirian Bashar al Assad, ishte përgatitur për një ofensivë në Idlib, një qytet me rreth 2 milionë banorë që kontrollohet nga rebelët. Por pas bisedimeve të zhvilluara të hënën mes Putin dhe Erdogan, që ka kundërshtuar një ndërhyrje ushtarake, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka deklaruar se nuk do të ketë një ofensivë. Vetë Putin në konferencën e përbashkët për shtyp ka thënë se marrëveshja parashikon që armatimet e rënda të tërhiqen dhe që rebelët radikalë, përfshirë frontin al Nusra, të largohen nga zona. Në rezidencën e tij në Soçi, Putin ka saktësuar se zbatimi i marrëveshjes për zonën joushtarake do të nisë më 15 tetor; zona do të jetë e gjerë deri në 25 kilometra dhe do të patrullohet nga njësitë ushtarake turko-ruse. Ende nuk dihet nëse ajo do të jetë pjesë e qytetit të Idlibit. Nëse po, atëherë kjo do të kërkojë detyrimisht largimin e rebelëve. Lëvizja e Moskës dhe Ankarasë pritet të krijojë një tjetër pengesë për Shtetet e Bashkuara, të cilat e konsiderojnë Idlibin një qytet strategjik në rast të një konflikti me Iranin.

Shpërndaje në