Bardhyl Mahmuti-Në bazë të raportit të autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (me numër reference IML: MA16-286, të datës 7 nëntor 2016), “vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës” (në tekstin e autopsisë: ndaljen “reflektore të punës së zemrës”).

Krahas diagnozave, që përkufizohen si shkaktarë të vdekjes, ekipi mjeko-ligjor që kreu autopsinë në Kosovë interpreton lëndimet që ka pasur Astrit Dehari. Në pjesën e titulluar: “Shkaqet dhe mekanizmi i vdekjes”, ky ekip përmend vetëm lëndimet që ishin përshkruar në pikën 1 dhe 2 të raportit të autopsisë dhe i përkufizon si dëmtime, që me “besueshmëri janë dëmtime të vetëshkaktuara”.

Në pikat 1 dhe 2 të raportit të lartpërmendur të autopsisë përshkruhen vetëm lëndimet në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë dhe përkufizohen si “dëmtime (gërvishtje) sipërfaqësore të lëkurës”.

Duke u mbështetur në këtë raport, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, më 18 nëntor 2016, në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi: “Nga dëshmitë e siguruara deri më tani, nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Dehari. Nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje me faktor të jashtëm që rezulton në lëndimin apo dëmtimin fizik të të ndjerit Astrit Deharit. Të gjitha provat dhe ekzaminimet demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”. Për t’u dukur bindës në punën “profesionale” që kanë bërë, Sylë Hoxha saktëson se “gjatë procesit hetimor janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë ri-marrë në pyetje katër prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara nga vendi i ngjarjes”.

Ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë analizuan procesverbalet e hetuesisë, raportin e lartpërmendur të autopsisë, rezultatet e punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe të dhënat për aspektet fizike, psikologjike dhe sociale, që kanë të bëjnë me vdekjen e Astrit Deharit.

Në pjesën e mësipërme, që u publikua si pjesa e parë e këtij shkrimi, u përmendën pasaktësi të shumta që përmban raporti i autopsisë së lartpërmendur lidhur me lëndimet që shihen në ekzaminimin e jashtëm, por edhe një numër lëndimesh që nuk përmenden fare në këtë raport.

Sa u përket plagëve sipërfaqësore, për të cilën ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës deklarojnë me “besueshmëri” se “janë dëmtime të vetëshkaktuara”, ekspertët zviceranë kanë dyshimet e tyre dhe vijnë në këtë përfundim: “Plagët sipërfaqësore, të vërejtura në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë, si dhe në kyçin e majtë, janë pasoja të shkaktuara nga goditjet me një mjet të mprehtë dhe, sipas vendit ku ndodhen, fillimisht mund të mendohet se kemi të bëjmë me lëndime të kryera kundër vetvetes. Duke u nisur nga fakti i karakterit sipërfaqësor i këtyre plagëve dhe nga fakti se z. Astrit Dehari kishte njohuri mjekësore, vështirë se mund të besohet që këto lëndime të jenë shkaktuar nga autori, me qëllim që të shkaktojë vetëvrasjen”.
Në këtë kontekst, ekspertët zviceranë jo vetëm që nuk përjashtojnë ndërhyrjen e “faktorit të jashtëm” në shkaktimin e lëndimeve të tilla, por, përkundrazi, ata mbështesin domosdoshmërinë e ndriçimit të “hipotezës nëse këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, me qëllim të maskimit të krimit”. Përjashtimi i hipotezës për përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim nuk mund të bëhet në mënyrën siç është vepruar, pa asnjë fakt, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Një hipotezë e tillë duhet të përjashtohet vetëm nëse me fakte të pakontestueshme dëshmohet që persona të tjerë nuk kanë qenë të përfshirë në procesin fatal.

Sa u përket mënyrës se si është vepruar gjatë hetuesisë, gjatë autopsisë dhe gjatë punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë me rastin “Astrit Dehari”,ekspertët zviceranë bëjnë vërejtje të shumta.

Vërejtje thelbësore bëhet rreth pretendimeve të Prokurorisë së Prizrenit, për gjoja profesionalizmin që kanë treguar “gjatë procesit hetimor, kur janë marrë në pyetje 17 persona”.

Duke u mbështetur në materialet që u janë dorëzuar nga autoritetet e Kosovës, ekspertët zviceranë tërheqin vëmendjen në faktin se 12 ditë pas vdekjes së Astrit Deharit, “më 17 nëntor 2016, njësia forenzike e Kosovës ka bërë fotografimin e Naser Makollit, të Frrok Berishës dhe të Adonis Gashit, tre të burgosurve që ishin në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin. Ata janë fotografuar lakuriqë dhe nuk janë vërejtur lëndime, gjurmë apo shenja që mund të ngjallin dyshime”. Lidhur me konstatimet e policisë, se “të burgosurit e lartpërmendur nuk kishin lëndime në datën e fotografimit”, ekspertët zviceranë theksojnë:

“Megjithatë, duhet të vihet re se ky afat është shumë i gjatë dhe se gjurmët eventuale ose lëndimet ndërkohë kanë mundur të zhduken”.

Vërejtja e dytë bëhet lidhur me shenjat e gishtërinjve që janë gjetur në shishen plastike, në një enë për vlimin e ujit dhe një orë dore.

Në bazë të raportit daktiloskopik të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në shishen plastike, në një enën për vlimin e ujit dhe në orën e Astrit Deharit janë gjetur gjurmë jo të plota të gishtërinjve, të cilat ishin të pamjaftueshme për t’i përdorur në procesin e identifikimin të personave, të cilëve u përkitnin këto gjurmë.

Shishja plastike (“bouteille en plastique” në frëngjisht), me të cilën pretendohet se është mbytur Astrit Dehari, përmendet me dhjetëra herë dhe është e përkthyer saktë. Në paragrafin, ku ekspertët zviceranë vënë në pah çështjen e gjurmëve jo të plota të gishtërinjve, “bouteille en plastique”, është përkthyer “kuti prej plastike”!!! Është e pabesueshme që “bouteille en plastique” (“shishja plastike”), e përkthyer saktësisht me dhjetëra herë, rastësisht të jetë përkthyer gabimisht, pikërisht në kontekstin kur flitet për gjurmë gishtërinjsh në shishen plastike, që dëshmitarët e kishin parë në gojën e Astrit Deharit. Kam bindjen e plotë se heqja e fjalës “shishe” dhe zëvendësimi i saj me fjalën “kuti” nuk është e rastësishëm. Përkundrazi, kemi të bëjmë me ndryshim të qëllimshëm, për të fshehur në “kuti” shishen bashkë me gjurmët e saj.

Ndërsa sa i përket faktit, që Agjencia e Kosovës për Forenzikë “nuk ka identifikuar asnjë përzierje gjurmësh gjenetike gjatë analizave të sendeve të ndryshme dhe të rrobave të Astrit Deharit”, ekspertët zviceranë e cilësojnë si “të habitshme”, sepse nuk është e besueshme të arrihet tek ato rezultate “në rastet kur kemi 4 individë në një dhomë”. Prandaj, ata shprehin gatishmërinë e tyre “për analiza gjenetike shtesë”.

Vërejtja e mësipërme është një goditje e rëndë për procesin e hetimeve në rastin “Astrit Dehari”. Sidomos kur kemi të bëjmë me zbatimin e metodave shkencore për ndriçimin e krimit.
Përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj vërejtjeje ia zvogëlon rëndësinë që i japin ekspertë zviceranë. Në vend të “përzierje gjurmësh gjenetike” (“mélange de traces génétiques” në frëngjisht), që nënkupton përzierje të dy apo më shumë ADN-ve, analizimi i së cilave mundëson identifikimin e personave që kanë qenë pranë njëri-tjetrit, në tekstin shqip është përkthyer si “përzierje e gjurmëve digjitale”. Nuk besoj të jetë i rastësishëm as përkthimi i kësaj vërejtjeje, për vetë faktin se paragrafi paraprak në raportin e ekspertizës zvicerane lidhet pikërisht me gjurmët e gishtërinjve (“Des empreintes digjitales”, në frëngjisht). Edhe ata që nuk e njohin gjuhën frënge, mund ta vërejnë se nuk janë të njëjtat gjëra “mélange de traces génétiques” dhe “des empreintes digjitales”. Lënia e gjurmëve gjenetike është rezultat i vendosjes së qelizave në një send, gjatë kontaktit të individit me atë send, kurse përzierja gjenetike është kur me këtë send kanë pasur kontakte edhe individë të tjerë. Për këtë arsye, për ekspertët zviceranë është e habitshme si ka mundur të ndodhë, që në sendet e lartpërmendura të mos ketë gjurmë gjenetike të personave të tjerë, që kanë qenë në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin. Një gjë e tillë nuk është e mundur, pos nëse dikush i ka fshirë qëllimisht!

Në raportin shtesë të datës 9 shtator 2019 (me numër reference: EI190001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16), Njësia Romande e Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë trajton analizën gjenetike që është bërë në Kosovë.

Ekspertiza zvicerane bën një numër të madh vërejtjesh lidhur me mënyrën se si është vepruar gjatë analizës gjenetike të sendeve “të skenës së krimit”.

Vërejtja kryesore bëhet për shkak të faktit, se nuk janë analizuar të gjitha sendet që duhej të analizoheshin e që janë thelbësore për ndriçimin e rastit. Pse u kufizuan analizat gjenetike në Kosovë, kryesisht në sendet që kanë pasur gjurmë gjaku dhe nuk është analizuar trikoja e Astrit Deharit apo fletorja ku Astrit Dehari mbante ditarin e vet, e cila u gjet në dysheme afër krevatit të Naser Makollit? Për çfarë arsyeje ekspertët e Kosovës nuk e saktësojnë vendin nga ku janë marrë mostrat e analizave? Nuk është e parëndësishme të dihet nëse mostra është marrë nga fundi i shishes, që ka qenë e futur në gojën e Astrit Deharit, nga ku rezultati i analizave domosdoshmërish do të rezultojë pozitivisht me ADN të Astrit Deharit, apo në pjesën e sipërme të shishes, ku ka mundur të ketë gjurmë gjenetike të ndonjë personi tjetër…

Për çfarë arsyeje janë hequr një numër mostrash nga lista e mostrave të analizuara në Kosovë? Ku humbi mostra me numër 20 dhe pse u hoq nga lista e mostrave që mbajnë numrat nga 1-21? E njëjta gjë vlen edhe për serinë e mostrave 14.1-14.4, ku mungojnë mostrat 14.2 dhe 14.3, pa u dhënë asnjë shpjegim. Cilat ishin rezultatet e tyre? Kush i hoqi thonjtë e duarve të Astrit Deharit nga zarfet? Edhe nëse pranohet hipoteza, se thonjtë janë shfrytëzuar gjatë analizave të bëra nga Agjencia Kosovare e Forenzikës, prapëseprapë një çështje mbetet e dyshimtë: pse zarfet u dërguan bosh në Zvicër?

Nga mungesat e shumta që e përshkojnë punën e ekspertëve të Kosovë në rastin konkret, ekspertiza zvicerane përmend vetëm një shembull për ilustrim: “Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk i ka analizuar mostrat që janë marrë nga ora e Astrit Deharit, që, sipas tyre, përmbanin shumë pak ADN. Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur,i emëruar H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”.

Ekspertët zviceranë hedhin poshtë interpretimin e plagëve sipërfaqësore, të shkaktuara nga goditjet me një mjet të mprehtë në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë dhe të kyçit të majtë, si “dëmtime të vetëshkaktuara”, që i kanë paraprirë “vetëvrasjes me zënie fryme”. Ata theksojnë se në literaturën shkencore, që ka të bëjë me vetëvrasjet, “asnjëherë nuk është përshkruar vetëvrasja komplekse, që implikon një zënie fryme të llojit “smothering”, të cilit t’i ketë paraprirë përdorimi i një objekti të mprehtë”.

Duke u mbështetur në analizat e veta, ekipi mjeko-ligjor zviceran erdhi në përfundimet, se “një numër lëndimesh të konstatuara mbi trupin e z. Astrit Dehari nuk janë përshkruar nga mjekët ligjorë të Kosovës, që kanë kryer autopsinë apo edhe nga të tjerë, dhe nuk janë marrë parasysh në konkluzionet përfundimtare të raportit të autopsisë:

Lëndimet e shkaktuara me mjete jo të mprehta janë gjetur në nivelin e pjesës anësore të fytyrës, në anën e djathtë, dhe në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë, në parakrahun e djathtë dhe të shuplakës së djathtë, të cilat mund të jenë shkaktuar nga goditjet me mjete të forta, nga shtrëngime të qafës ose nga mbërthime të dorës. Duke pasur parasysh vendin ku ndodhen këto lëndime, ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk beson që kanë ndodhur aksidentalisht. Ndërkaq, përpjekjet e ekspertëve të Kosovës i shpjegojnë si lëndime të shkaktuara gjatë bartjes së trupit të Astrit Deharit, veprimeve mjekësore për ta kthyer në jetë apo “konvulsioneve” që shoqërojnë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes, por që nuk duken bindëse. Prandaj, ekspertiza zvicerane nxjerr konkluzionin, se rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari janë shumë të dyshimta, për shkak të ndërhyrjes së një personi tjetër në procesin fatal.

Në cilat fakte mbështet ekipi mjeko-ligjor zviceran për të hedhur poshtë diagnozat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha? Pse Astrit Dehari nuk ka bërë vetëvrasje? Ku janë kundërthëniet e diagnozave të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës dhe të prokurorit Sylë Hoxha? Të gjitha këto çështje do të trajtohen në pjesën që vijon.

Shpërndaje në


13 December 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget