Bardhyl Mahmuti- Pretendimi i Flamur Blakajt, se e paskëshin “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme” dhe se gjoja mendimi i ekspertëve zviceranë dhe i Komisionit Mjekësor të Kosovës “përputhen në pjesën dërmuese”, është një gënjeshtër e kulluar.

Raportet e ekspertizës zvicerane jo vetëm që nuk përputhen në pjesën dërmuese të konstatimeve me raportin e autopsisë të kryer nga ekipi mjeko-ligjor i Kosovës, por, përkundrazi, nuk mund të gjendet asnjë pikë e vetme, ku përputhen qasjet e të dy ekipeve mjeko-ligjore.

1. Ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk pajtohet me ekipin mjeko-ligjor të Kosovës rreth diagnozës së vdekjes së Astrit Deharit, sipas të cilëve ai “kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës”.

Ekspertiza zvicerane nxori në shesh një numër të konsiderueshëm mangësishë të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në interpretimin e plagëve të shkaktuara nga shishja plastike në gojë dhe erdhën te përfundimi i ndryshëm, që hap rrugën e hulumtimit të mekanizmave të tjerë të përdorur për t’i zënë frymën Astrit Deharit. Një ndër mekanizmat e tjerë që përmendin ekspertët zviceranë, e që ka të bëjë me procesin fatal të zënies së frymës, lidhet me mavijosjet që vërehen në vendet karakteristike për lëndimet, që janë shkaktuar gjatë kapjes në qafë, të llojit “çelësi i krahut” ose formave të tjera të dhunës në qafë.

Ekspertët zviceranë hodhën poshtë diagnozën e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës edhe për gjoja “ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës”. Faktet se dëshmitarët dhe infermierja e Qendrës së Paraburgimit në Prizren kishin konstatuar se Astrit Dehari kishte puls dhe merrte frymë para se të nxirrej nga dhoma u krye krimi, janë fakte të pakontestueshme, që përgënjeshtron konstatimet e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës rreth “ndaljes së menjëhershme të punës së zemrës”.

2. Raporti i autopsisë i Astrit Deharit, i përpiluar nga Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi ka gjithsej 4 faqe e gjysmë tekst. Dhe në këtë “ekspertizë” prej katër faqesh e gjysmë, ekipi mjeko-ligjor zviceran gjeti 15 përkufizime të gabueshme, të cilat numërohen në 15 pika, të paraqitura në faqet 24-25 të raportit të datës 14 qershor 2019. Dhe bëhet fjalë vetëm për gabimet sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit.

3. Si mund të pretendojë dikush, që mban titullin e mjekut-ligjor, se gjoja “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, duke i cilësuar si “lëkurë e dëmtuar” katër pllakat e kuqërremta që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari? Ekipi mjeko-ligjor zviceran e hedh poshtë përkufizimin e ekipit mjekësor të Kosovës dhe këto lëndime i cilëson si pllaka pergamene, të cilat nuk janë shenja lëndimesh sipërfaqësore të lëkurës, por pamja që merr lëkura disa orë pas vdekjes në vendet ku janë shkaktuar lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.

4. Përveç Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, cili ekspert mjeko-ligjor, që respekton Kodin Etik dhe Deontologjik të Mjekësisë, do t’i përkufizonte si “lëkurë e dëmtuar” pllakat pergamene në qafë dhe në parakrah të Astrit Deharit? Ekspertiza zvicerane e hedh poshtë përkufizimin e “ekspertëve” të lartpërmendur dhe vjen në konkluzionin se këto lëndime nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve, të cilat kanë qenë të shkaktuara në vendet karakteristike për lëndime, që bëhen gjatë shtrëngimeve në qafë, siç janë kapjet e llojit “çelësi i krahut”, ose me anë të formave të tjera të dhunës në qafë.

5. Me konstatimet e tyre, se gjoja këto lëndime në trupin e Astrit Deharit janë shkaktuar gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi, që pretendojnë se paskëshin “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, kanë mundur të bindin prokurorët e llojit të Sylë Hoxhës, apo atyre që u ka pëlqyer të dëgjojnë konstatime të formuluara në këtë mënyrë.

Nuk e di nëse janë skuqur nga inati kur kanë lexuar në raportin e ekspertizës zvicerane, se ekipi mjeko-ligjor i Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë shpreh qëndrimin e qartë, se “nuk ka mekanizëm bindës, që do të shpjegonte se si është e mundur që këto plaka pergamene të jenë shfaqur gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me zona, ku bëhen kapjet gjatë bartjes (në rastin e transportit); nuk kemi të bëjmë me zona ku bëhen ndërhyrjet mjekësore në rastet urgjente (në rastin e përpjekjeve për ta kthyer në jetë) dhe as zona të skajshme të trupit, si: hunda, veshi, molla e Adamit, bërryli, të cilat do të ishin përplasur me pengesa në rastin e bartjes ose shtangimit muskulor… Edhe pse teorikisht ato mund të shkaktoheshin nga bartja e trupit, nga veprimet për ta kthyer në jetë ose nga tkurrja muskulore, as pamjet e lëndimeve, as vendi ku gjenden këto lëndime nuk pasqyron, në radhë të parë, lëndime të shkaktuara nga njëri prej këtyre tre mekanizmave”.

Pas gjithë kësaj, Flamur Blakaj, pa u skuqur fare, deklaron në mënyrë të rrejshme, se gjoja mendimi i ekspertëve zviceranë dhe i Komisionit Mjekësor të Kosovës “përputhen në pjesën dërmuese”!!!

6. A mund të cilësohet se e “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, kur nga lëndimet që shihen nga ekzaminimi i jashtëm në nofullën e poshtme, “ekspertët” e Kosovës përmendin vetëm lëndimin që shihet në këndin e nofullës së poshtme, në anën e djathtë të saj, rreth 4 cm nga cepi i poshtëm i laprës së veshit dhe i japin diagnozën “skuqje (eritemë)”. A thua janë skuqur nga inati ose nga turpi, kur kanë lexuar raportin e ekspertizës zvicerane, që hedh poshtë një diagnozë të tillë dhe argumentojnë se nuk kemi të bëjmë me “skuqje (eritemë), por me mavijosje (ekimozë), që ndodhen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve dhe lëndimeve në qafë. Përveç diagnozës së gabuar për këtë lëndim, “ekspertët” e llojit të Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, pa u skuqur fare, nuk e paskëshin parë “një ekimozë me ngjyrë të kuqe në kafe, në formë vezake, në skajin e pjesës së përparme të nofullës së poshtme”!!! Edhe pse nuk e kanë përmendur fare këtë lëndim, që shihej në skajin e pjesës së përparme të nofullës së poshtme të Astrit Deharit, ata pretendojnë të kenë “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”!!! Degradimi deri në këtë shkallë i një mjeku, e bën të skuqet çdo mjek që punon në përputhje me etikën dhe deontologjinë mjekësore.

7. Për ta “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, në “ekspertizën” e tyre prej 4 faqesh e gjysmë, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi nuk gjetën vend të përmendin as lëndimin në pjesën e kokës, afër veshit të majtë, me ngjyrë të kuqërremtë, në formë lineare dhe horizontale. Ata nuk përmendin fare as çarjen sipërfaqësore në skajit anësor të pjesës së djathtë të gjuhës, që ndodhet përpara shqyerjes së përshkruar në raportin e autopsisë; ata nuk përmendin fare as njollat e kuqe në vjollcë në mukozën e rafemedianës të qiellzës së butë dhe të pjesës së pasme paramediane të djathtë të qiellzës së butë! Dhe pa u skuqur fare, pretendojnë se “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”.

8. Sa u përket plagëve sipërfaqësore, për të cilat ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës deklarojnë me “besueshmëri” se “janë dëmtime të vetëshkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë”, ekspertët zviceranë pajtohen me “ekspertët” e Kosovës vetëm rreth mjetit me të cilin janë shkaktuar lëndimet: një mjet i mprehtë! Por kur duhet të përcaktohet se kush i shkaktoi këto lëndime, dallimet janë thelbësore. Ajo që për ekipin mjeko-ligjor është “e vetëshkaktuar”, për ekspertët zviceranë është mjaft e dyshimtë, sepse “karakteri sipërfaqësor i këtyre plagëve nga njëra anë, dhe fakti se z. Astrit Dehari kishte njohuri mjekësore, nga ana tjetër, e bëjnë të vështirë të besohet që këto lëndime të jenë shkaktuar nga autori, me qëllim që të shkaktojë vetëvrasjen”. Për lëndimet, që me lehtësi Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi deklarojnë se janë “të vetëshkaktuara”, për ekspertët zviceranë nuk përjashtohet ndërhyrja e faktorit të jashtëm në shkaktimin e lëndimeve të tilla. Përkundrazi, ata mbështetin domosdoshmërinë e ndriçimit të “hipotezës, nëse këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, me qëllim të maskimit të krimit”. Nëse sillen fakte të pakontestueshme, që këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, atëherë hipoteza vërtetohet si e saktë. Në të kundërtën, ajo përjashtohet.

9. Përjashtimi i hipotezës për përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim nuk mund të bëhet në mënyrën siç është vepruar, pa asnjë fakt, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, apo vetëm për shkak se paska thënë Flamur Blakaj, anëtari i Komitetit Etik në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe anëtar i bordeve etike të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.

Një hipotezë e tillë duhet të përjashtohet, vetëm nëse me fakte të pakontestueshme dëshmohet që persona të tjerë nuk kanë qenë të përfshirë në procesin fatal. Deri te një përgjigje e saktë për këtë dilemë mund të vihet vetëm nëse bëhen analiza e hollësishme gjenetike të të gjitha sendeve që janë gjetur në dhomën e krimit, me kusht që dikush të mos i ketë shkatërruar gjurmët.

10. Nuk do të zgjatem të rendis të gjitha dallimet thelbësore që përmbajnë raportet e ekspertizës zvicerane, në krahasim me raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. I takon Flamur Blakajt apo kujtdo qoftë tjetër që mendon si ai, të publikojë një shembull të vetëm, ku përputhen mendimet e dy ekipeve. As për ilaç nuk do të gjejnë një vlerësim të vetëm të ekspertizës zvicerane, që përputhet me atë të “ekspertëve” të Kosovës!

11. Sikur të kishin zbatuar Kodin e Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore, atë të miratuar nga Asociacioni Botëror i Mjekësisë, një raport të tillë të autopsisë nuk do ta kishin bërë “as në kushtet e kërcënimit dhe as që do të kishin lejuar keqpërdorimin e njohurive mjekësore”.

12. Por, me sa shihet nga mënyra e veprimit të tyre në rastin e Astrit Dehari, studentit që ishte në prag të përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë, në vend që të trajtohet me respektin që e meriton çdo qenie që ka vdekur në rrethana të dyshimta, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi zbatuan parimin e shtrembëruar të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, që kërkon nga mjeku “të ruajë të gjitha fshehtësitë që i janë besuar edhe mbi vdekjen e pacientit”. Fatkeqësisht, për tri vite rresht, deri në ditën e publikimit të ekspertizës zvicerane, ata ruajtën të gjitha fshehtësitë mbi vdekjen e Astrit Deharit dhe kjo është e vetmja punë që komisioni i lartpërmendur mjekësor “ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme”. Dhe, për habi, ata të cilët nuk zbatuan “Betimin e Hipokratit” gjatë autopsisë së Astrit Deharit, sapo u publikuan raportet e ekspertizës zvicerane, nxorën në shesh fytyrën e hipokritit.

13. Raporti i autopsisë i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me numër reference IML: MA16-286, i datës 7 nëntor 2016, i kryer nga Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi, është raport i rrejshëm, që ka pasur për efekt negativ çorientimin e hulumtimeve për ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”. I takon prokurorisë së Kosovës, jo Sylë Hoxhës, që të vendosë rreth përgjegjësisë penale të komisionit mjekësor që përgatiti një raport të rrejshëm. Ndërkaq, Oda e Mjekëve të Kosovës duhet të marrë masa disiplinore kundër Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, për arsye se raporti i autopsisë që kanë bërë, është keqpërdorim i njohurive mjekësore, që mundësoi fshehjen e krimit dhe, si i tillë, është një akt mjeko-ligjor që është në kundërshtim me nenin 73 të Kodit Etik dhe Deontologjik të Mjekësisë së Kosovës.

14. Kur bëhet fjalë për ngjashmëri të raporteve të autopsisë në rastin “Astrit Dehari”, atëherë duhet të përmendim faktin, se raporti i Besim Ymaj dhe Besim Latifaj është i vetmi raport që ka ardhur në përfundime të njëjta me ato të ekspertizës zvicerane.

Sikur të ishin trajtuar me seriozitetin e duhur përfundimet e raportit të autopsisë që kanë kryer Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, rasti “Astrit Dehari” do të ishte ndriçuar që para 3 vitesh. Fatkeqësisht, eksperti mjeko-ligjor nga Tirana dhe ai nga Londra jo vetëm që nuk u përfillën, jo vetëm që nuk u respektuan dhe jo vetëm nuk u morën në mbrojtje nga kolegët e tyre, por, përkundrazi, ndaj tyre u zbatuan presione të mëdha nga Ministria e Drejtësisë, nga prokuroria dhe nga policia e Kosovës.

15. Pas sqarimeve që kanë bërë ekspertët zviceranë, institucionet e Republikës së Kosovës, të përfshira në përndjekjen e Besim Ymajt dhe Besim Latifajt, duhet t’u kërkojnë falje publike dy ekspertëve mjeko-ligjorë. Ky veprim është minimumi që duhet të bëhet për të vënë në vend cenimin e integritetit profesional.

(VIJON: Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit)

Shpërndaje në


13 December 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget