Bardhyl Mahmuti-Nëse Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi nuk i shfrytëzon kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të urdhëruar masat ndëshkuese kundër Sylë Hoxhës, për cilësim të rrejshëm si “vetëvrasje”, të vrasjes së Astrit Deharit, atëherë Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të ndërmerr masat adekuate kundër Kryeprokurorit të Shtetit për shkelje të ligjeve të Kosovës. Ndërkaq, në rast se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk vepron në përputhje me obligimet e veta ligjore, atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, duhet të shkarkojë Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore. Në të kundërtën, Kosova shndërrohet edhe de jure në shtet ku nuk ndëshkohet krimi!

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi

Publikimi i rezultateve të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” pati ndikimin e drejtpërdrejtë që lënda e kësaj çështjeje të transferohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Këtë vendim e shoqëroi njoftimi i zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, i datës 30 tetor 2019, se “do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të rastit”.

Prokuroria Themelore e Prizrenit dorëzoi përkthimin në gjuhën shqipe të dokumentit zyrtar të Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Ky përkthim është falsifikim i një dokumenti zyrtar dhe ky falsifikim përbën vetëm një aspekt të falsifikimit të këtij dokumenti.

Më 31 tetor 2019 kam bërë një shkresë publike Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi dhe Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu, të cilën ua kam dërguar edhe në adresën elektronike zyrtare.

Në shkresën time kërkova që të ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligj për autorët e falsifikimit të raportit të ekspertizës zvicerane.

Si dëshmi të falsifikimit solla ndryshimin e datës së raportit të 14 qershorit 2019 të ekspertizës së lartpërmendur dhe zëvendësimin e kësaj date, me datën 14 shtator 2019. Në të njëjtën kohë është ndërruar edhe numri i referencës së ekspertizës së parë, duke e prezantuar si të ishte pjesë e ekspertizës së dytë! Ky falsifikim është bërë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, me qëllim të fshehjes së faktit që raporti është mbajtur i fshehur 4 muaj.
Për të krijuar iluzionin se të dy raportet e ekspertizës zvicerane kanë ardhur në të njëjtën ditë, faqja zyrtare e internetit e Prokurorit të Shtetit ka publikuar një kopje të zarfit ku shihet data e dërgesës dhe e rrugëtimit të këtij zarfi. Sikur në brendi të këtij zarfi të kishin qenë të dy raportet e ekspertizës zvicerane, Prokuroria Themelore e Prizrenit do ta kishte sqaruar opinionin publik dhe nuk do të kishte pasur nevojë të falsifikonte dokumentin, duke ndryshuar muajin qershor me atë të shtatorit.
Ndryshimi i muajit është vetëm njëra nga dëshmitë se falsifikimi është bërë qëllimisht. Dëshmia e dytë që përforcon konstatimin e lartpërmendur lidhet me raportin plotësues të datës 9 shtator 2019. Në paragrafin ku flitet për raportin e parë të ekspertizës, atë të datës 14 qershor, është bërë ndryshimi tjetër.

Ta sqarojmë.

Në fillim të ekspertizës plotësuese EI190001, me numër reference: PPN/I no.461/16, të datës 9 shtator 2019, thuhet:
“Më 5 shkurt 2018, nga z. Metush Biraj, Prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë një mandat në kuadër të ndihmës reciproke ndërkombëtare që ka të bëjë me vdekjen e: Astrit Deharit, i lindur më 26 shkurt 1990, i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (Kosovë), vdekja e të cilit është konstatuar më 5 nëntor 2016, në ora 15:55.

Më 25 shkurt 2019 kemi marrë një pako që përmbante sende të cilat janë shqyrtuar gjatë analizave të ADN-së. Ky plotësim i ekspertizës shqyrton vetëm analizat e ADN-së”.

Në paragrafin e tretë, që përmban pjesën e falsifikuar të dokumentit, në gjuhën frënge, thuhet tekstualisht:

“Le 14 juin 2919, nous avons rendu un premier rapport (expertise EI180001), singé par les Profs T. Fracasso et S. Graherr et le Dr D.Aguiar”.

Në frëngjisht, folja “rendre” do të thotë “t’i kthesh dikujt diçka”. Në rastin konkret, kjo folje është përdorur në kohën e kryer, të mënyrës dëftore (passé composé de l’Indicatif) dhe meqë bëhet fjalë për një raport me shkrim, në ketë kontekst “nous avons rendu” do të thotë “kemi dorëzuar”. Pra kjo fjali përkthehet kështu:

“Më 14 qershor 2019, KEMI DORËZUAR një raport të parë (ekspertizën EI180001), të nënshkruar nga profesorët T. Fracasso dhe S. Grabherr dhe nga Dr D. Aguiar”.

Për të humbur gjurmët e fshehjes së raportit për 4 muaj rresht, në përkthimin zyrtar të Prokurorisë Themelore të Prizrenit kjo fjali është përkthyer në këtë mënyrë:

“Më 14 qershor, NE KEMI BËRË një raport të parë (ekspertizë EI180001), i nënshkruar nga Profesor T. Fracasso dhe S. Grabherr dhe Dr D.Aguiar”.

Po sqaroj për lexuesin se folja “rendre” (“t’i kthesh dikujt diçka”) në asnjë rast të vetëm nuk ka sinonim foljen “faire”, që në frëngjisht do të thotë “bëj”. Prandaj, në rastin konkret, duke e zëvendësuar foljen “dorëzoj” me foljen “bëj”, ata kanë falsifikuar dokumentin në atë mënyrë që lexuesi në gjuhën shqipe të mos e merr vesh se raporti është dorëzuar më 14 qershor 2019. Ky falsifikim nuk mund të shpjegohet me gabimet e rastësishme, por një gjë e tillë është bërë me vetëdije të plotë dhe me qëllimin të fshehjes të së vërtetës.

Falsifikim i dokumentit zyrtar i ekspertizës zvicerane është vepër penale, e ndëshkueshme me nenin 434 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Që nga data 31 tetor 2019, opinioni publik i Kosovës është njoftuar për dëshmi të pakontestueshme që kanë të bëjnë me këtë vepër penale. Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të vu para përgjegjësisë ata që kanë kryer këtë vepër penale. Përkundrazi, prokuroria është duke heshtur një vepër penale që ka lidhje me rastin më të rëndë penal që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Mënyra e tillë e veprimit e Kryeprokurorit të shtetit dhe e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që ka lëndën e rastit “Astrit Dehari”, është në kundërshtim të plotë me ligjet e Kosovës dhe mesazh i kundërt me deklaratat e Kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi se “do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të rastit”.

Përpjekja e prokurorisë për të lënë në heshtje një vepër penale i bën përgjegjës para ligjeve të Kosovës dhe forcon bindjen se zinxhiri i atyre që janë të përfshirë në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit ngjitet deri në kreun më të lartë të institucioneve tona të drejtësisë.

Çështja e dytë që ka të bëjë me mosveprimet e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës në rastin “Astrit Dehari”, lidhet me moszbatimin e Ligjit Nr.06/L-57, për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Raportet e ekspertizës zvicerane hodhën poshtë mundësinë që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje dhe kërkuan që të bëhen hetime për të ndriçuar rrethanat e dyshimta të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit.

Hedhja poshtë e cilësimit të këtij rasti si vetëvrasje e vë para përgjegjësisë së drejtpërdrejt kryeprokurorin e atëhershëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i cili, më 18 nëntor 2016, u përpoq të mbyllte rastin “Astrit Dehari”, si “vetëvrasje”.

Pas argumentimit nga ekspertët zviceran se Astrit Dehari nuk ka pasur mundësi objektive të bënte vetëvrasje me mjetet që pretendojnë “ekspertët” e Kosovës, del qartë se vdekja e dhunshme e Astrti Deharit është vrasje. Rrjedhimisht përgjegjësia e prokurorit Sylë Hoxha është e qartë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi nuk duhet të pres që një person fizik ose juridik të ushtrojë ankesë, për të ndërmarrë masa disiplinore ndaj një kryeprokurori. Në përputhje me nenin 9, paragrafi 1.4 të ligjit për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, Kryeprokurori i Shtetit duhet të ndërmerr masat disiplinore kundër Sylë Hoxhës për cilësim të rrejshëm si “vetëvrasje”, të vrasjes së Astrit Deharit.

Nëse Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi nuk i shfrytëzon kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të urdhëruar masat ndëshkuese kundër Sylë Hoxhës, atëherë Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të ndërmerr masat adekuate kundër Kryeprokurorit të Shtetit për shkelje të ligjeve të Kosovës. Ndërkaq, në rast se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk vepron në përputhje me obligimet e veta ligjore, atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, duhet të shkarkojë Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore. Në të kundërtën, Kosova shndërrohet edhe de jure në shtet ku nuk ndëshkohet krimi!

Post Scriptum

Kur them që në rast të mosfunksionimit të institucioneve të drejtësisë i takon Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, që në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, të realizojë shkarkimin e Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore kam për bazë këto fakte:
Në bazë të neni 83 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës, ndërkaq në bazë të nenit 83, pika 2, nga momenti kur nuk funksionon një institucion i caktuar, është kompetencë e presidentit që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë kushtetuese që të garantohet funksionimi normal i institucionit përkatës. Në rastin konkret, nëse institucionet e drejtësisë refuzojnë të zbatojnë ligjet, i takon presidentit të Kosovës që të gjejë mënyrën e zbatimit të kompetencave kushtetuese, që të vihet drejtësia në vend.

Shpërndaje në


13 December 2019

Facebook

Facebook Pagelike Widget